Ka një çast kur matematika pushon së qeni numër dhe fillon të bëhet poezi. Ndoshta ky është çasti kur njeriu ngre kokën nga toka dhe sheh qiellin. Atje lart nuk sheh vetëm yje. Sheh një rend të padukshëm. Orbitat e planetëve, rrotullimin e galaktikave, hijen e Tokës mbi Hënë, spiralet e largëta të mjegullnajave. Gjithçka duket sikur lëviz sipas një muzike që nuk e dëgjojmë.
Universi nuk është vetëm hapësirë. Është marrëdhënie. Dhe marrëdhënia ka gjithmonë një gjeometri.
Ari
—
Njeriu e ka kërkuar prej shekujsh një numër që do t’i shpjegonte bukurinë. E quajti Raporti i Artë.
(φ – rreth 1,618). Një numër që shfaqet në matematikë dhe që është bërë simbol i harmonisë estetike. Artistët dhe arkitektët e kanë kërkuar në përmasa, në kompozim, në trupin njerëzor, në natyrë. Por bukuria nuk bindet gjithmonë ndaj numrit. Dhe kjo është ndoshta bukuria e saj më e madhe.
Te Leonardo Da Vinçi matematika dhe arti takohen në një kufi ku përmasa mund të maten, por misteri, jo.
Mund të masim fytyrën e Mona Lizës. Nuk mund të masim shikimin e saj. Mund të analizojmë raportet e figurës. Por kush mund të masë atë çast të çuditshëm kur kemi ndjesinë se ajo na sheh?
Prandaj do ta quaja: shikimi i argjendtë.
Ari i përket numrit.
Argjendi i përket pasqyrës.
Dhe Mona Lisa nuk na jep vetëm një fytyrë. Na kthen fytyrën tonë.
Gjeometria e errësirës
—
Pastaj vjen eklipsi. Dielli. Toka. Hëna. Tre trupa vendosen në një vijë të përkohshme dhe drita bëhet hije. Fizika e shpjegon.
Por poezia pyet: Pse hija është kaq e bukur? Ndoshta sepse errësira nuk është thjesht mungesë drite; ka edhe ajo gjeometrinë e vet. Hëna futet në hijen e Tokës dhe për pak çaste qielli duket sikur harron dritën. Por Hëna nuk zhduket. Ajo mbetet aty. Si disa njerëz në jetën tonë. Largohen. Heshtin. Humbin nga shikimi. Por nuk zhduken nga orbita e kujtesës.
Gdhend dritë
Shpesh në zemrën e Errësirës gdhend Dritë: i vetëm.
Drita është revoltë, grusht rrezesh, pendesë e kthyer në lot…
Nis shfaqet me plagë drite Mbreti i Errësirës: i vetëm
Kërkon për mbijetesë të hedhim short.
Nuk mundem, i them, Drita rri në Errësirë si fara
Nënë drite do të jetë skulptura
Me një statujë drite do t’i dalë Lavdisë përpara…
Në një futë errësire do mbledhë mollët e plagëve të tua.
Mbreti bie në gjunjë, më lutet, unë heq cifla errësire.
Gdhend mollë-drite në errësirën-futë
Mbreti i Errësirës sheh një Nënë Drite…
Dhe mbretërit qajnë e duke qarë… zbutet…
Hëna që largohet
—
Hëna largohet ngadalë nga Toka rreth 3,8 centimetra në vit. Një largim pothuajse i padukshëm për jetën e një njeriu. Por miliona vite janë shumë për një univers. Para disa vitesh duke u mbeshtetur në një informacion të gabuar “mësova” që Hëna largohej nga Toka 4 metra në vit. Dhe shkrova poezinë:
Thonë Hëna po largohet
si unaza kur gishti hollohet
largohet nga Toka katër metra në vit
aq sa gjatësia e studios sime
ku Hëna afrohet për flirt.
Sidoqoftë, pavarësisht ‘gabimit’ tim, Hëna, duke u larguar, nuk e harron eklipsin. Ajo vazhdon të kthehet në marrëdhënien e saj me Diellin dhe Tokën. Këtu fizika bëhet metaforë, sepse edhe dashuria ka një gjeometri. Dy njerëz mund të largohen dhe prapë të mbeten në të njëjtën orbitë kujtese. Mund të mos preken më. Por një emër, një zë, një aromë, një dritare e ndriçuar natën mund ta rikthejë menjëherë vijën e vjetër.
Distanca nuk është gjithmonë harresë.
Hëna largohet 3.8 cm në vit. Studio ime gjithnjë mbetet 4 m. Dhe eklipsi mbetet.
Graviteti i dashurisë
—
Graviteti është një forcë fizike. Dashuria nuk është forcë fizike. Dhe megjithatë gjuha njerëzore i ka vendosur shpesh pranë njëra-tjetrës. Pse themi se dikush na tërheq? Pse një njeri bëhet qendër e botës sonë? Pse, edhe kur largohet, vazhdon të ndikojë në trajektoren e jetës sonë? Ndoshta sepse dashuria ka shpikur, shumë përpara fizikës, një fjalë të saj për gravitetin: mallin.
Njutoni na dha ligjin e tërheqjes. Njeriu i dha zemrës një emër tjetër.
Foshnja dhe Udha e Qumështit
—
Mbase poezia ime më e shkurtër është vargu:
Një foshnje pi gji me sytë nga Udha e Qumështit.
Një nga pamjet më të vjetra të Universit: Një foshnjë pi gji. Sytë e saj ngrihen drejt qiellit.
Mbi të shtrihet Udha e Qumështit. Poshtë saj është qumështi i nënës. Lart është qumështi i yjeve.
Foshnja nuk di ende çfarë është galaktika. Nuk di çfarë është graviteti. Nuk di çfarë është drita.
Ajo vetëm pi. Dhe ndoshta ky është mësimi i parë kozmik i njeriut: para se të mësonte të numëronte yjet, njeriu mësoi të pinte. Nëna i jep jetë nga trupi i saj. Universi i jep dritë nga pafundësia e tij.
Një gji poshtë. Një galaktikë lart. Dhe midis tyre: foshnja.
Veza Kozmike
—
Në shumë mite të lashta, universi lind nga një vezë kozmike. Është një nga imazhet më të fuqishme të mendimit njerëzor: Një formë e mbyllur.
Një fillim brenda errësirës. Jeta ende nuk shihet, por është aty. Veza është një univers para lindjes.
Dhe trupi i nënës është gjithashtu një univers i tillë. Brenda errësirës së tij rritet një dritë.
Një qenie që ende nuk ka emër. Një zemër që ende nuk e njeh qiellin. Por qielli tashmë është duke u ndërtuar brenda foshnjës.
Këtu metafora bëhet pothuajse e frikshme: Veza kozmike dhe veza e nënës janë dy imazhe të të njëjtit mister: jeta që ruhet përkohësisht në errësirë për të dalë në dritë.
Gjeometria e krijimit
—
Ndoshta për këtë arsye format më të mëdha të universit dhe format më të vogla të jetës na duken çuditërisht të afërta.
Galaktika. Veza. Drita. Mbreti i errësirës. Foshnja. Hëna. Eklipsi. Spiralja. Gjiri. Orbita. Dashuria.
Nuk janë të njëjtat gjëra. Por imagjinata njerëzore i vendos në të njëjtën hapësirë. Sepse ne kërkojmë gjithmonë një lidhje midis grimcës dhe pafundësisë.
Albert Ajnshtajn shkroi: “Zoti nuk luan me zare.” Po, ndoshta Zoti nuk luan me zare. Ndoshta luan shah. Jo sepse çdo lëvizje shahu është e paracaktuar, por sepse çdo lëvizje ndryshon marrëdhënien midis të gjitha figurave. Një gur lëviz dhe hapet një vijë. Një mbret tërhiqet dhe mbrojtja ndryshon. Një figurë sakrifikohet dhe loja merr një kuptim tjetër.
Në shah, ashtu si në univers, asgjë nuk qëndron vetëm. Çdo trup është pjesë e një fushe. Çdo lëvizje ka pasojë. Çdo afrim krijon një mundësi. Çdo largim ndryshon hartën. Ndoshta rendi i universit nuk është një lojë fati, por një lojë marrëdhëniesh: një shah i pafund ku drita, hija, koha dhe materia lëvizin në heshtje mbi të njëjtën tabelë. Më 2004 botova vëllimin poetik “Lojë shahu në shekullin XXI”, i cili u prit mjaft mirë dhe për të cilin shkruan disa nga penat më të njohura të letrave shqipe. Para disa muajsh botova librin e ri “Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep”. Pra, loja e shahut pas më shumë se dy dekadash u rikthye si metaforë përfaqësuese…
… Uitman, çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep
Dhe zbres në globin tonë me kuadrate:
paralele prerë nga meridianet
Dhe ti çdo mëngjes me një gur shahu në xhep,
me një fije bari në buzë
zbret për lojën e epokës globale.
Globi: skakierë me shpuzë.
Uitman, ju keni mendje të kthjellët: mëngjes oqeani
Rri para jush kokëulur – stërnip i devotshëm,
kësulë vese mbi një Fije bari.
– Luaj, bari im, luaj ti i pari!…
Falmëni nëse në ajër vizatoj pikëpyetje
dhe shirat i kthej në pikëçuditëse!…
– Luaj, bari im mbi lapsa bari!..
Ne duam të besojmë se pas kaosit ekziston një strukturë. Se pas lëvizjes ekziston një orbitë. Se pas errësirës ekziston drita. (Drita rri në Errësirë si fara). Se pas largimit ekziston kujtesa. Se pas vdekjes së një forme mund të lindë një formë tjetër.
Kur fizika bëhet metafizikë
—
Fizika pyet: Si lëviz universi? Metafizika pyet: Pse ekziston universi?
Fizika mat dritën. Metafizika pyet çfarë do të thotë të shohësh.
Fizika mat largësinë e Hënës. Metafizika pyet pse na dhemb largimi.
Fizika përshkruan eklipsin. Poezia pyet pse errësira mund të jetë e bukur.
Dhe ndoshta pikërisht këtu ato nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ato janë dy mënyra për të parë të njëjtin mister.
Metafizikë trishtimi
Trishtimi nuk qan.
Rri ulur në një karrige dhe pret –
dikush ta quajë me emrin e vet.
Në dhomë ka një dritare,
por jashtë saj
qielli ka harruar të jetë qiell.
Një pikë drite
bie mbi tryezë
dhe s’thyhet.
Ndoshta drita
ka qenë dikur një lot.
Ndoshta loti
ka qenë dikur një yll
që s’gjeti dot
rrugën për në qiell.
Trishtimi s’ka trup,
por zë një karrige.
Nuk ka duar,
por hap letrat e vjetra.
Nuk ka gojë,
por kur bie nata
na pyet:
ku shkojnë
ata që s’kanë më
ku të kthehen?
Në fund
mbetet vetëm Heshtja.
E marr në duar.
Është e rëndë.
Për herë të parë kuptoj:
edhe zbrazëtia
ka peshë.
Dhe dashuria?
—
Në fund të gjithë këtyre orbitave, numrave, hijeve, yjeve dhe vezëve, mbetet njeriu. Një grimcë e vogël.
Një trup që jeton për pak kohë. Një sy që ngre kokën drejt qiellit. Një dorë që prek një dorë tjetër. Një mbret Drite gdhendur në zemrën e Errësirës. Një nënë që ushqen foshnjën me sytë nga Udha e Qumështit. Një njeri që pret dikë që po largohet.
Dhe papritur kuptojmë: dashuria ka të njëjtën gjeometri me universin. Ajo tërheq. Ajo largon. Ajo krijon orbita. Ajo krijon eklipse. Ajo vendos hije midis dy dritave. Dhe, herë pas here, i vendos dy njerëz në një vijë të përsosur. Vetëm për një çast. Pastaj ata largohen përsëri. Por çasti mbetet. Ashtu si eklipsi. Ashtu si drita e një ylli që mund të ketë vdekur prej miliona vjetësh, por ende mbërrin te syri ynë.
Ndoshta kjo është gjeometria e fundit e dashurisë: ajo mund të humbasë trupin, por jo gjithmonë dritën.
Dhe ndoshta universi është pikërisht kjo: një dritë që vazhdon të udhëtojë edhe pasi burimi i saj ka mbetur larg.
Sot m’u shfaq Perëndesha e Mjegullës:
i dukeshin vetëm sytë dhe majat e gjinjve
Dhe një bistak rrushi shkëputur prej pjergullës
lëngëzonte mes dritës dhe hijeve
Dy sytë dhe majat e gjinjve…
Sot m’u shfaq Perëndesha e Mjegullës:
i dukeshin dy buzë dhe dy kupat e gjinjve
Dhe një yll i vogël pikuar prej ëndrrës
ia falte trupit floririn e kallinjve.
Dy buzë dhe dy kupat e gjinjve…
Dy sy, dy buzë, dy gjinj, rrush dhe kallinj
Dhe unë i hutuar mes mjegullës
nuk di nëse shkoj apo vij…
Dashuria, im zot, Dashuria…
Poeti vazhdon të gdhend Dritë në zemrën e Errësirës.