Kryeministri Kurti kujton të civilët e vrarë nga makineria kriminale e Milosheviçit:
“Përkujtojmë mbi 120 civilë shqiptarë, të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës.
Më 14 maj 1999, fshati Qyshk dhe fshatrat përreth, u sulmuan nga forcat e armatosura të Serbisë. Pasi i ndanë nga gratë dhe fëmijët, burrat i dërguan në tri shtëpi dhe i vranë. Pastaj iu vunë flakën shtëpive me trupat brenda.
Dje përkujtuam masakrën në Korishë. Më 13 maj 1999, u vranë 77 civilë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.
Në javët e para të majit 1999, makineria ushtarake e policore e Serbisë po marshonte në Kosovë me projektin gjenocidal “Patkoi”.
Më 1 maj 1999, në Nabërgjan të Pejës, i vranë 17 civilë. E nga data 1 deri më 18 maj gjithsej kanë vrarë 31 civilë, nga 13 deri në 95 vjeç.
Në mbrëmjen e 2 majit 1999, forcat kriminale serbe filluan terrorin sistematik ndaj popullatës civile shqiptare e cila po lëvizte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme. Brenda dy orësh, 116 shqiptarë u vranë mizorisht.
Më 3 maj 1999, në oborrin e shkollës në Bukosh u pushkatuan 25 burra dhe djem shqiptarë. Forcat policore të Serbisë i ekzekutuan ata pasi i ndanë nga kolona e banorëve të dëbuar nga fshatrat e Suharekës.
Më 8 maj 1999, në Saradran të Istogut, 18 civilë u vranë nga forcat ushtarake e policore të Serbisë. Po atë ditë, gjatë dëbimit për në Shqipëri, në Carrabreg të Deçanit, kriminelët serb i vranë 8 banorë të fshatit Kashicë të Istogut.
Ndërmjet 7 dhe 11 majit 1999, në komunën e Gjakovës u vranë mbi 100 martirë, fëmijë, të rinj, gra, burra e pleq, viktima të dhunës gjenocidale të Serbisë në Kosovë.
Për këto krime të rënda, drejtësia ka qenë tepër e ngadaltë. Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, bashkë me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të marrin dënimin e merituar. Kosova nuk mund të falë e as të harrojë krimet që shteti i Serbisë kreu gjatë luftës në Kosovë. Sepse Serbia e deshi tokën tonë pa neve. Por ne jemi ende këtu, dhe së bashku po e forcojmë Republikën tonë. Po ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të kaluarën, që asnjë brez tjetër të mos rrezikojë të përjetojë atë që ne kemi mbijetuar.
Sot kujtojmë martirët e Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit. Çdo ditë kujtojmë sakrificat e mëdha për çlirim.
Lavdi të gjithë të rënëve, martirëve e dëshmorëve të kombit!”