I ÇMENDURI
Më pyete si u bëra i çmendur?
Ja se si:
Një agim, shumë kohë, përpara
se të lindnin perënditë e panumërta,
u zgjova nga një letargji
dhe pashë se më kishin vjedhur
të gjitha maskat e mia.
Shtatë maskat që kisha krijuar dhe
që i kisha mbajtur në shtatë jetë.
Atëherë vrapova, i pamaskuar
nëpër rrugët e mbushura me njerëz, duke bërtitur:
«Hajdutët! Hajdutët! Të mallkuarët hajdutë!»
Shumë burra dhe gra më përqeshën,
Disa të tjerë vrapuan të frikësuar drejt shtëpive të tyre.
Duke mbërritur në sheshin e tregut,
një djalosh, nga maja e një çatie, bërtiti:
«Është i çmendur!»
Ngrita kokën për ta parë.
Atëherë, për herë të parë,
dielli puthi fytyrën time të pamaskuar
dhe shpirti im u mbush me dashuri për diellin.
Dhe që nga ai çast nuk i desha më maskat e mia.
I pushtuar nga ekstaza, bërtita:
«Të bekuar, të bekuar qofshin ata që m’i vodhën maskat e mia!»
Kështu u bëra i çmendur.
Dhe në çmendurinë time i gjeta të dyja:
lirinë dhe sigurinë.
Lirinë e vetmisë dhe sigurinë se nuk më kuptojnë.
Sepse ata që na kuptojnë, robërojnë diçka brenda nesh.
Por le të mos jem edhe aq krenar për sigurinë time.
Edhe një hajdut, kur është i burgosur, është i mbrojtur nga një hajdut tjetër.
GËZIMI DHE TRISHTIMI
Gëzimi juaj është trishtimi juaj pa maskë.
Vetë pusi prej të cilit buron e qeshura juaj,
shpesh mbushet me lotët tuaj.
Dhe si mund të ishte ndryshe?
Sa më thellë të depërtojë trishtimi në qenien tuaj, aq më shumë gëzim mund të mbajë zemra juaj.
A nuk është vallë kupa ku derdhet vera juaj,
e njëjta kupë që u dogj në furrën e poçarit?
Dhe fyelli që i sjell qetësi shpirtit tuaj, a nuk është po ai dru që u shpua me thika?
Kur jeni të gëzuar, shikoni thellë në zemrën tuaj dhe do të shihni se pikërisht ajo
që ju ka sjellë trishtim, është ajo që tani ju sjell gëzim.
Kur jeni të trishtuar,
shikoni përsëri brenda zemrës suaj
dhe do të kuptoni se, në të vërtetë,
po qani për atë që dikur ishte gëzimi juaj.
Disa prej jush thonë:
«Gëzimi është më i madh se trishtimi.»
Të tjerë thonë:
«Jo, trishtimi është më i madh.»
Por unë ju them: të dyja janë të pandashme.
Ato vijnë gjithmonë bashkë.
Dhe kur njëri është i ulur pranë jush në tryezë, kujtohu se tjetri po fle në shtratin tuaj.
Në të vërtetë,
ju lëkundeni si dy pjatat e një peshoreje,
herë nga trishtimi e herë nga gëzimi.
Vetëm kur të jeni çliruar nga çdo barrë,
do të gjeni qetësinë dhe ekuilibrin.
Por kur Thesarmbajtësi ju përdor
për të peshuar arin dhe argjendin e tij,
atëherë, pashmangshëm,
do të ngrihet njëra dhe do të ulet tjetra:
herë gëzimi, herë trishtimi.