ATHINE
Ka udhëtime që nisin shumë kohë përpara, qysh në fëmijëri. Ato lindin, si pa kuptuar në imagjinatën tonë. Fillojne si ëndrra, nga një përrallë e treguar, në një imazh që mbetet diku thellë në kujtesë dhe pret vite të tëra, e si përçudi një ditë bëhet e vërtetë… Për nënën time, Akropoli dhe Kariatidet kishin qenë, pjesë e asaj ëndrre. Që nga fëmijëria, në imagjinatën e saj, ai ishte një vend i largët e i magjishëm, ku gurët dukej sikur ruanin histori njerëzore dhe ku zonjat prej mermeri, Kariatidet qëndronin të heshtura, aq madhështore,si personazhe të një përralle të lashtë, të treguar nga i ati… Ajo një fëmijë rreth pesë vjeç, që priste darkën, teksa dritëhija e oxhakut vallëzonte mbi fytyrën e saj dhe në prehrin e babait, të dëgjonte ndonjë përrallë të bukur. Ato “përralla”, ishin ndryshe nga të tjerat, sepse ishin dritare drejt një madhështie mistike, që i pasuronte shpirtin e brishtë, e ngadalë ktheheshin në dije, e në urtësi të heshtur. “E lamë tek Akropoli, mandej me zërin melankolik, vazhdoi në greqisht, “Kariatidha thea mu, omorfia mu, zografia mu”( kariatida zota ime, bukuria ime, piktura ime), ky është dhe titulli i mitit, filloi të tregonte babai, me zërin e tij të qetë,“ aty pranë tij është tempulli Erektion. Ku gjashtë gra të gdhendura në mermer, që mbi kokë mbajnë peshën e tij.
Kariatidet Dhe e rrëmbyera në Londër
Janë Kariatidet, “gratë-shtylla”, që zëvendësuan kollonat Jonike, heroinat e heshtura të Athinës. Thuhet se vinin nga Sparta dhe se, si një formë ndëshkimi, u murosën në gur, duke u shndërruar në një dedikim të përjetshëm për Athinan dhe Poseidonin. Por koha, në vend që t’i harronte, i bëri të pavdekshme. Për gati tre mijë vjet, ato kanë qëndruar aty, të palëkundura nën qiellin e Athinës, si një simbol i forcës, i triumfit dhe i bukurisë që nuk njeh moshë. Bukuria e tyre nuk mbeti vetëm në mermer; ajo u kthye në admirim, në art, në kujtesë. Kariatidet dëshmuan se figura e gruas në botën helene nuk ishte thjesht një zbukurim, por një mishërim i fuqisë, hijeshisë dhe madhështisë. Por, një natë të errët dimri, shekujt e qetësisë u thyen. Një skocez, jo aq fisnik, Lordi Elgin, quhej, vjedhurazi shkuli një prej tyre, nga vendi ku kishte qëndruar për shekuj. E rrëmbeu nga Akropoli dhe e çoi larg, në Londër, ku sot qëndron në Muzeun Britanik, larg motrave të saj. Dhe kështu, nga gjashtë, mbetën vetëm pesë… Pesë gra prej mermeri që ende mbajnë mbi supe peshën e tempullit, por edhe peshën e një mungese, që koha nuk ka mundur ta harrojë. Gojëdhëna thotë se, që prej asaj dite, Kariatidet e mbetura, ndryshuan shprehjen e fytyrës. Sikur dhimbja për motrën e larguar, të kishte gdhendur mbi mermer një trishtim të ri, një dhimbje që nuk u tret me shekujt, por mbeti e ngrirë në sytë e tyre. Dhe ndoshta, kur i sheh sot, nuk sheh vetëm pesë gra prej guri. Sheh pesë motra që vazhdojnë të presin, të heshtura, krenare, të pathyeshme…duke mbajtur mbi kokë jo vetëm tempullin, por edhe kujtimin e dhimbshëm, të asaj që iu mor përgjithmonë!” Unë e shikoja e mahnitur, tregonte mamaja, kur papritmas e pyeta, -Baba, këtu, gratë që shkojnë në Kavalonë për të mbushur ujë, mezi mbajnë mbi kokë, një shtamë të vogël. Po Kariatidet, si mund ta mbanin mbi kokë gjithë atë peshë mermeri? Pastaj, me sytë ende të ngulur mbi to, shtova me padurimin e një fëmije: -Sa qejf kam t’i shoh nga afër! Në verë, kur të shkojmë në Korfuz për pushime, a mund të shkojmë edhe në Athinë, që t’i vizitojmë? Babai më pa me admirim dhe, ndërsa më ledhatonte flokët, m’u përgjigj: -Në dashtë Zoti, do të bëhet. Por, Zoti nuk e deshi…Sepse vetëm një vit më vonë, im atë humbi papritur jetën, duke lënë pas një boshllëk, që koha nuk mundi ta mbushte kurrë. Dhe ato pak fjalë, por të mënçura, të thëna me zërin e tij të qetë, më mbetën gjatë në zemër, si një ëndërr, si një premtim i ndaluar, që koha mbase një ditë, do ta çonte drejt së vërtetës… Sapo mamaja mbërriti në Athinë, më përqafoi me gjithë mallin që kishte mbledhur në shpirt. Dhe atë dëshirë që e kishte mbajtur aq gjatë brenda vetes, më në fund ma tha…Ndërkaq, ajo uli kokën e prekur, ndërsa sytë iu mbushën me lot. Me një zë të dridhur, sikur po nxirrte nga thellësia e shpirtit një breng të ruajtur, për një jetë të tërë, vazhdoi: E kam ruajtur atë dëshirë si një ëndërr, për rreth gjashtëdhjetë e pesë vjet…E kam mbajtur gjallë diku thellë në zemër, edhe atëherë kur koha më mësoi, të mos prisja më. Por ja që tani, pas kaq shumë vitesh, koha po më dhuron surprizën më të bukur pikërisht atë, që dikur e besoja të humbur përgjithmonë. …Në mbrëmje, kur u ktheva nga klinika, i solla një manual arkeologjik mbi Kariatidet. E përqafova dhe u ula pranë saj. E vështroja gjatë, me një admirim që më vinte natyrshëm. Bukuria dhe fisnikëria e saj nuk ishin shuar; përkundrazi, dukej sikur koha, në vend që ti a fshinte, i kishte dhënë një tjetër dritë. Me atë buzëqeshje të ëmbël, që dukej se ishte bërë pjesë e qënies së saj, më ngjante si një hyjni e zbritur në tokë, diku mes engjëjve dhe perëndive. Dhe, pa e ditur as vetë pse, fillova t’i lexoja me zë manualin. “Kariatidet, ose vajzat e Karyait, një qytet i lashtë në Peloponez, vallëzonin në ekstazë, duke adhuruar perënditë dhe duke mbajtur mbi kokë shportat e shenjta, kanephora, të mbushura me objekte kushtuar hyjnive. Sipas legjendës, ato u dënuan me skllavëri, pasi tradhtuan Athinën. Megjithatë, në kujtesën e artit helen, ato mbetën njëkohësisht simbol i bukurisë dhe i forcës.” Ndalova për një çast dhe e vështrova sërish, ajo më ndiqte me vëmendje, e emocionuar. Në faqet e manualit thuhej se kompozimi skulptural i Kariatideve i atribuohej Alkamenesit dhe arkitekturës së Erektheionit, si një dedikim hyjnive. Por ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte gjenialiteti i fshehur në detaje: gërshetat e tyre të trasha nuk ishin vetëm një dekoracion i bukurisë femëror. Ato shërbenin edhe si një përforcim strukturor, duke mbajtur peshën mbi kokë të epikranidhës dekorative, pa e ndryshuar finesën e qafës dhe elegancën e tyre. Ato nuk pozuan, por u kovertuan në kolona mermeri. Sa e jashtëzakonshme ishte kjo! Edhe në gur, gruaja nuk ishte krijuar vetëm për t’u admiruar, por dhe për të mbajtur peshën e një tempulli, pa humbur hijeshinë. Për të mbajtur mbi vete barrën e botës, pa e shformuar bukurinë. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndronte një nga të vërtetat më të bukura të artit helen: figura e gruas nuk ishte vetëm mishërim i finesës dhe bukurisë, por edhe i qëndresës, fuqisë dhe madhështisë”. E mbylla manualin me këtë frazë dhe e pashë përsëri, ajo ishte si e hipnotizuar…Mama, vazhdova. Kjo dëshmon mbi vlerën që kishte figura e femrës në artin dhe kulturën helene, duke treguar se femra zinte një vend të rëndësishëm, në idealet estetike dhe shpirtërore të grekëve të lashtë. Për një çast, nuk dija nëse po lexoja për Kariatidet, apo dhe për nënat si ajo, që fati i dënoi, dhe ato shfaqeshin, si një version i Kariatideve. Vetëm se, në vend të gurit, mbartnin mbi supe dhimbjen, humbjet dhe heshtjet e një jete të tërë, që nuk mundën ti rrëzonin. Duhej të qëndronin në këmbë, edhe kur brenda tyre gjithçka ishte duke u shembur. Por ajo nuk mund të dilte nga ato impresione,…“besoj, nesër në mëngjez do të shkojmë për ti vizituar”, më tha. Të nesërmen, në mëngjes, u nisëm familjarisht me taksi. Në shtatorin e vitit 1992, “përralla” mori udhë. Gjatë rrugës, lexoja në sytë e Mamës, dëshirën dhe padurimin për të mbërritur. Ishte një padurim i çuditshëm, i ngjashëm me atë të një fëmije, që pret të shohë për herë të parë diçka të magjishme. -Mama, i thashë, do të të tregoj diçka interesante. Kishin kaluar gati tridhjetë shekuj dhe Kariatidet vazhdonin të qëndronin aty, të paprekura nga koha, si një simbol i përjetshëm admirimi. Shumë arkitektë, ndër shekuj, ishin përpjekur t’i imitonin. Kishin projektuar ndërtesa me kolona dhe figura të ngjashme, duke kërkuar të përsërisnin atë bukuri të lashtë, por ato shembeshin. Nuk mundën ta deshifronin, atë gjeometri të harmonisë simetrike, -vazhdova. As sistemin e përpiktë të proporcioneve trupore, të mbështetur mbi modulin e “raportit të artë”. Sepse ajo që duket si bukuri e thjeshtë, në të vërtetë është një rend i fshehtë, një matematikë e heshtur, që vetëm mjeshtrit e mëdhenj, dinin ta përkthenin në harmoni, mbi mermer. Mamaja heshti për një çast, pastaj shtoi: Mrekullitë nuk përsëriten. Kur mbërritëm në Akropol, ajri dukej sikur mbante ende diçka nga fryma e lashtësisë. Gurët, kolonat, qielli i hapur mbi Athinë, gjithçka krijonte ndjesinë se koha kishte ndaluar për pak çaste. Atëherë mamaja shprehu dëshirën të blinte, një buqetë me karafila të kuq.U befasova, por nuk e pyeta menjëherë, pse. Ndoshta sepse e kuptova, se ajo buqetë nuk ishte thjesht një tufë lulesh, ishte një mënyrë për t’i dhënë formë lidhjes shpirtërore të krijuar, një ndjenje që nuk gjente dot fjalë. Një përshëndetje mirënjohjeje, për bukurinë, për kohën, për kujtesën. Dhe nga ajo “përrallë” e paharruar, që ia shndërroi ëndrrat e fëmijërisë, në dije të përjetshme, kishte mbetur edhe një dëshirë e vogël, e thjeshtë, por e parealizuar: që një ditë, pranë statujave të Kariatideve, të vendoste një buqetë me karafila të kuq…
Me karafilat e kuq në Akropoli
Dhe, për një çast, më dukej sikur karafilat do të vendoseshin jo vetëm përpara gurëve të lashtë të Akropolit, por edhe përpara vetë mrekullisë së asaj jete. Akropoli, për ne nuk ishte vetëm si event turistik apo takim me historinë, por si njerëz që po hynim për pak çaste, brenda një kujtimi, që kishte jetuar për dekada në zemrën e nënës. Nën qiellin e kaltërt të Athinës, ndriçimit të saj, mes bardhësisë së mermerit dhe reflekseve të Mesdheut, karafilat e kuq dukeshin pothuajse triumfues, aq të gjallë përballë gurit, aq njerëzorë, përballë përjetësisë. Nëna ime me karafilat në dorë, mu duk si para një rituali të shenjtë, u përkul diçka mërmëriti, dhe ndërkaq vendosi buqetën me respekt, pranë Kariatideve. Karafilat e kuq përballë përjetësisë. Mandej, pa e shkëputur vështrimin prej tyre, mbështeti dorën tek ulliri shekullor, e më tha ngadalë, thuajse në konfidencë:
Kariatidet dhe karafilat e mamasë
“Paradoks helen…Një grua që mban mbi supe peshën e një bote të tërë, e megjithatë nuk e humbet as bukurinë, as stoicizmin, as atë hijeshi të heshtur, që e bën dhimbjen të duket, si një formë e lartë force. Ato përcjellin idenë se dënimin e kthyen në fitore, vuajtjen në dinjitet dhe fatin në përjetësi”. Mua jo vetëm që më pëlqeu ajo retorikë, por veç asaj më intrigoi vazhdimin e mendimit: Por, ndoshta, aty fshihet edhe diçka më e thellë: një shprehje e dinjitetit dhe idealizmit të figurës femërore, e një gruaje që nuk pranon të mbetet vetëm viktimë e fatit, por e shndërron fatin e saj, në një trajtë të shkruar me gjuhën e shpirtit. Mbase është edhe një hap, drejt emancipimit simbolik e kulturor, një çast kur gruaja nuk paraqitet më thjesht si frymëzim, si muzë apo si tragjedi, por si vetëdije, si forcë dhe si kujtesë e gjallë e kohës. Në kohët moderne, Kariatidat interpretohen si simbol i fuqisë, dinjitetit dhe kontributit të gruas në shoqëri, si një perceptim i ri në kontekstin e emancipimit.”
Kjo foto e fundit me babanë, në vitet 1930, gjatë pushimeve në Korfuz, i mbeti
…Për momentin m’u afrua një burrë plak, Bravo, na tha, më emocionuat, nga jeni ju. Nga Shqipëria ju përgjigja unë. Ai mbeti me një pamje habije në fytyrë, shprehje ku çudia ndërthurej me admirimin e heshtur. Mesa dukej, ishte një gjest jo i vogël për të tjerët, por për nënën time ishte një përmbushje. Një ëndërr fëmijënore që, kujtesa kishte zgjedhur ta ruajë të gjallë, pas shumë vitesh, kishte gjetur më në fund, skenën ku duhej të shkëlqente. Karafilat e kuq nuk ishin thjesht lule, ishin një përshëndetje nga e tashmja, për atë ëndërr të vjetër, kurorëzim i asaj madhështie historike. Një kujtim që udhëtoi nga rrëfimet e fëmijërisë deri te gurët e lashtë të Athinës, një copëz dashurie njerëzore vendosur përballë asaj, që kishte sfiduar shekujt. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndronte bukuria e atij çasti: Kariatidet qëndronin të palëvizshme si gjithmonë, ndërsa ne kalonim përmes kohës, duke admiruar atë bukuri stoike. Kariatidet, një bukuri helene e përjetësuar në mermer; “pa lifting”, një elegancë që koha vetëm e fisnikëron. Por për disa minuta, pranë tyre, koha u ndal…Mbeti vetëm një buqetë karafilash të kuq, një nënë me ëndrrën e fëmijërisë, ku e kishte çuar zëri i të atit dhe ne dëshmitarë të një “përralle”, që më në fund ishte bërë realitet…
* * *
Por surprizat, dukej sikur ndiqnin njëra-tjetrën, si të ishin shkruar diku në enigmën e fatit…Ishim duke shëtitur me time shoqe në Ermou, pranë Monastirakit, në një ditë të bukur janari të vitit 2024. Dhe, papritur, përballë nesh u shfaq një mrekulli: një mural mbresëlënës, i shtrirë mbi fasadën e një godine klasike, sikur koha vetë të kishte lënë aty një mesazh. Ajri i ftohtë i dimrit, i kthjellët si një kujtim i largët, dukej sikur zgjonte në heshtje kujtime të vjetra, për t’i lënë të rrënjoseshin të rejat edhe më thellë në shpirt. Një piktor rruge, INO quhej, na befasoi me artin e tij të fuqishëm e të pazakontë. Në mur qëndronin Kariatidet madhështore, të brishta, të heshtura. Por sytë e tyre… ah, sytë e tyre dukej sikur mbanin gjithë dhimbjen e botës. Nga ta rridhnin lotë në blu të kthjellët, si kristale deti, si pika kujtese që nuk mund të thaheshin kurrë.Qëndruam gjatë përballë tyre, e në atë çast, arti pushoi së qeni vetëm art. Në fytyrat e Kariatideve lexova atë dhimbje që e njihja, një mungesë që e mbaja brenda vetes. Në heshtjen e tyre më erdhi zëri i nënës sime, ajo prani e shenjtë, që jeta tashmë ma kishte marrë, por që koha nuk kishte mundur ta fshinte. Nëna ime ishte larguar nga kjo botë, por atë ditë, mes rrugëve të Athinës, ajo m’u kthye për një çast, mes a tij requiemi. M’u kthye përmes atyre syve të përlotur, përmes atyre lotëve që shkëlqenin si kristale deti, përmes heshtjes së një murali që dukej sikur vajtonte bashkë me mua. Dhe kuptova se disa vepra arti nuk i shohim thjesht me sy, i shohim me botën tonë, me plagët tona. Ky requiem i heshtur për Kariatidet u bë, në shpirtin tim, një requiem për nënën…
Murali i Kariatideve mes lotëve bie
Një elegji e bukur, e dhimbshme dhe e papritur, që më kujtoi se dashuria për ata që kemi humbur nuk vdes kurrë; ajo thjesht ndryshon formë dhe, herë pas here, gjen mënyra të çuditshme për t’u kthyer…Atë ditë, në zemër të Athinës, mes gurëve të lashtë, ngjyrave të artit, ndërsa qyteti jetonte ritmin e tij përreth nesh, një mural i heshtur më foli për nënën time. Dhe lotët e Kariatideve u bashkuan me lotët e mi…

