- Mbështetja e regjimit shovinist, racist dhe hegjemonist serb është padrejtësi e madhe, gabim i madh dhe llogaritje e gabuar
Deklarata e ministres serbe Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët nuk është asgjë e re dhe as befasuese. Ajo është vazhdim i përpjekjeve shekullore të politikës shoviniste, raciste dhe hegjemoniste serbe për zhdukjen e shqiptarëve.
Projektet për eliminimin e shqiptarëve dhe grabitjen e tokave të tyre nga serbët janë të shumta. Ato fillojnë me Naçertanijen e vitit 1844, vazhdojnë me Memorandumin e vitit 1937 të Çubriloviqit, “Dëbimi i shqiptarëve”, me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986 dhe kulmojnë me operacionin “Patkoi” të viteve 1998–1999, të organizuar nga regjimi i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq.
Çubriloviqi i përshkruan në detaje të gjitha format dhe mënyrat e realizimit të planeve çnjerëzore serbe. Ai e thotë hapur se “ekzistenca e kombit serb varet nga mosekzistenca e kombit shqiptar”. Duhet theksuar se të gjitha planet serbe janë produkt i përbashkët i regjimeve shtetërore, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Fatmirësisht, falë rezistencës heroike shekullore të popullit shqiptar në forma të ndryshme, e cila u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimin e Serbisë nga NATO-ja në vitin 1999, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve dështoi me turp dhe përfundimisht. Por ëndrrat e kota serbe, të manifestuara edhe në deklaratën e fundit të ministres serbe Paunoviq, vazhdojnë.
Shihet qartë se një pjesë e madhe e popullit serb, edhe pas bombardimit dhe humbjes së katër luftërave mizore, nuk është liruar ende nga mitet dhe mashtrimet e një klase të sëmurë politike, e cila e sundon duke e ushqyer me urrejtje ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.
Gabim shumë i madh i shteteve perëndimore, pas mundjes ushtarake të Serbisë në vitin 1999, ishte mungesa e “denazifikimit” të shoqërisë serbe dhe e çlirimit të saj nga urrejtja ndaj kombeve të tjera dhe nga mitet e vdekura të mesjetës.
Bashkësia Evropiane, së bashku me Amerikën, vazhdon me politikën e gabuar dhe të dështuar të përkëdheljes së regjimit serb, të udhëhequr nga bashkëpunëtori i Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, për interesa iluzore gjeostrategjike të tërheqjes së Serbisë nga kthetrat e Rusisë. Regjimi serb po e shfrytëzon këtë situatë në mënyrë të pamëshirshme dhe të pakufishme.
Këtë e vërtetojnë edhe reagimi i zbehtë i zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anitta Hipper, si dhe reagimet e lehta të shumë përfaqësuesve të shteteve perëndimore, me përjashtim të ndonjë deputeti apo mendimtari me parime të forta njerëzore. Mungojnë plotësisht veprimet konkrete ndëshkuese ndaj deklaratës çnjerëzore të ministres serbe Paunoviq.
Ata kanë dështuar ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për aktet terroriste të Banjskës dhe kanalit të ujit Ibër-Lepenc, për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe për destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga ana tjetër, bëjnë presione të padrejta mbi Kosovën për të bërë lëshime shtesë e të njëanëshme ndaj Serbisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Kosovës për zbatimin e ligjit dhe rregullit demokratik në veri, të cilat u hoqën vite më vonë.
Standardi i tyre i dyfishtë është tronditës. Mbështetja e regjimit shovinist, racist dhe hegjemonist serb është padrejtësi e madhe, gabim i madh dhe llogaritje e gabuar. Njerëzit e mirë të Ballkanit, përfshirë serbët e mirë, mund të shpresojnë vetëm që një ditë, më shpejt sesa më vonë, politikanët e BE-së dhe SHBA-së do të lodhen nga mitet, gënjeshtrat dhe manipulimet serbe.
Në të njëjtën kohë që një zyrtar i lartë i regjimit kriminal serb kërkon shkatërrimin e një populli të tërë, Evropa po hap kapituj të rinj për hyrjen në Evropë, ndërsa Amerika jonë e dashur po hap kapituj dialogu strategjik me të. Çfarë sjelljeje jodiplomatike! Kjo vetëm sa e inkurajon Serbinë të vazhdojë me ideologjinë dhe agresionin e saj nazist në Evropën Juglindore. Komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miliona shqiptarë në mbarë botën janë thellësisht të zhgënjyer.
Deklarata e ministres Paunoviq, është fyese, kriminale dhe shumë e rrezikshme. Qëllimi i saj është mashtrimi i votuesve serbë në zgjedhjet e ardhshme dhe tërheqja e vëmendjes së ndërkombëtarëve nga veprimet destruktive të regjimit të Vuçiqit, i cili nuk merr asnjë masë ndaj saj, por tani paraqitet si “lider konstruktiv i përkushtuar ndaj paqes”. Serbia po kërkon dhe po përgatitet për luftë. Priftërinjtë serbë po luten për luftë. Është koha për ata që e duan paqen të zgjohen.
Reagimi i shtetit amë dhe i kryeministrit jolegjitim, të korruptuar, proserb të Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pavlerë dhe i turpshëm. I njëjtë është edhe mosdeklarimi apo deklarimi bosh i përfaqësuesve të disa partive dhe i një pjese të shtypit në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare. Vetëm shpallja e Paunoviqkës si person i padëshiruar nga Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ngritja e padisë nga Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla-Schwarz kanë vlerë dhe kuptim të vërtetë.
Një gjë është më se e qartë. Shumë diplomatë dhe politikanë ndërkombëtarë po përpiqen ta zgjidhin konfliktin e krijuar vetëm nga Serbia duke i dhënë Serbisë atë që dëshiron në kurriz të Kosovës. Kjo nuk është e pranueshme. Populli i Kosovës, i udhëhequr nga udhëheqësi i tyre i pakorruptuar, i fortë dhe demokratik, Albin Kurti, po e kundërshton këtë padrejtësi me votat e tyre dhe në mënyrë paqësore.
Ky popull i shumëvuajtur është mirënjohës dhe respekton mbështetjen për çlirimin nga Serbia të Amerikës dhe shteteve demokratike evropiane, por nëse detyrohet prej tyre të humbasë lirinë dhe pavarësinë e tij, atëherë ndihma e tyre bëhet e pavlerë. Kombi shqiptar e do sinqerisht Amerikën dhe Perëndimin, por e do lirinë më shumë se këdo ose çdo gjë tjetër në botë. Liria dhe pavarësia nuk janë të negociueshme.
Le ta marrin vesh të gjithë, shqiptarët kombëtarë dhe jokombëtarë, si dhe të gjithë ndërkombëtarët me qëndrime dhe interesa të ndryshme: pa ndëshkimin e kriminelëve serbë, largimin e qeverisë shoviniste, raciste dhe hegjemoniste serbe dhe denazifikimin e asaj pjese të popullit serb të ngarkuar me urrejtje ndaj të tjerëve, nuk do të ketë kurrë qetësi, siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Ballkan. Pikë.
Agim Aliçkaj
New York, 22 Korrik 2026