Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të premten, 29 maj, se aleanca “është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat”, pas një incidenti ku një dron rus goditi një pallat banimi në qytetin Galați të Rumanisë.
Në një postim në platformën X, Rutte tha se ka biseduar me presidentin rumun Nicușor Dan dhe i ka shprehur atij “solidaritetin e plotë” të NATO-s pas ngjarjes, e cila la të plagosur dy civilë.
“Ne do të vazhdojmë të rrisim gatishmërinë tonë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë edhe dronët”, u shpreh ai, duke shtuar se sjellja “e pamatur” e Rusisë përbën rrezik për të gjithë dhe se pasojat e luftës në Ukrainë “nuk ndalen në kufi”.
Deklaratat e tij erdhën pasi ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Țoiu, e cilësoi sulmin me dron si një “përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm” nga Rusia, ndërsa NATO njoftoi se po forcon masat e mbrojtjes.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, konfirmoi se Bashkimi Europian po përgatit paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Moskës.