Në kuadër të platformës së diskutimeve “Bisedë në studio”, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) zhvilloi një bashkëbisedim me Adriatik Lapaj, themelues i Lëvizjes Politike “Shqipëria Bëhet”.
Biseda u karakterizua nga një seri pyetjesh dhe debat mbi situatën politike në Shqipëri dhe sfidat e opozitës.
Gazetarja Elida Buçpapaj ngriti pyetjen e qëndrimit të forcës politike që ai përfaqëson ndaj krimeve të komunizmit, si dhe nevojën për një qartësi më të madhe institucionale mbi këtë kapitull të së kaluarës. Ajo u ndal gjithashtu te domosdoshmëria e bashkimit të opozitës, duke theksuar se sfida nuk qëndron te vullneti për bashkim, por te mënyra konkrete e realizimit të tij.
Nga ana e tij, gazetari Artan Kutra adresoi dimensionin ndërkombëtar, duke pyetur mbi qëndrimin e Lëvizjes politike “Shqipëria bëhet” në lidhje me kërcënimet e Iranit ndaj Shqipërisë.
Gazetarja Alba Kepi ngriti pikëpyetje mbi natyrën dhe rezultatin e protestës 107 ditore para Kryeministrisë, duke kërkuar një vlerësim tnga Lapaj nëse ajo përbënte një dështim, një tërheqje apo qe pjesë e një strategjie të ardhshme elektorale. Po ashtu, ajo kërkoi një përkufizim më të qartë të profilit ideologjik të kësaj lëvizje politike, nëse ajo frymëzohet nga e majta apo nga idelaet e djathta
Gazetari Skënder Buçpapaj u ndal me pyetjen e tij tek roli i elitës shqiptare, si në atdhe ashtu edhe në diasporë, duke kërkuar një vlerësim më realist mbi ndikimin dhe besueshmërinë e saj në proceset demokratizuese, sidomos në kontekstin e marrëdhënieve të saj me politikën.
Një qasje më krahasuese solli gazetari Genc Burimi, i cili ngriti çështjen se pse, pavarësisht një konteksti të favorshëm politik, nuk është arritur ende të fitohet mbështetja e shumicës së qytetarëve. Ai solli si shembull rastin e Francës dhe ngriti diskutimin mbi mungesën e një fenomeni të ngjashëm në Shqipëri.
Ndërsa gazetari Ardi Murraj rikujtoi angazhimin e mëparshëm të Lapajt me diasporën dhe periudhën e gjatë të protestës, duke kërkuar një pasqyrë mbi strategjinë në vijim, si dhe mbi mundësitë konkrete për të sfiduar dhe zëvendësuar partitë tradicionale në skenën politike shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme e debatit u fokusua te format e veprimit opozitar, përfshirë protestat qytetare dhe efektivitetin e tyre. U shtrua nevoja për të kuptuar nëse këto protesta përbëjnë një mjet presioni real apo kërkojnë riformatim strategjik për të prodhuar rezultat politik.
Gjatë diskutimit u trajtuan gjithashtu tema të rëndësishme si reforma zgjedhore dhe nevoja për garantimin e standardeve të lira dhe të ndershme të zgjedhjeve, si dhe çështja e votës së diasporës, e konsideruar si një element kyç për përfaqësim më të drejtë politik. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjendjes së mediave në Shqipëri, sfidave të pavarësisë së tyre dhe ndikimit të politikës në informimin publik.
Po ashtu, u diskutua mbi qeverisjen aktuale nën kryeministrin Edi Rama, reagimin e opozitës përballë zhvillimeve politike, protestat qytetare dhe alternativat që ofrohen nga forcat e reja opozitare në përpjekje për të sjellë ndryshim në skenën politike shqiptare.
“Rama duhet të kishte ikur që dje” , u shpreh Lapaj.
“Po përse nuk ndodhi?”, pyesin gazetarët e UGSHPD.
UGSHPD, e themeluar në vitin 2021 nga gazetarë nga vende të ndryshme të Europës e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Zvicër, vazhdon të luajë një rol aktiv në nxitjen e debatit publik dhe mbrojtjen e standardeve të gazetarisë. Përmes aktiviteteve të tilla, Unioni synon të fuqizojë zërin e diasporës dhe të kontribuojë në një diskurs më të hapur, kritik dhe profesional mbi çështjet që prekin shoqërinë shqiptare.
Bashkëbisedimi “Bisedë në studio” konfirmoi edhe një herë rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë mes politikës dhe medias profesioniste, duke sjellë për publikun shqiptar një panoramë më të qartë të ideve, sfidave dhe alternativave në skenën politike shqiptare.
.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels Albanais de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)