Darka me gaforre mbretërore në Tokën e Zjarrit, më pas nisja e kroçerës: në bord ndodhej tashmë një bartës i virusit, por u deshën 30 ditë për të zbuluar infeksionin.
Ka përfunduar “Odiseja Atlantike” e anijes MV Hondius, e cila mbërriti këtë mëngjes në portin e Granadilla de Tenerife, në Ishujt Kanarie, nën masa të rrepta sigurie sanitare. Udhëtimi ishte organizuar nga kompania holandeze Oceanwide Expeditions, e specializuar në ekspedita në zonat ekstreme të planetit, nga Arktiku në Antarktidë.
Ajo që ishte prezantuar si një kroçerë luksoze, me çmime nga 16 mijë deri në 25 mijë euro për person u shndërrua në një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore: tre persona humbën jetën, dy prej tyre në bord, të paktën pesë të tjerë rezultuan të infektuar me një variant të rrallë të hantavirusit dhe dhjetëra pasagjerë të tjerë konsiderohen kontakte të mundshme me rrezik transmetimi.
Si nisi gjithçka?

Anija me hantavirus mbërrin në Spanjë
Ngjarja besohet të ketë nisur në Ushuaia, në skajin jugor të Patagonisë. Para nisjes së kroçerës, pjesa më e madhe e ekuipazhit, 61 persona në total, darkuan së bashku në një restorant lokal. Në bord do të hipnin më pas 88 pasagjerë nga 23 vende të ndryshme.
Dyshimet paraprake përqendrohen te një çift të moshuarish holandezë, viktimat e para të virusit. Sipas mediave lokale, ata kishin vizituar një zonë grumbullimi mbetjesh pranë Ushuaias për të vëzhguar zogj grabitqarë. Në atë zonë jetojnë edhe të ashtuquajturit “minj me bisht të gjatë”, të konsideruar bartësit kryesorë të variantit andin të hantavirusit, i vetmi ndër 38 variantet e njohura që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.
Kujtimi i shpërthimit të vitit 2019
Argjentina kishte përjetuar një shpërthim serioz të hantavirusit edhe në vitin 2019, në fshatin Epuyen. Atëherë, një person infektoi pesë të tjerë gjatë një feste ditëlindjeje që zgjati vetëm 90 minuta. Bilanci përfundimtar ishte 34 raste dhe 11 viktima, me një normë vdekshmërie prej 32 për qind.
MV Hondius u nis më 1 prill për një itinerar që përfshinte Ishujt Sandwich, Tristan da Cunha, Shën Helenën, Ascensión dhe Kepin e Gjelbër. Pasagjerët kishin zgjedhur këtë udhëtim për të vëzhguar specie të rralla shpendësh dhe gjitarësh detarë.
Pesë ditë pas nisjes, një pasagjer holandez 70-vjeçar filloi të shfaqte simptoma: temperaturë, dhimbje koke dhe diarre të lehtë. Fillimisht u mendua si grip sezonal, por gjendja e tij u përkeqësua shpejt për shkak të problemeve respiratore. Ai ndërroi jetë disa ditë më vonë.
Trupi i tij mbeti në bord deri më 24 prill, kur anija ankoroi në ishullin Shën Helena, në mes të Atlantikut. Atje u zbrit edhe bashkëshortja e tij 69-vjeçare, së bashku me 28 pasagjerë të tjerë që u kthyen në vendet e tyre në mënyrë të pavarur.
Gruaja e viktimës së parë udhëtoi drejt Afrikës së Jugut, ku tentoi të hipte në një avion të KLM-së për Amsterdam. Ajo u ndalua para nisjes së fluturimit për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe më pas ndërroi jetë në spital.
OBSH në kërkim të kontakteve
Më 27 prill, një tjetër pasagjer britanik u shtrua në spital në Afrikën e Jugut, ndërsa një pasagjere gjermane humbi jetën në bord një ditë më pas.
Vetëm më 2 maj autoritetet konfirmuan nga Johanesburgu se bëhej fjalë për variantin andin të hantavirusit, i konsideruar më i rrezikshmi për njerëzit. Deri në atë moment, shumë pasagjerë kishin udhëtuar tashmë drejt vendeve të ndryshme, përfshirë Zvicrën, Kanadanë, Singaporin dhe SHBA-në.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur gjurmimin ndërkombëtar të kontakteve dhe lëvizjeve të tyre.
Ndërkohë, pasagjerët që mbetën në bord u izoluan në kabinat e tyre deri në mbërritjen në Ishujt Kanarie.
Operacioni i zbarkimit në Tenerife
Ndalesa e fundit e anijes ishte Kepi i Gjelbër, ku u zbritën tre persona të infektuar, mes tyre edhe mjeku i bordit. Ata u transportuan menjëherë drejt Holandës për trajtim.
Pas kësaj, anija vazhdoi drejt Tenerife-s, pasi OBSH i kërkoi Spanjës të organizonte operacionin përfundimtar të zbarkimit. Pasagjerët, të konsideruar “kontakte me rrezik të lartë”, edhe pse pa simptoma, do të transferohen nën mbikëqyrje të fortë sanitario-ushtarake drejt aeroportit të Tenerife Jugut për t’u kthyer në vendet e tyre./ Përshtatur nga Corrire della Sera