Ekzaltimi e komunistëve andej e këtej kufirit shqiptaro-shqiptar, lidhur me propozimin e z. Haradinaj që z. Thaçi të marrë postin e presidentit të Kosovës është i natyrshëm pasi i përgjigjet plotësisht standartit dhe filozofisë së tyre që pushteti lind nga gryka e pushkës.
Por duke ditur historinë e marrëdhënieve politike mes tyre, ky propozim merr forme qesharake, pasi dihet që z.Thaçi po përballet me akuza të rënda për krime në Hagë dhe ende nuk mund të bëhet një prognozë për rezultatin e atij gjyqi.
-Nga ana tjetër dihet tashmë ambicia e z. Haradinaj për postin e Presidentit të Kosovës, por që pesha e subjektit të tij politik është thuajse e papërfillshme e me këtë rast ai nuk ka hallin e Thaçit, të cilin me zë e figurë e ka akuzuar për ndarjen e Kosovës (çka në gjuhë juridike ligjërisht përbën tradhëti kombëtare), por të sigurojë mbështetjen e deputetëve thaçistë, për të qenë ai vetë president.
-E vërteta është se Kosova po kalon një periudhë të veshtirë e të panatyrshme për zgjedhjen e presidentit dhe përgjegjësia i takon të gjithë klasës politike e më shumë mazhorancës, por kjo s’do të thotë të hidhen në treg ide të parealizueshme që bien në kundershtim me kushtetutën e Kosovës.
-Komandantët duhet të bindin veten se Kosovën e çliroi Nato, e komanduar nga SHBA dhe se kontributi i tyre s’është mohuar asnjëherë, por që dhe është shpërblyer disa fish dhe se pushteti nuk mund të merret në tavolinë, por duhet të japin kontributin e tyre për zgjedhjen e presidentit, pasi eshte dhe atribut i tyre dhe një detyrim kushtetues.
Minimalisht ata duhet të dëgjojnë këshillën e mikut të Kosovës në kohën e luftës e pas saj ish zëdhënësit të departamentit të shtetit dhe asistent i Presidentit Clinton James Rubin, i cili iu rekomandoi Krahut të Luftës të lënë mënjanë politikën dhe të lejojnë Kosovën të ecë para në rrugën e zhvillimit, të shtetformimit e prosperitetit.
Shembuj ka plot. Mjafton t’i referohen gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili preferoi të mbetet një hero lufte( dhe çfarë heroi) dhe të refuzonte postin e presidentit apo çdo post tjetër politik.
Dhe a e dini se sot ai hero punon me nder dhe dinjitet ne një sipërmarrje peshkimi në Kroaci .
Ndiqeni atë shëmbull!
Foto: Gjenerali kroat Ante Gotovina, i cili i qëndroi besnik uniformës së tij, dhe nuk pranoi të përfshihej në politikë, për çfarë do lloj posti përfshi dhe atë të Presidentit te Republikës.

Screenshot