REAGIM I UNIONIT TË GAZETARËVE SHQIPTARË PROFESIONISTË TË DIASPORËS
Pamjet e ditës së 54-t të protestës qytetare të ‘Revolucionit Flamingo‘ janë ndër më tronditëset që opinioni publik ka parë në vitet e fundit.
Dhuna e ushtruar ndaj qytetarëve, aktivistëve, të moshuarve, personave me probleme shëndetësore dhe gazetarëve përfaqëson një cenim të rëndë të lirive themelore dhe standardeve të një shteti demokratik.
UGSHPD e dënon me forcë përdorimin e dhunës dhe të substancave irrituese hedhur ndaj protestuesve, pasojat e së cilës u panë në trupat e qytetarëve të plagosur. Asnjë pretendim për ruajtjen e rendit publik nuk mund të justifikojë forcën disproporcionale ndaj qytetarëve që ushtrojnë një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventat Ndërkombëtare.
Qeveria Shqiptare nuk mund të fshihet pas deklaratave politike dhe as të shmangë përgjegjësinë për atë që ndodhi.
Kur dhuna bëhet përgjigje ndaj protestës qytetare, kemi të bëjmë me një dështim të rëndë të institucioneve të cilat kanë detyrimin të mbrojnë, e jo të godasin qytetarët. Përgjegjësia nuk është vetëm operative; ajo është edhe politike, morale dhe institucionale.
Po aq i rëndë është edhe fakti që gazetarët dhe operatorët e medias u penguan dhe u ekspozuan ndaj dhunës ndërsa dokumentonin ngjarjet. Sulmi ndaj gazetarëve nuk është vetëm sulm ndaj individëve që ushtrojnë profesionin e tyre; ai është një përpjekje për të kufizuar transparencën dhe për t’i mohuar publikut të drejtën për t’u informuar. Prej këtu mund të nxjerrim konkluzionin se
duna e ushtruar bën që nuk mund të flitet për demokraci, por për diktaturë.
Uniforma e policisë së shtetit në dy rastet e rrethimit të parlamentit ka goditur dhe vepruar në mënyrë jo proporcionale.
Civilë të paidentifikuar janë vënë re gjatë dhe pas protestës se kanë ndaluar me forcë, shantazhuar dhe rrëmbyer persona duke vepruar me tiparet e një narkoshteti, diktaturë e mafias. Protesta rreth Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo mënyrë sjellje dhe reagim i policisë tregon jo vetëm se ky institucion nuk po i përfaqëson as protestuesit dhe as as shqiptarët. Niveli i përgjegjësive të 140 deputetëve për zgjedhësit dhe përpara sovranitetit të vendit ka rënë dhe parësore për ligjbërësit në Kuvendin e Shqipërisë nuk janë kërkesat e protestës që arritën në ditën e 54-rt.
UGSHPD drejton vëmendjen dhe kërkon një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent për çdo akt dhune të ushtruar gjatë protestës, identifikimin e të gjithë përgjegjësve, në çdo nivel të zinxhirit komandues, dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Mosndëshkimi i dhunës shtetërore krijon precedent të rrezikshëm.
UGSHPD shpreh solidaritetin e plotë me qytetarët e lënduar, aktivistët dhe kolegët gazetarë që u përballën me dhunë gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrës së tyre.
Dita e 54-t e protestës do të mbetet një njollë e rëndë për institucionet shqiptare, nëse përgjegjësit nuk mbajnë llogari. Demokracia nuk mbrohet me shkopinj, gazra irrituese apo represion. Ajo mbrohet duke respektuar ligjin, lirinë e shprehjes, të drejtën për protestë dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Heshtja përballë kësaj dhune nuk është neutralitet; është dështim institucional.
23 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
—–
——
UGSHPD ose Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (në gjermanisht Verband albanischer Berufsjournalisten der Diaspora oder VABD) – është një Shoqatë e Pavarur Gazetarësh Profesionistë Shqiptarë që veprojnë në Diasporë e që mban qendrime ndaj zhvillimeve në Shqipëri, trevat shqiptare e jashtë tyre ku shtrihet Mërgata. Është e regjistruar në Zvicër.