Një video në gjuhën italiane prej mbi 9 minuta qarkulloi në media e në rrjetet sociale dhe sigurisht në mjetet e propagandës zyrtare të qeverisë. Po ashtu ky tekst “i përkthyer” në shqip i shërbeu ATSH dhe mediave pranë qeverisë ta përcillnin të plotë dhe me të gjitha nuancat politike dhe ideologjike përmbajtjen e një reagimi të Jola Hysaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit ku ishte mbivendosur një koment i kryeministrit Edi Rama:- “Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temjanit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre”.
“Global Sumud Flotilla” ose një treshe anijesh me vela e nisur nga Brindisi i Italisë drejt Vlorës shkaktoi më shumë interes dhe shqetësim njëherësh tek kryeministri se sa 84 ditët e pandërprera të protestës. Shkaktoi më shumë interes dhe shqetësim tek kryeministri edhe pse popullsia e Divjakës vazhdon protestën në ditën e 24 që kur Reforma Territoriale ka sugjeruar se Lushnja mund të ketë nën administrim bregdetin duke e shkrirë bashkinë e Divjakës. Divjaka është në rrezik prej skemës territoriale të Rilindjes Socialiste mes 15 të tjerave që janë sugjeruar të shkrihen dhe ku po provohet çdo ditë se një hartë territoriale për shkak të rënies ndjeshëm të numrit të popullsisë (mplakja, ulja e lindshmërisë lëvizja e lirë brenda vendit dhe emigracioni), do të jenë zgjidhja dhe sigurimi i listave votuese për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2027 në favor të partisë në pushtet, PS, patronazhistëve, taksëmbledhësve e gjobëvënësve, administratës “shembullore” që paguhet për ti shërbyer elitës së Rilindjes Socialiste.
Për përfaqësues të Flotiljes u përdor një përplasje në mediat sociale kryesisht për të përpunuar trendin e ndjekësve ose algoritmin që kryeministri rama e ka që nga ditët e para të protestës. U p
7rcollën gjithashtu edhe lajme dhe u dhanë intervista me titujt që përfaqësues të Flotiljes “Global Sumud” nuk u lejuan të flisnin në shesh në një kohë kur udhëtimi prej mbi 20 orësh nga Brindisi në Vlorë ishte cilësuar si një Solidaritet me Revolucionin e Flamingove.
Pikërisht mbi këto pikëprerje të mesazheve strategët e propagandës së Ramës urdhërojnë drejtoreshën e AKT Hysaj që të kujdeset pë mikpritjen, çarmatosjen me informacion dhe së fundi të dalë me një reagim në gjuhën italiane se për Sazanin nuk ka projekt, nuk është pronë e shitur ose:-“Po të kishin parapëlqyer faktet ndaj sloganeve, do të kishin zbuluar se Sazani është shëndoshë e mirë. Por pse ta lejojmë realitetin të na prishë një karusel të bukur në Instagram? Gjithsesi, mirë se erdhët në Shqipëri. Këtu çdokush është i lirë të protestojë, të kritikojë dhe madje të tregojë absurditete. Por, po e përsëris, askush nuk duhet ta përdorë ferrin e përjetuar nga populli palestinez për të fabrikuar një emergjencë të rreme mbi një ishull që këta vizitorë as nuk deshën ta vizitonin. Rrugë të mbarë drejt Tiranës dhe argëtim të këndshëm me Revolucionin tuaj imagjinar! Kur më në fund të duan ta shohin Sazanin dhe të njohin faktet, dera jonë do të mbetet e hapur. Ndërkohë, Sazani mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: shqiptar, publik, shëndosh e mirë. Nuk është në shitje. Nuk ka qenë kurrë në shitje.“
Kjo mbyllje e mesazhit përkonte me fundin e reagimit të cilit në sfond i duket se i ka rënë nata.
Kjo teknikisht të jep të kuptosh se sa herë është prapësuar mesazhi për të përfunduar aty se ku i dukej më goditës Ramës.
Në fakt ideja se … Por pse ta lejojmë realitetin të na prishë një karusel të bukur në Instagram? i shërbeu Ramës për ta ndërkombëtarizuar pak veten.
Ndërsa drejtoresha Hysaj, me siguri ka patur më shumë trend në media kur kaloi nga PD tek PS se sa tani në anijen plot vrima të Rilindjes Socialiste dhe kur kryeministri në këtë fazë formatimi të qeverisë shkruante:-“Gjithësesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për “pritën” e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit”.
______
*ATSH-Jola Hysaj Reagimi:-ERDHËN PËR TË “SHPËTUAR” SAZANIN. POR NUK SHKUAN AS NË SAZAN.