Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Kosovës.
Marrëveshja u njoftua të hënën e 31 gushtit nga kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku, pas takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurti.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar, jemi dakorduar për një emër – dhe, ai është prof. dr. Bekim Sejdiu”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, pra besimi që më kanë dhënë të dy partitë politike”, tha Sejdiu para mediave.
Bekim Sejdiu është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka shërbyer edhe në diplomacinë kosovare, përfshirë si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork.
Reagimet për kandidaturën e Sejdiut
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mirëpret marrëveshje për presidentin.
Haxhiu, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjem e cilësoi si “hap shumë të rëndësishëm” drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve.
“Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Pas njoftimit për kandidimin e Sejdiut, ish-presidentja Vjosa Osmani – që ka marrë pjesë në të gjitha rundet e negociatave mes LVV-së dhe LDK-së për president – vlerësoi figurën e Sejdiut.
Osmani, tha se Sejdiu përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon posti i kreut të shtetit.
Sipas saj, Sejdiu i njeh sfidat e Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për të.
LVV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar një sërë rundesh bisedimesh, fillimisht për një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Por, negociatat për të arritur një ujdi për bashkëqeverisje, në të cilën LDK-ja e Abdixhikut kërkonte përfshirje në ekzekutivin e ri dhe postin e presidentit, dështuan.
Më 13 gusht, Abdixhiku njoftoi se kishte hequr dorë nga të gjitha kushtet formimin e institucioneve, duke thënë se partia e tij do të mbështesë një kandidat konsensual, jopartiak për president.
Më pas, Kurti dhe Abdixhiku nisën bisedimet të përqendruara në postin e presidentit, fillimisht duke u pajtuar për profilin e një figure të tillë, dhe javën e kaluar njoftuan se kanë biseduar për emra konkretë – por, s’dhanë detaje të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë thënë se do të qëndrojnë në opozitë dhe nuk janë përfshirë në bisedime.
Marrëveshja për çështjen e presidentit u vendos si kusht nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, për formimin e institucioneve, duke lënë të papërfunduar seancën konstitutive të legjislaturës së njëmbëdhjetë që nisi më 6 gusht.
Pas nisjes së seancës konstituive, Kurti ka kërkuar kohë shtesë për bisedime për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin, para se të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.
Tani, me arritjen e marrëveshjes për presidentin, duket se rruga për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë është hapur, me Abdixhikun që gjatë konferencës për media përkrah Sejdiut dhe Kurtit, kërkoi që “pa vonesa” të konstituohet Kuvendi dhe të formohet ekzekutivi i ri.
Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.
Megjithatë, që votimi për presidentin e ri të Kosovës të jetë i vlefshëm kërkohet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende.
Së bashku me 18 mandatet e LDK-së, janë të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.