“Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës aktualisht nuk është operacional”. Ky ishte mesazhi qendror i kuptuar nga konferenca për shtyp e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi të Premten e 22 Majit, 2026. Ishte një mesazh i cili mund të përmbyllte tërësisht kuptimin e të gjitha problemeve se përse në Lagunën e Nartës, aeroporti i ndërtuar mbi Zonën e Mbrojtur Mjedisore ende nuk i ka nisur fluturimet.
E vendosëm të tillë ndërtimin e argumentit pasi në asnjë rast gjatë 30 min të konferencës me gazetarët se as nga njëra palë dhe as nga tjetra (qeveria dhe media), nuk u bë asnjë pyetje dhe nuk u shtjellua asnjë ide për mbrojtjen e botës së gjallë pikërisht në Lagunën e Nartës, aty ku qeveria ka rrëmbyer brutalisht tokën nga Zona e Mbrojtur Mjedisore për të ndërtuar një projekt infrastrukturor koncesionar që nuk po ka ditë për përfundimin e tij në horizont. Por ama një vit më parë Aeroporti i Vlorës u përdor për propagandë politike me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 Majit, 2025 nga partia në pushtet, ashtu sikurse, tunelet, korridoret strategjike rrugore që shumë shpejtë u vunë nën provën e shembjeve dhe përmbytjeve të shpeshta.
Po përse në konferencë u fol ose u drejtuan pyetje për t’u sjellë rreth e rrotull pa zgjidhje për shkak të procedurave ligjore që do të kalohen dhe u numëruan;
– siguria kombëtare
– humbjet ekonomike
– imazhi i Shqipërisë turistike
– pronësia
– infrastuktura
– konfliktet ligjore mes aksionerëve
– paralizimi i jetës së banorëve të zonës
– punësimi…
Ose u fol pasi u bënë pyetje në këtë konferencë edhe mbi të tjera çështje si;
-Hekurudha Tiranë, Durrës dhe degëzimin në Rinas
– Autostradën Thumanë-Kashar
– Portin e Porto Romanos
– çmimin e naftës
– autostradën Milot-Balldren
– zgjerimin e autostradës Tiranë Durrës për një segment 6 km…
Dhe përsëri kur u shkua tek pyetja se kur do të nisin fluturimet, Karakaçi përgjigjet se:-“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është shumë e qartë për rëndësinë strategjike që ka aeroporti i Vlorës dhe do marri të gjitha masat e nevojshme që pavarësisht çdo mosmarrëveshje civile që kanë dy palë private që janë pjesë e koncesionit ë pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve Ministria do marri të gjitha masat që lejon kontrata e koncesionit që ta bëjë operacionale në përputhje me kushtet e kontratës edhe ë patjetër për këtë do veprojmë sipas asaj që referon legjislacioni fuqi ë dhe kontrata koncesionare. E kam të pamundur në këtë moment që unë do të them një afat pasi ne jemi në fazë le të themi vlerësimi të kushteve të kontratës koncesionare dhe nuk dua që të prononcoj një afat që mund të ishte e gabuar”.
Pra me sa kuptojmë pas fillimit të punimeve në 2021, afati tre vjeçar i parashikuar nga qeveria për fillimin e fluturimeve dhe i ngritur si çështje në çdo debat elektoral parazgjedhor lokal dhe të përgjithshëm sikurse edhe në çdo hapësirë të mundëshme në media do të rezultonte i përfunduar dy herë tani që po i afrohemi 2027-ës. Mirë që kjo nuk ndodh dhe fjala korrupsion nuk dëgjohet kërkund, por ajo që marrim nga konferenca është sipas Karakaçit:-“E kam të pamundur në këtë moment që unë do të them një afat pasi ne jemi në fazë le të themi vlerësimi të kushteve të kontratës koncesionare dhe nuk dua që të prononcoj një afat që mund të ishte e gabuar”, këtu kuptojmë fare qartë se ku ndodhemi me projektet politike dhe ekonomike të pushtetit dhe sa të lidhura bashkë janë dhe mbeten ato me çështjet e korrupsionit ku shpërdorimi i detyrës dhe hedhja në erë e parave të taksapaguesve shqiptarë nuk kanë fare rëndësi.
Ndërsa në këto 6 vite mes propagandës, mburrjes dhe lëvrimit të fondeve ende nuk dihet se:
-Kush vendos?
-Kush e mbulon shpërdorimin e parave?
-Kush e frenon kohën dhe zhvillimin?
-Kush i mbikëqyr konferencat e ministrave?
Për ta kuptuar bëhet pikërisht e qëllimshme kjo vendosje e sjelljes së fakteve me ligjin sepse në të tillë masë është përplasja dhe se është mëse e vërtetë se ajo që ka ndodhur me largimin Belinda Ballukut nga pozicioni i zv/kryeministres dhe ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë në 6 Mars, 2026 kur i dorëzoi detyrën e ministrit Enea Karakaçit duke u shprehur se:-“Më vjen keq, që situata ime personale ka krijuar vonesa në proceset jetësore të ministrisë që duhet të performojë, më vjen keq që kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton, për shkak të gjitha rezultateve që ka sjellë”, nuk konsiderohet ende si një pjesë e kostos dhe e vonesave.
Megjithëse për çdo politikan dhe administrator të shtetit kur drejtësia troket, dihet se ajo kërkon sqarimin e rrethanave. Hapja rrugë, pra dorëheqja dhe zhveshja nga imuniteti janë norma elementare të mbarëvajtjes së çdo procesi ligjor ku hetimet dhe akuza përballen me mbrojtjen, gëzohet prezumimi i pafajësisë deri sa jepet vendimi përfundimtar nga gjykatat.
Për rastin në fjalë propaganda zyrtare dhe mediat pro pushtetit vazhdojnë të mjegullojnë faktet sikurse edhe të anashkalojnë dy problemet kryesore për kohëzgjatjen e ndërtimeve në Aeroportin e Vlorës.
1- Korrupsioni, i cili ka lindur që me grabitjen e tokës në Zonën e Mbrojtur Mjedisore të Lagunës së Nartës, dhe 2- Çfarë përgjigje ka dhënë ose ka sot qeveria për mbrojtjen e biodiversitetit të zonës?
Kaq të pafuqishme janë sot mediat për të bërë pyetjen se : –Përse shteti shqiptar nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e BE-së mbi mjedisin që ky aeroport të mos ndërtohet(?) sa që edhe gjatë një konference për shtyp këto fakte dhe probleme themelore nuk adresohen.
Mediat kënaqen sikur edhe ATSH-ja që rëndësinë për lajmin e jep në çdo rast interesimi dhe pjesëmarrja e kryeministrit. Për rastin në fjalë interesi i Ramës ka qenë i madh pasi në rrjetet sociale edhe nga distanca e largët si Tokio, ai di t’i hedhë sinjalet.
Por pavarësisht këtij frenimi të qëllimshëm duhet të tregojmë me forcë, me profesionalizëm dhe me zë qytetar për të mbrojtur të drejtën se për Lagunën e Nartës Zonë e Mbrojtur ka disa dokumente kryesore që prej kohësh bashkë me ruajtjen e gjendjes së “egër” të Lumit Vjosa, përforcojnë se mbeten parësore mbrojtja e një habitati unik në Mesdhe me rreth 200 lloje zogjsh, si dhe mbi 70 lloje gjallese që janë të rrezikuara.
Kujtojmë këtu se ‘ndryshimi i kufijve të parkut për të akomoduar pistën është i paligjshëm’ sipas Komisionit të BE-së dhe Konventës së e Bernës.
Gjithashtu Rezoluta e Parlamentit e 12 korrikut 2023 pas Raportit të Komisionit të vitit 2022 për Shqipërinë kërkoi ‘ndalimin e punimeve të ndërtimit’, të një aeroporti në Lagunën e Nartës. Duke parë mos reagimin e qeverisë shqiptare gjatë muajve Shtator dhe Dhjetor të vitit 2023, Konventa e Bernës kërkoi zyrtarisht që:-‘ndërtimi i aeroportit të pezullohej’.
Në gjithë këtë paraqitje qoftë edhe pas një konference për shtyp që nuk bëhet më fjalë mbi ‘Lagunën e Nartës” e jo më të drejtohet një pyetje, kuptohet qartë se në gjashtë vite propagandë që me nisjen e projektit, shpenzimi i parave dhe i energjive dhe pikërisht ky lloj partneriteti publik-privat për koncesionet kanë falimentuar për shkak të korrupsionit.
Çdo zë i organizatave mjedisore dhe i shoqërisë civile është shuar. Madje dhe protesta e PPNEA-s , Euronatur etj. që kanë ngritur zërin se që prej fundit të muajit Prill se :-” buldozerët dhe ekskavatorët kanë shkatërruar pyjet bregdetare, duke hequr dunat dhe duke hapur rrugë në habitate të paprekura në zemër të kësaj zone të mbrojtur”.
Qeveria Shqiptare duhet të ndalojë menjëherë ndërtimet dhe t’i marrë seriozisht angazhimet e saj ndaj BE-së!
Kuvendi i Shqipërisë nga ana e vet ka mundësinë të vërtetojë sinqeritetin dhe bashkëpunimin me lojë të ndershme me partnerët evropianë.
24 Maj, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)