Ishte një torturë për shumë nga ne zgjedhja e Presidentes së Republikës së Kosovës në sekondat e fundit të lejueshmërisë kushtetutore,
duke rrezikuar stabilitetin dhe tërhequr zvarrë Kosovën mbarë nga zgjedhjet në zgjedhje
për shkak të mospjekurisë,
mospërgjegjshmërisë,
mospërfaqësimit në mënyrë të denjë
në organin më të lartë ligjvënës.
Votuesi, dmth Sovrani në Kosovë, ka nivel shumë më përfaqësues se deputetët e atij Kuvendi,
të cilët, sapo ulen në atë kolltuk, nisin kalkulimet partiake dhe aq u bën për interesat e Kosovës apo të qytetarëve të saj,
duke bërë luftë nervash dhe duke u tallur me interesat kombëtare të vendit e hallet e popullit.
Nuk besoj nëse Kuvendi i Kosovës ka sitë të lustracionit apo ka të përcaktuar kriteret meritore të përfaqësimit në këtë institucion.
Pra, ky Kuvend lë shumë për të dëshiruar, sikur thotë populli “asht vajmedet”.
Të mos flasim pastaj për mediat apo “guerrilasit” e rrjeteve sociale, kryesisht nga partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, me mentor baton stanishiqin, të cilët shantazhojnë, duke pretenduar se janë gazetarë, por që e shkelin me këmbë non stop 24 orë në ditë lirinë e fjalës
dhe çudia është se, ndërsa META bie pre e algoritmave për të censuruar profilet e protestuesve kundër regjimit të Edi Ramës,
në Kosovë këto algoritma mbështesin çakallët që sulmojnë hapur rendin kushtetues dhe fjalën e lirë pa u ndier aspak të shqetësuar se shkelin kodin e etikës vendosur nga META.
Dhe, po ashtu, nuk ua ndin aspak as nga institucionet rregullatore të gjuhës së komunikimit publik,
as nga organizmat e gazetarëve, si kliente të politikës old fashion,
por as nga organet përkatëse të shtetit, që e ka për detyrim mbrojtjen e rendit e qetësisë sociale në shërbim të qytetarit.
Pra, jemi në kaos dhe ky kaos duhet të marrë fund,
sepse rendin kushtetues e garanton shteti i së drejtës me të cilin Kosova krenohet.
Odiseja e zgjedhjes së presidentes së Republikës i qendronte Kosovës mbi kokë prej dy vitesh si Shpata e Demokleut, çka e çoi në tri palë zgjedhje, duke rrezikuar të katërtat në as dy vjet.
Pas zgjedhjeve të qershorit 2026,
kur VV me LDK arritën marrëveshje politike për president konsensual të propozuar nga LDK, e cila doli me emrin e një figure të respektuar si e Bekim Sejdiut, kuorumi u bë i pamundur, sepse gjashtë deputetë të saj, si reminishencë e aleancës së vjetër me PDK, i bën puç vendimit të kryesisë e forumeve brendapartiake.
Për llogari partiake, emri i respektuar i Bekim Sejdiut nuk u pranua as nga PDK, edhe kur Kurti premtoi votimin e ligjit të Dhomave të Specializuar, çka e bëri z. Sejdiu të tërhiqej publikisht, që emri i tij të mos gojohej nëpër kuluaret e llogarive politike.
Po kështu, të katër kryetarët e partive parlamentare e kaluan në heshtje dhe në mungesë të plotë serioziteti propozimin e emrit të Faton Bislimit për president të Republikës së Kosovës nga Ambasadori Walker dhe ish Kongresmeni Joe DioGuardi, megjithëse Faton Bislimi është një figurë e mirënjohur për aktivizëm lobist në Washington DC prej dy dekadash, me një komunikim e njohje me administratat e SHBA, qofshin Republikane apo Demokrate, kur ky komunikim sot do të duhej të forcohej më shumë se kurrë.
Për zgjedhjen e institucionit të presidentit të Republikës, PDK i ushtroi presion dhe diktat VV duke mos u mjaftuar me kalimin e Ligjit të Dhomave Speciale, por duke kushtëzuar votimin për një kandidate politike nga kjo parti.
Ndërkohë, prej 16 shtatorit nuk janë ndalur protestat, në emër të UÇK, por me pjesëmarrjen e njerëzve të lidhur direkt me Katërshen e Hagës. Nuk flas për familjarët, por për persona që deklarojnë se protesta nuk është e PDK, ndërkohë në fotot e profilit të tyre në Facebook shfaqen me Kadri Veselin e Azem Sylën. E kam fjalën për Çlirim Hazirin, drejtuesin e nismës “Jo në emrin tim”.
Në këtë situatë dramatike, VV nuk i mbeti alternativë-
ose zgjedhjet e reja të parakohëshme, ose zgjedhja e Presidentes së Republikës së Kosovës në sekondat e fundit.
Disa mendonin se zgjedhjet e reja duheshin se kishin me e sakatu si LDK dhe PDK ndërsa AAK e kishin nxjerrë krejt jashtë loje.
Por shumë ma mirë kështu.
Natyrisht që Kosovës i duhet stabilitet, por, ndonëse zgjedhja e Prof. Justina Shiroka Pula i dha fund krizës institucionale,
nxori në pah moskonkordancën, që s’ka lidhje parimore në respekt të votës, por interesash partiake,
duke e zëvendësuar komunikimin institucional e transparent me logoritë e rrjeteve të klientelizmit partiak të opozitës.
Ndërkohë, tregoi se nuk ishte e vështirë të zgjidhej Presidenti i Republikës.
Por ky fakt nuk e shmang nga përgjegjshmëria asfare maxhorancën.
Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje të krizave në momentin e fundit,
Kosova nuk ka nevojë fare për kriza, prandaj janë institucionet për parandalimin e tyre.
Dhe nuk është zor të zbulohet se kryefjala e këtyre krizave, (çka do të duhej të ishin shmangur vite më parë), është ngërçi Kushtetues që lidhet direkt me institucionin e presidentit. E njëjta Kushtetutë, që me 61 vota legjitimon konstituimin e Kuvendit, të qeverisë, bile edhe zgjedhjen e presidentit, me mekanizmin e kuorumit, kërkon pjesëmarrjen e 80 deputetëve dhe, nëse ky kuorum nuk përmbushet, e njëjta Kushtetutë rrëzon vetveten dhe çon vendin në zgjedhje dhe kriza institucionale.
Prandaj Kuvendi i Kosovës në këtë sesion të ri duhet ta fusë në rend të ditës zgjidhjen e këtij çarku institucional që Kushtetuta e Kosovës e mban brënda vetes, kundër vetes.
Në fund, uroj që Kosova, Sovrani i Kosovës, në të ardhmen ketë përfaqësues të denjë e të përfaqësohet denjësisht në Kuvendin e saj,
larg praktikës së deritashme
se Krahu i Luftës duhet të vazhdojë të përfitojë trofetë e pushtetit,
larg militantizmit pa kredite individuale
dhe larg infiltrimeve të shërbimit inteligjent të ish vendit pushtues, që nuk heq dorë nga ankthet e mitologjisë mesjetare.
Kurrë më Kosova të përballet me një zgjidhje të improvizuar sekondave të fundit, si një mungesë eksplicite përgjegjshmërie nga ata të cilëve Sovrani ua ka besuar votën.
Zonjës Presidente Prof.Justina Shiroka Pula i uroj sukseset më të mira në mandatin pesë vjeçar në shërbim të unitetit, interesit kombëtar e qytetarëve, duke forcuar lidhjet me Aleatët tanë Perëndimore drejt perspektivës Euro-Atlantike të Republikës së Kosovës.