Prishtinë, 1 tetor 2026
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media, pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen:
Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në këtë konferencë të përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen.
E nderuara Presidente von der Leyen, mirë se vini në Prishtinë.
Kjo është vizita juaj e gjashtë në Prishtinë si Kryetare e Komisionit Evropian. Jemi takuar për herë të parë gjatë pandemisë, dhe që nga atëherë ju keni ardhur për çdo vit. Përkundër krizave dhe sfidave, nuk keni munguar asnjëherë. Ju falënderoj për mbështetjen që ja keni dhënë vendit tonë dhe qytetarëve tanë.
Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur.
Kosova ka pasur njërën prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë. Vlerësuesit e pavarur tregojnë se kemi pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e sundimit të ligjit, sikurse të institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe në avancimin e demokracisë. Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në katër vjet, e jo dy herë në vit.
Ky përparim e ka bërë Kosovën edhe njërin prej vendeve më të sigurta në Evropë. Nëntë në dhjetë qytetarë tanë ndihen të sigurt të ecin vetëm natën, dhe përmirësimi më i madh në siguri dhe në sundimin e ligjit ka ndodhur në veri të vendit tonë.
Ekonomia vazhdon të rritet 4 për qind në vit, rritja më e lartë në rajon, ndërsa borxhi ynë publik mbetet më i ulëti në Evropë. Vitin e kaluar, Kosova u bë donatore e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, dhe sikur Banka Botërore ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na hoqën nga listat e tyre të shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti. Këtë rritje e kemi ndarë me qytetarët tanë, përmes shtesave për fëmijë dhe për nëna, pensioneve më të larta dhe pagës minimale më të lartë, masa që për herë të parë janë vendosur ose janë rritur në këtë dekadë.
Kosova është partnere e besueshme e Bashkimit Evropian. Ne jemi 100 për qind të harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe çdo sanksion kundër Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Ne i mbrojmë vlerat e nenit 2 të Traktatit për Bashkim Evropian. Dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësimin në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë.
Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes po zbatohet. Kosova ishte ndër vendet e para që e dorëzoi atë, dhe ndonëse zbatimi zgjati më shumë sesa që ishte planifikuar, çdo reformë do të përmbushet. Pesë ditë më parë, qeveria i miratoi 10 nga 12 ligjet, me afat qershorin, dhe i ridërgoi në Kuvend. Jam i bindur se Kuvendi do të veprojë shpejt, dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes. Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet prapa. Ajo që bllokada në parlamentin tonë mund të lërë prapa janë fondet evropiane për këto reforma. Dhe kjo natyrisht që është për të ardhur keq.
Të nderuar gazetarë,
Në takimin tonë, i kërkova Presidentes von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, ku tashmë janë anëtarësuar tre nga fqinjët tanë, që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kërkova gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit. Sot, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor jashtë marrëveshjes evropiane për njohjen e ndërsjellë të akreditimit, ndonëse ne tashmë i zbatojmë standardet evropiane, me kosto shtesë për bizneset tona. Hapja e këtyre dyerve do ta shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në Tregun e Unik. Kosova ka treguar se çfarë mund të arrijë. Me më shumë dyer të hapura, mund të arrijë edhe më shumë.
Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova nuk ka shënuar kthim prapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, me përparim që varion nga i kufizuar deri në të mirë.
Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Natyrisht, sfida ka gjithmonë, dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por përparimi ynë është i qartë.
Zonja Presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat, dhe që t’i bëni thirrje Këshillit të kërkojë Opinionin e Komisionit për aplikimin tonë.
Lëvizshmëria apo mobiliteti rajonal është gjithashtu në thelb të Planit të Rritjes. Marrëveshja e Procesit të Berlinit për njohjen e diplomave duhet të zbatohet, dhe Bosnja e Hercegovina duhet të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftim, që studentët dhe punëtorët të lëvizin lirshëm në tërë rajonin.
Më lejoni të ndalem edhe tek aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara, të cilin qytetarët tanë po e ndjekin me shumë vëmendje.
Në këtë aktgjykim, janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht. E para, pretendimet për të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë dhe për trafikimin e organeve as nuk bënë pjesë e aktakuzës. E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan. E treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq, dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.
Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludimet tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme. Rreth 20 mijë njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës. Dhe, ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative.
Presidente von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni këtu.
Kosova e ka bërë pjesën e saj, dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.