
E Mërkurë, 08.10.2011, 11:15am (GMT+1)
Mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, ka arritur edhe një sukses të madh në karrierë. Shaqiri 19-vjeçar është zgjedhur lojtari më i mirë i vitit në Zvicër. Ceremonia e shpalljes së më të mirëve të vitit, e njohur ndryshe si nata e 14-të e futbollit zviceran, është mbajtur të hënën mbrëma në stadiumin “Stade de Suisse” në Bernë. Anëtari i Baselit, Shaqiri, vitin e kaluar u shpall lojtari më i mirë i ri i Zvicrës, ndërsa nga ajo kohë ka përparuar edhe më shumë. Ai fitoi në konkurrencë me Gokhan Inlerin dhe Diego Benaglion. Shaqiri është futbollisti i parë shqiptar që shpallet më i miri i vitit në një vend evropian.
“Jam shumë i gëzuar që u shpalla më i miri. Jam ende i ri, 19 vjeç, dhe ky çmim do të thotë shumë për karrierën time. Por, ky nuk do të jetë çmimi i fundit për mua. Unë po punoj shumë që të përparoj edhe më shumë si futbollist. Dua të fitoj shumë tituj e shumë trofe”, ka thënë Shaqiri të martën për gazetën. Futbollisti i lindur në Gjilan thotë se e ka merituar të shpallet më i miri.
“E kam ditur që jam njëri prej tre të nominuarve për çmimin e lojtarit më të mirë. Por që do të fitoja nuk e kam ditur, ani pse gjasat që të shpallesha më i miri i kam pasur reale. Mendoj se jam shpallur më i miri me meritë. Kam pasur një stinor shumë të mirë”, ka shtuar Shaqiri.
Zgjedhja e më të mirëve është bërë përmes votave në sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Zvicrës. Nominimin e më të mirëve e ka bërë një komision prej 80 anëtarëve, që përbëhej nga 40 gazetarë, 20 trajnerë dhe 20 ish-futbollistë të përfaqësueses së Zvicrës.