Viti 1992 ishte ende i freskët në kujtesën time. Kisha vetëm pak javë që kisha mbërritur në Gjermani. Ishte një kohë e vështirë për ne shqiptarët e Kosovës. Atdheu ynë gjendej nën okupim, ndërsa ne, të shpërndarë nëpër Evropë, përpiqeshim të gjenim njëri-tjetrin, të organizoheshim dhe të mbanim gjallë shpresën për liri.
Një ditë, disa mërgimtarë më treguan për një adresë në Stuttgart. Më thanë se në Königstraße 23 ndodhej Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gjermani dhe Evropë. Më thanë gjithashtu se aty vepronte një burrë që gëzonte respekt të madh në mesin e shqiptarëve, një njeri që jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare.
— Quhet Hafiz Gagica, — më thanë.
Emri i tij më mbeti në mendje.
Pas pak ditësh, së bashku me një mikun tim, vendosëm ta takonim. Nuk kishim paralajmëruar askënd. As telefon, as takim të caktuar. Kishim vetëm adresën e shkruar në një copë letër dhe dëshirën për të njohur njerëzit që po mbanin gjallë organizimin shqiptar në mërgim.
Udhëtimi me tren zgjati disa orë. Për ne, që sapo kishim ardhur në Gjermani dhe nuk dinim pothuajse asnjë fjalë gjermanisht, gjithçka dukej e madhe dhe e panjohur. Kur zbritëm në Stuttgart, mbajtëm letrën në dorë dhe nisëm të pyesnim kalimtarët.
Disa ngrinin supet dhe vazhdonin rrugën. Të tjerë ndaleshin dhe përpiqeshin të na ndihmonin. Pas shumë pyetjesh, kthesash dhe kërkimesh, më në fund arritëm në Königstraße.
Kur pamë numrin që kërkonim, zemra na rrahu më fort.
Për herë të parë, në mes të Gjermanisë, po hynim në një vend ku flitej shqip dhe ku rrihte zemra e organizimit shqiptar.
Shtypëm zilen.
Pas pak sekondash u dëgjua një zë që na ftoi të hynim.
U ngjitëm me nxitim shkallëve dhe në katin e dytë gjetëm një derë të hapur. Aty na priti Sali Çekaj. Përshëndetja e tij ishte aq e ngrohtë, sa menjëherë u ndjemë sikur kishim hyrë në një shtëpi shqiptare.
Brenda pamë Donika Gërvallën dhe Zymer Lulajn. Të dy na pritën me buzëqeshje dhe respekt. Në zyrë mbretëronte një atmosferë pune, por edhe një frymë familjare që rrallë e gjeje nëpër institucione.
Ndërsa po pinim kafenë që na ofruan, dera e një zyre tjetër u hap.
Një burrë shtatlartë, me fytyrë të qeshur dhe me një shikim të qetë e të mençur u afrua drejt nesh.
Na shtrëngoi duart me ngrohtësi.
— Mirë se keni ardhur! Unë jam Hafiz Gagica.
Në ato çaste nuk po shihja thjesht një drejtues politik.
Po shihja një njeri që rrezatonte besim.
Një njeri që të bënte menjëherë për vete me thjeshtësinë e tij.
U ul pranë nesh dhe filloi të bisedonte sikur të njiheshim prej vitesh. Nuk pyeti vetëm kush ishim. Ai donte të dinte si jetonim, çfarë punonim, çfarë mendonim për Kosovën dhe çfarë mund të bënim për të.
Ai fliste me qetësi, por në çdo fjali ndjeje forcën e bindjes së tij.
Kur fliste për Kosovën, sytë i ndizeshin.
Kur fliste për Presidentin Ibrahim Rugova, ndihej respekti i thellë që kishte për të.
Kur fliste për lirinë, dukej sikur ajo ishte një realitet që e shihte tashmë përpara vetes.
Atë ditë mësova shumë më tepër sesa kisha pritur.
Mësova se mërgata nuk ishte vetëm një bashkësi njerëzish larg vendlindjes.
Ishte një front i tërë pune.
Një ushtri pa armë.
Një organizim që jetonte me idealin e lirisë.
Kur u larguam nga ajo zyrë, nuk ishim më të njëjtët njerëz që kishim hyrë aty disa orë më parë.
Kishim marrë me vete frymëzim.
Kishim marrë përgjegjësi.
Kishim marrë besim.
Pak javë më vonë themeluam Aktivin e LDK-së në qytetin ku jetonim. Brenda një kohe të shkurtër, mbi njëqind bashkatdhetarë iu bashkuan aktivitetit tonë.
Dhe në çdo hap të atij organizimi ndihej ndikimi i Hafiz Gagicës.
Vitet kalonin.
Takoheshim në tubime, në mbledhje, në veprimtari kombëtare dhe kulturore.
Por me kalimin e kohës marrëdhënia jonë nuk mbeti vetëm në kuadër të aktivitetit politik.
U bëmë miq.
Miq të sinqertë.
Ai ishte i pranishëm edhe në orët letrare që organizonim në Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani.
Shpesh vinte në shtëpinë tonë bashkë me bashkëshorten.
Bisedat me të zgjasnin me orë.
Fliste pak për veten.
Shumë për Kosovën.
Edhe më shumë për njerëzit.
Një ditë, gjatë një dreke familjare, tha me buzëqeshjen e tij karakteristike:
— Sa do të doja të bëhesha një ditë kumbar i shtëpisë suaj.
Askush nuk e dinte atëherë se koha nuk do t’ia plotësonte atë dëshirë.
Vitet sollën sprova.
Një kohë u gjenda në spital për shkak të sëmundjes.
Pikërisht atëherë mësova se edhe Hafizi po luftonte me një sëmundje të rëndë.
Për një kohë vazhduam të flisnim në telefon.
Zëri i tij mbeti po ai.
I qetë.
I matur.
Optimist.
Por dita-ditës sëmundja po fitonte terren.
Kur mora lajmin e largimit të tij nga kjo botë, ndjeva një boshllëk që nuk mbushet lehtë.
I thashë bashkëshortes sime:
— Lale, sot paskemi humbur edhe një mik të madh.
Dhe vërtet ashtu ishte.
Nuk ishte larguar vetëm një mik.
Ishte larguar një epokë.
Një njeri që për dekada kishte qenë shtyllë e organizimit shqiptar në Evropë.
Një njeri që kishte mbajtur hapur derën e shpresës për mijëra bashkatdhetarë.
Një njeri që kishte ditur të bashkonte, jo të përçante.
Sot, sa herë kujtoj ato shkallë në Königstraße 23, më del përpara fytyra e tij.
Buzëqeshja e tij.
Shtrëngimi i dorës.
Zëri i tij i qetë.
Dhe bindja e palëkundur se Kosova do të bëhej e lirë.
Për shumë njerëz, Hafiz Gagica ishte veprimtar.
Për të tjerë, organizator.
Për mua, ai mbeti lokomotiva e mërgatës shqiptare.
Një burrë që ecën përpara kohës së vet dhe që la pas gjurmë që nuk i fshin as harresa, as vitet.
Sepse njerëzit e tillë nuk jetojnë vetëm në histori.
Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që patën fatin t’i njohin.