KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një tryezë diskutimi në Prishtinë rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku.
Të pranishëm në takim ishin edhe figura kryesore politike të Luginës, përfshirë deputetin në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Fokus i takimit ishte diskriminimi institucional, sfidat e përditshme dhe veçanërisht pengesat financiare me të cilat përballen shqiptarët atje.
Gjatë fjalës së tij, Kurti dënoi bllokimin e fondit prej mbi 2.1 milionë eurosh që mbulon 186 projekte dhe organizata, si dhe 61 familje të nxënësve që kanë humbur prindërit. Shefi i qeverisë theksoi se pasojat e këtij bllokimi prekin drejtpërdrejt fëmijët me nevoja të veçanta, studentët, gazetarët dhe trashëgiminë kulturore.
Kryeministri në detyrë u ndal edhe te vizita e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në vendbanimet me shumicë serbe në Luginë, duke e cilësuar si tregues të qartë të shtypjes shtetërore.
Ai denoncoi përdorimin e gjuhës stigmatizuese ndaj shqiptarëve dhe kontrastin e thellë në punësim, ku shqiptarëve u vendosen barriera, ndërsa serbëve u promovohen vende pune edhe në strukturat e inteligjencës.
“Nuk mjafton që një shqiptar nga Presheva të trajtohet mirë në Prishtinë, duhet të ketë të drejta edhe në Preshevë. Nuk mjafton që një student nga Bujanoci të ketë sukses në Kosovë, duhet të ketë perspektivë edhe në Bujanoc. Parimet evropiane duhet të vlejnë edhe për shqiptarët atje.”, u shpreh Kurti./Dosja.al