“Shqiptar i vlefshëm dhe ndêra e djelmnisë Shkodrane”
At Gjergj Fishta OFM
At Anton Harapi:
“Burrit vërtetë burrë, L. Gurakuqit, i cili me kulturën e neltë shpirtnore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombëtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”, – dedikimi i veprës “Andrra e Prêtashit” kushtue Luigj Gurakuqit.
Fan s. Noli per Luigj Gurakuqin:
“Është pionier i qytetërimit përëndimor në Shqipëri, një nga shqiptarët e flaket që thithi me themele kulturën e Përëndimit dhe si njeriun që punoi më gjate e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellur farën e saj në Shqipëri.” –
Fritz Radovani: Luigj Gurakuqi ishte politikani ma i besueshem i Veriut te Shqipnisë dhe kryesisht i Maleve tona. E kjo ka mundesi me kenë edhe arsyeja pse e vrau tradhëtisht Ahmet Zogu.
Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925)
Ishte veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet. Hero i Popullit Shqiptar.
Një nga personalitetet ma të shqueme të levizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë.
Ka përjetue ngjarjet ma kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda.
Luigj Gurakuqi kur ishte student ka shkrue nder kujjtime:“Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue Baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e Malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kishte pa“.
Luigji ishte ndër nxanësit ma të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare i shfaqen prirjet për gjuhën shqipe dhe krijime letrare, vjershën e parë e ka shkruar 13 vjeç. Prej Kolegjës Saveriane doli më 1897.[5] Ma vonë plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi përgjithë jetën; ai ishte nxanësi i parë shqiptar aty. Takimin me ‘të, Gurakuqi e kujton:
«… tue pà syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkëlqeshin, tue e përmendë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé…”
Diplomën e pjekunisë e merr në Kozencë për sciences naturelles, tue pasë ndjekun dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli (Itali) në Fakultetin e Mjeksisë në vitet 1901-1906[3][5] ku njohu Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit. Veprës së Skiroit Luigji do t’i përpilonte një parathanie, të cilën Konica do ia paraqiste botës frënge me një përkthim fort të bukur në të përkohshmen “Albania”. I përpimë nga ajo frymë që i kushtohej Shqipnisë detyrohet me lanë studimet përgjysmë që t’i kushtohej valës së luftave për lirinë kombëtare tue marrë emnin e tyne në pseudonimin Lekë Gruda.
Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bani të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershënimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare.
Sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota «gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár».
Mrlbourne 11 Maji 2026. Vazhdon Pjesa e dytë.