Në Shqipëri kemi një regjim hybrid antishqiptar që fatmirësisht ka ngritur në këmbë Gjeneratēn Z me diasporën e plot e plot shqiptarë të shtetit amë që kërkojnë ndryshim, dorëheqjen e Ramës dhe largimin e klasës politike të 36 viteve tranzicion.
Në Kosovë mbahen zgjedhje të lira e të ndershme, fiton VV me aleatë, që e kanë shumicën me partitë e pakicave joserbe me e votu presidentin e Republikës, por e njëjta Kushtetutë që cakton numrin e votave për ta shpallur konstitucionalisht legjitim presidentin e Republikës, e njëjta Kushtetutë e pengon me kuorumin prej 80 deputetësh dhe krijon preçedent për puç kundër rendit kushtetues sepse e hedh në erë votën e Sovranit dhe zgjedhjet e lira, pasi ngërçi presidencial delegjitimon edhe parlamentin edhe qeverinë për votimin e së cilave VV me aleatë i kanë votat.
Mjerisht nuk po del asnjë grup të urtësh intelektualësh, si Anton Çetta me shokë që t’i bëjnë thirrje Parlamentit e popullit të Kosovës të mbajnë mbi shpatulla përgjegjshmërinë që u takon.
Populli ta mbrojë votën e opozita të njohë rezultatet.
Sepse kjo lojë e pisët e opozitës kundër Republikës së Kosovës po luhet live.
PDK ka mbetur peng i Hagës!
LDK ka mbetur peng i klanit të Përparim Ramës si atavizëm e PDK-së.
Çdo deputet i opozitës i Kuvendit të Kosovës të mos kujtojë se po e fut kokën në ranë si struci dhe po i fshihet detyrimit kushtetues.
Kuorumin nuk mund ta kthejnë në dhunë dhe agresion kundër sistemit demokratik. Edhe të humbasin zgjedhjet, edhe të diktojnë lojën e ndyrë me bojkot, si sulm direkt kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Mungesa e vullnetit të mirë dhe mungesa e dashurisë për vendin e tyre i nxjerr deputetët e opozitës në dritë të diellit, emër për emër, si puçistë kundër institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.
Krizat institucionale kundër sistemit që i ka diktatuar një opozitë humbëse e pesë palë zgjedhjeve e dënuar nga Sovrani si një kastë dhe old establishment i korruptuar që vuri në rrezik sovranitetin e shtetit të Kosovës mirëpritet si nga Edi Rama ashtu edhe nga Beogradi.
Kjo na bën të hamendësojmë se opozita e Kosovës për shkak të hipotekave të së shkuarës është gati të bëjë konçesione sikur provoi Hashim Thaçi, kur e shkeli vizën e kuqe. Rezultati dihet si ndryshoi avioni drejtimin ndërsa opozita po e diskretiton veten.
Por VV me aleatë duhet të mos mbeten peng i hipotekave të opozitës sepse nolens volens bëhen vegël e tyre, kur kostoja lidhet direkt me interesin kombëtar, me sigurinë afatgjatë të Kosovës e rajonit, por edhe me humbjen e besueshmërisë.
Si zgjidhet kriza?
Shumë lehtë, nëse Kuvendi përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës për Republikë Sovrane e të Pavarur.
Krizën e zgjidh kandidatura e një presidenti jo politik, por konsensual, propozuar nga opozita.
Nëse opozita i bishtnon prapë si dhelpër obligimit të saj dhe nuk propozon një kandidat për një president unifikues, emër të nderuar, të aftë e me reputacion të pastër, atëherë duhet të dalë menjëherë VV me aleatë me një kandidat jo politik, një emër që gëzon simpati e respekt të padiskutueshëm mbarë tek opinioni publik, që ta detyrojë opozitën, të jetë pjesmarrëse në kuorum.
Albin Kurti të mos vonohet, të dalë publikisht e të presë kandidaturën apo kandidaturat konsensuale nga opozita dhe nëse opozita nuk pranon, në vijim të qendrimit antagonist ndaj sistemit demokratik, atëherë Albin Kurti të propozojë menjëherë në publik kandidaturën konsensuale jopolitike.
E si nuk paska kjo Kosovë një emër të denjë, kur ai Parlament asht plot me emra të padenjë që e lënë Kosovën në krizë institucionale, duke poshtruar dhe injoruar institucionin e tre palë zgjedhjeve të lira e të ndershme që ka mbajtur Kosova në 16 muaj.
Mjaft e sfilitët dhe mos e zhgënjeni popullin e Kosovës që ju dha votën.