Këto ditë, ndërkohë që po merrem me transkiptimin e dokumentacionit arkivor në lidhje me marredheniet mes Shqipërisë dhe UK (të mbledhura në vitin 2005 në PRO/TNA) në periudhën e parë të Luftës së Ftohtë, u ndesha edhe me një raport të hollësishem mbi gjendjen e Shqipërisë në vitin 1949.
Eshte raporti i anëtarit britanik të Misionit të ICJ në Hagë që inspektoi Shqipërinë.
Dokumenti është një përshkrim dramatik i mjerimit në vend. Por ajo që më spikaste më së shumti ishte paragrafi i fundit: përshtypja e përgjithshme e anëtarëve të Misionit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Hagë, kur u larguan nga Shqipëria, me 31 janar 1949, pas një jave intensive hetimi në lidhje me Incidentin e Kanalit të Korfuzit, në të cilin, regjimi komunist vrau në mënyrë të qellimshme, 44 marinarë të Royal Navy dhe plagosi 42 të tjerë.
Në fund të raportit voluminoz, Komandanti E.R.D. Sworder shkruan:
“Me përjashtim të kapitenit bullgar (pjesë e ekspeditës së zhvilluar në Sarandë, Tiranë etj.), çdo anëtar i Misionit të Gjykatës, si edhe çdo anëtar i ekuipazhit të avionit K.L.M., ishte i lumtur që po largohej nga Shqipëria.
Ata kishin ndjesinë se ishin përfshirë në diçka të errët dhe të pakuptueshme.
Ndërsa avioni kalonte mbi bregdetin shqiptar, anëtari suedez i Misionit, Forshell, u kthye nga unë dhe tha:
“Nuk kam qenë kurrë kaq i lumtur që po largohem nga një vend.
Mendoj se sapo pamë një copëz ferri.””
(Dokumenti gjendet në: TNA FO 371/78230, R 2716/1271/90 , Report on the Tour of the International Court Mission to Sebenik, Yugoslavia and Saranda, Albania, 23 January to 1 February 1949, by Ty, Act, Commander E.R. D. Sworder O.B. E. D.C.S. R.N.V.R.)
Historia e Shqipërisë dëshmon se disa familje politike të ndërtuara mbi trashëgiminë e besnikërisë kokëfortë ndaj parardhësve damtuer, pa një ndjenjë patriotike të zhvilluar në dimensionin e mirëfilltë nacional dhe jo mbi arsyen e të mirës publike, kanë dështuar vazhdimisht në qeverisjen e vendit.
Megjithatë, në vend që të tërhiqen pas dështimit, ato rikthehen pareshtur me aradhat e tyre të edukuara mbrapsht, duke pretenduar se janë të pazëvendësueshëm. Për veten ndërtojnë ishuj privilegji, blloqe; për shumicën e shqiptarëve lënë pas një shtet të dobët, mundësi të kufizuara dhe shpresa të venitura, një ferr jete dhe përspektive, nga i cili duhet vetëm të largohesh, për të shpëtuar së paku fëmijet.
Ky ishte fati edhe i një brezi shqiptarësh që në vitin 1990 ishin 20 vjeçarë gjithë shpresë dhe qendruan në Atdheun që vijon t’i përjashtojë, pas 36 vitesh, në pragje pensionimi, etj..
Drama e Shqipnisë së mjerë: irracionaliteti dhe negativiteti në trajtimin e qytetarëve nga ato që janë ngarkuar për t’u shërbyer, keqbërja dhe grabitja kthyer në model përparimi i individit praktik të regjimentuar, një shtet që në vend që vendoset në funksion të bashkëkombasve, imponon që qytetaret të vendosen në rradhët e bindura të planifikimit idiotesk të elitave plaçkitëse.
Deri Kur?!