Para më shumë se 12 vjetësh, publicistja e talentuar, Zonja Elida Buçpapaj, pati botuar një Ese, në të cilën bëhej fjalë për hebrenjtë që jetonin në trojet shqiptare gjatë Luftës II Botërore. Në një takim që ajo ka pasur asokohe në Zvicër me zonjën Johanna Naumann, qytetare hebraike me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qe emocionuar tej mase nga rrëfimi i saj, prandaj Esenë e pati titulluar “Johanna Naumann, zonja që i tregoi botës se moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”.
Në bisedë e sipër, Zonja Naumann ja çfarë pati rrëfyer:
“Në Europë, hebrenjtë i spiunonin pa të keq, për pak flori, apo për aspak, ndërsa tek shqiptarët, kurrë”.
Pra, ajo zonjë 84-vjeçare ishte duke folur para një publiku zviceran, që po vizitonte ekspozitën “me fotot e fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman. Gershman një tjetër hero. Fotot e mbledhura në Shqipëri, Gershman i përdori në librin ku mbështetet edhe filmi i tij “Besa, Myslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”. E ka fjalën për shqiptarët. Si motiv të filmit Gershman e ka përgjigjen ndaj pyetjes së pamundur – nëse ka njerëz në rruzullin tonë që do ta jepnin jetën e tyre për një të huaj: “Po, ka, – thotë Gershman, shqiptarët do ta bënin” (Gazeta “Telegraf”, 14 maj 2014).
Më 27 janar 2017, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës dhe të Holokaustit, në simbol të atyre qindra mijëra hebrenjve, të vrarë gjatë Luftës II Botërore, Presidenti Bujar Nishani pati dekoruar 35 familje shqiptare që strehuan dhe mbrojtën nga pushtuesit gjermanë familje hebreje. Por Presidenti nuk u ndal absolutisht në një fakt jashtëzakonisht domethënës: në rolin e disa krerëve kryesorë politikë shqiptarë, të cilët, në ato vite të vështira, luajtën një rol vendimtar për mbrojtjen e hebrenjve nga mizoritë e pushtuesve gjermanë, duke i pajisur me pasaporta, si shtetas shqiptarë.
Le të ndalemi në disa të dhëna konkrete.
Së-pari, “…Xhafer Deva ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shpëtimin e hebrenjve, të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe këtë fakt e njohin mirë historianët…” (Citohet sipas: “Xhafer Deva i shpëtoi hebrenjtë”. Faqja e internetit “Dardania Press”. 08 shkurt 2022).
Së-dyti, “Çast i madh triumfi i së vërtetës. Unë sot jam këtu të flas për një aspekt tjetër të Mustafa Krujës, që nuk e pashë se e cekën në këtë takim: atë se ky njeri human, shpëtoi hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur ishte me detyrën e kryeministrit” (Citohet sipas: Marcel Hila. “Mustafa Kruja dhe hebrenjtë në Shqipëri”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 25 janar 2025).
Së-treti, “Komunistët e atëhershëm dhe pasardhësit e tyre në Partinë Socialiste në Shqipëri… nuk e thonë të vërtetën se hebrenjtë u shpëtuan nga Xhafer Deva, në cilësinë e tij si Ministër i Punëve të Brendshme, dhe Kol Bib Mirakaj, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë etnike. Ata refuzuan t’i përndiqnin hebrenjtë dhe, përkundrazi, i pajisën me dokumente shqiptare, duke e udhëzuar popullatën vendase t’i fshehin dhe t’i mbrojnë, pa u ndjekur nga Ministria e Punëve të Brendshme” (Citohet sipas: Gani Geci. “Kush i shpëtoi hebrenjtë?”. Faqja e internetit “Syri”. 27 janar 2026).
Pra, tre personalitetet e njohura politike – Mustafa Kruja, Kol Bib Mirakaj dhe Xhafer Deva – kanë qenë figurat kryesore të viteve të luftës, të cilët, si në asnjë vend tjetër të Europës, në bashkëpunim të ngushtë me popullin shqiptar të Shqipërisë Etnike, manifestuan fisnikërinë dhe mikpritjen proverbiale të kombit tonë në qëndrimin ndaj hebrenjve. Madje Kol Bib Mirakaj, librin e botuar para disa vjetësh, me titull “Vetvrasja e një kombi”, e ka shoqëruar edhe me faksimile dokumentesh, në të cilat u kishte dhënë porosi organeve përkatëse për pajisjen e hebrenjve me pasaporta shqiptare.
Normalisht, pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Dardanisë më 17 shkurt 2008, Izraeli, në nderim të kombit shqiptar, si i vetmi komb në kontinentin tonë, në territorin e të cilit, gjatë luftës nuk ra në duart e nazistëve gjermanë as edhe një qytetar hebre, duhet të kishte qenë shteti i parë që duhej të kishte njohur pavarësinë e Dardansë. Ose, të paktën, të kishte ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç dihet. sapo qe shpallur pavarësia e Dardanisë, Presidenti Xhorxh Bush, megjithëse ndodhej për një vizitë në Afrikë, menjëherë deklaroi njohjen e pavarësisë.
Kishte kaluar pak më shumë se një vit pas deklaratës së Kuvendit të Dardanisë për shpalljen e pavarësisë, kur më 28 prill 2009, Arthur Koll, ambasadori izraelit në Serbi, pati deklaruar se Izraeli nuk kishte ndërmend ta njihte pavarësinë e saj.
Ka qenë sa e çuditshme, aq edhe e pakuptueshme politika e Izraelit ndaj Republikës së Dardanisë, pavarësinë e së cilës e njohu 12 vjet më vonë. Dhe nismën për njohjen e pavarësisë nuk e mori vetë Izraeli. Ishte ndërhyrja e Presidentit Donald Tramp gjatë një takimi me Kryeministrin e Dardanisë, Avdullah Hoti, në Vashington më 04 shtator 2020. Në atë takim, Presidenti Tramp pati lajmëruar se Izraeli dhe Kosova e kanë njohur njëri-tjetrën dhe mes këtyre dy shteteve do të vendosen marrëdhënie diplomatike.
Vetvetiu lindin dy pyetje:
Së-pari, a është ngritur ndonjë përmendore ose ndonjë pllakë përkujtimore në Izrael, në nderim të shqiptarëve, të cilët, gjatë luftës, i patën mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë nga nazistët gjermanë?
Së-dyti, Mustafa Kruja, Kol Bib Mirakaj dhe Xhafer Deva a janë nderuar me ngritjen e shtatoreve madhështore në kryeqytetin e Izraelit?
Nuk kemi asnjë informacion për të marrë një përgjigje pozitive ndaj këtyre dy pyetjeve.
Shqiptarët u janë shumë mirënjohës të gjithë atyre qytetarëve izraelitë, që janë shprehur me shumë respekt ndaj popullit shqiptar, si zonja Johanna Naumann, Norman Gershman, Ana Kohen dhe të tjerë. Kurse shteti izraelit është treguar mosmirënjohës ndaj kombit shqiptar, çka e manifestoi me njohjen e pavarësisë së Dardanisë me 12 vjet vonesë, madje me ndërhyrjen e Presidentit Donald Tramp.
Kaliforni, 30 qershor 2026
———-o———-