Vladimir Beja, ish-komandant i Flotës Detare, theksoi se mes Shqipërisë dhe Greqisë mungon reciprociteti dhe respekti i ndërsjellë për të shqyrtuar çështjen e detit. I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ai e cilësoi Greqinë si një partner të vështirë, kur bëhet fjalë për Shqipërinë.
Beja krahasoi negociatat me Greqinë me marrëveshjen e arritur me Italinë në vitin 1992, duke vlerësuar korrektësinë e palës italiane dhe suksesin e asaj marrëveshjeje, e cila sipas tij nuk është kundërshtuar nga organizmat ndërkombëtarë.
“Ndarja me Italinë ka qenë shumë e vështirë për palën shqiptare se ne ishim pak partizanë në atë kohë. Teknologjia jonë ishte e dobët. Sot nuk është më kjo gjë. Shqipëria nuk është vendi i ‘89 apo ‘92. Kemi 16 vjet që ne diskutojmë marrëveshjen me Greqinë për arsye se Greqia është partner i vështirë sidomos me Shqipërinë se mungon minimum i reciprocitetit. Pala italiane ka qenë korrekt me ne, ne ishim shtet i mbyllur. Ishte komunikimi i parë që bëja me admiralët italianë. Ata janë sjellë korrekt dhe na afruan matje teknologjike të kohës që gabimi midis nesh të ishte sa më i vogël, fakti që nuk është kundërshtuar as nga organizatat ndërkombëtare apo ligji, kufiri me Italinë është ndarë në mënyrë të përsosur. Sot Shqipëria gëzon një det territorial nga OKB, 8 mijë kilometra katrorë. Deti territorial ka konceptin dhe mbrojtjen juridike njësoj si toka. Me Greqinë kemi hasur vështirësi.”, tha ai.
Ai tha se marrëveshja e vitit 2009 dështoi për shkak të papërgatitjes së palës shqiptare dhe tentativës për ta zgjidhur çështjen politikisht, ndërsa shtoi se Greqia kërkon të rihapë diskutimet për kufijtë që nga viti 1920.
“Marrëveshja e 2009 ka dështuar se ne ishim të papërgatitur përsëri dhe donin ta zgjidhnim në mënyrë politike. Së parë ne jemi në pozita inferioriteti në bisedime, mungon reciprociteti, respekt për të dy palët. Më e rënda është se Greqia kërkon të fillojmë nga e para që nga 1920. Pra nuk kemi pasur kufij me Greqinë, thotë Greqia, ndërkohë që kufijtë tanë i kanë dhënë fuqitë e mëdha. Janë rikonfirmuar edhe në incidentin e Ngushticës së Korfuzit nga gjykata e Hagës.”, u shpreh ai.
Ish-komandanti i Flotës Detare kritikoi edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke përmendur një nen të hequr për ligjin për kufirin.
“Unë mendoj se zgjidhja është në palën greke duhet të jemi më reciprocitet, në linjë profesionale të dyja palët nuk duhet të ketë probleme të hiqet dorë se Shqipëria nuk ka pasur kufij me Greqinë. Si mund të ruash kufirin kur ti nuk di se çfarë kufiri paske. Edhe delegacioni në 2009 e pranoi këtë gjë, madje bënë edhe gabime kushtetuese. Në ndryshimet kushtetuese të 2008 ne kemi hequr një paragraf, që mund të ndryshohet integriteti territorial. Ndërkohë të gjitha kushtetutat e vendeve të ndryshme kufijtë janë të patjetërsueshëm. Është hequr nga kushtetuta.
Pas kushtetutës u hoq ligji për kufirin 87, 71. U hoq ky ligj dhe si u hoq, u miratua pas pak muajsh miratohet një ligj për kontrollin e kufirit dhe neni i fundit heq ligjin për kufirin. Pra ligji për kontrollin e kufirit heq nenin për kufirin. Prandaj u pranua plani grek. Ministria e jonë e jashtme e firmosi ashtu siç ia dha planin. Është pranuar plani grek. “, shtoi ai.