Nuk është rastësia ajo që më shtyn mbas shkrimit me titull : “Kur do të shkruhet historia si edhe njerëzit e përfshirë në të pa zbukurime dhe as pa shëmtime” të ndalem dhe të shkruaj për strumbullarin e padisë së Gjyqit Special, gjeneral majorin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Bedri Spahiun. Ruaj për të shumë kujtime dhe nga ana tjetër di edhe shumë dëshmi për të. Gjithashtu kam lexuar me vëmëndje të madhe si autokritikën e tij publike e, me akoma më të madhe kureshtje, Testamentin Politik shkruar prej tij.
Do të mundohem të qëmtoj mes tyre domosdo edhe t’i shtroj për diskutim. Në Gjyqin Special Bedriu qe prokuror e Koçi Xoxe kryetar dhe dënuan me akuza shumë të diskutueshme e të përgjithëshme, koka të inteligjencës dhe patriotizmit shqiptar.
Po pas tre vitesh? Në Gjyqin e Koçi Xoxes, Bedriu qe prap prokurori që kërkoi pushkatimin e Koçit, bashkëluftëtarit, bahk’anëtarit të Byrosë Politike, e shumë e shumë bashkë të tjera që e lidhnin me Koçin!
Parimor, mund të thotë ndokush për të. I pa besë ndaj shokëve, mendon ndonjë tjetër. I verbuar në shërbimin besnik ndaj diktatorit, shton një i tretë. Të gjitha këto janë pikëpamje të ndryshme, dakord. Po vetë Bedriu në ç’rrugë arsyetimi na fut me pohimet e tij? Bedriu pohon edhe në vitet e pleqërisë së thellë se “Sikur njëmijë herë të ngjallej Bahri Omari, dhe unë të isha prokuror, me kënaqësinë time do t’a pushkatonja edhe njëmijë herë të tjera, pa urdhërin e Enver Hoxhës. Sa mllef shpreh ky pohim dhe nga ana tjetër sa dhimbje shkakton, tek e gjykojmë sot pohimin e sipërm. Mllefi i tij prej inatçiu të pakorigjueshëm na bën t’a mëshirojmë, (duke u munduar të jemi skajshmërisht të drejtpeshuar ndaj tij), por ama nuk ka se si të mos na e kujtojë për bashkëshoqërim mendimesh fjalën e urtë të lashtë romake e cila thotë se “ Errare humanum est, sed perseverare diabolicum!”
(Të gabosh është njerëzore, kurse këmbëngulja në gabim është djallëzore).
E lemë tashti së gjykuari mllefim e tij dhe analizojmë objektin e dhimbjes sonë. Bedriu pohon me gjakftohtësinë më të madhe se do ta ripushkatonte edhe njëmijë herë të tjera Bahri Omarin edhe pa urdhërin e Enver Hoxnës. Ky pohim i bërë dhe i përsëritur prej tij, sinqerisht na fut në mendime të thella si t’a ruajmë paanësinë e gjykimit rreth personës të tij. Në faqen 27 të Testamentit politik të Bedri Spahiut, të cilin ai i drejton qerverisë me akuzat e tija më 24 janar 1965, ai shprehet: “Ju padis në vënd që t’i zhvilloni hetimet në bazë të sistemit shkencor që është sistemi i Republikës sonë, ju i zhvilloni ato në bazë të sistemit inkuizitor mesjetar, i cili është kategorikisht i ndaluar nga ligjet e Republikës, është cilësuar si faj penal nga këto ligje ,,,” dhe më tutje në SQARIMET e tija vazhdon “Sa shpejt e harruat ku çoi një metodë e tillë në 1946 – 1948?”. Sa kundërthënës Bedri Spahiu prokuror, si edhe plak, i krahasuar me Bedri Spahinë e burgosur. Përgjatë viteve të burgut ai kërkon zbatimin e legjislaciomit shkencor të hetuesisë, po kur del nga burgu dhe e përsërit me shkrim së rishmi pohimin e tij sa sadist e po aq kriminal se si do të vepronte ndaj Bahri Omarit, aty e pranon si normale se po të jepte urdhër Enver Hoxha, nuk duhet patur as më të voglin dyshim, se ai urdhër makabër inkuizicional do të zbatohej nga Bedri prokurori !
Analizojmë tashti kur Bedri Spahiu flet për jallan shahitët (dëshmitarët e akuzës gënjeshtare), dhe në faqen 72 thotë se : “Ju keni veç tjerash edhe shëmbullin e 1948-ës kur të dënuarit u përdorën si dëshmitarë akuze kundër Koçi Xoxes.” E lexoj këtë kalim dhe sikur dikush m’i heq me dorë dhjetrat e viteve, kaluar gjysëm qindvjeçari, nga shtati si dhe nga kujtesa, e më del përpara sikur t’ishte dje zhvillimi i gjyqit të Koçi Xoxes. Mbaj mënd shumë fakte që mund të rikujtoja, si p.sh. kur Koçi deklaroi se kish tentuar prerjen e damarëve që t’u jepte fund torturave e së bashku me to edhe jetës, po do të ndalem në njërin nga momentet kulmorë që lidhet drejtpërsëdrejti me prokurorin e gjyqit, Bedri Spahiun. Koçi Xoxe pat deklaruarse shihte qartë që ishte pré e një komploti të kurdisur kundra tij, duke pohuar se kishte qëndruar rreth dy muaj i lidhur duke iu nënështruar torturave e ç’ishte më e madhja duke i ushtruar trysni të madhe edhe familjes së tij. E Bedri Spahiu, me rrëmbimin e tij karakteristik, i ishte vërsulur duke thënë se ai (Koçi) tashti që iu zbulua plani oriminal s’dimte se ç’thoshte se atë, jo torturuar që s’e kishim, por as me borzilok nuk e kishin prekur! Pra kryehetuesi Bedri Spahiu në këtë rast, me prepotencën që i jepte posti i tij, i bëri të tillë trysni psikologjike të pandehurit Koçi Xoxe sa që ai i revoltuar deklaron se nuk do të fliste më asnjë fjalë. E prokurori i gatshëm replikon duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjtkues, Frederik Nosit, të mbante shënim se si i pandehuri refuzonte të fliste se nuk donte të thoshte asgjë për Titon e kështu t’i dilte zot këtij të fundit (Titos).
I kujtoj ato situata e lexoj se si në “Testamentin” e tij Bedri Spahiu vazhdon e thotë: “Ju padis se në praktikën e punës suaj, ju keni zëvëndësuar parimin sipas të cilit hetuesi duhet t’i provojë të pandehurit akuzën, hetuesit”. (faqe 27 ). Më poshtë thotë. “ … nga pikëpamja e larmisë së metodave kriminale, këta tanët ua kalojnë të tjerëve dhe të gjithë së bashku. Dhe këtë e them unë që kam qenë i burgosur politik edhe në kohën e Zogut, dhe të fashizmit dhe jo vetëm një herë, dhe jo vetëm në një burg (faqe 112)
E ndërpres leximin i tronditur. Nga njera anë kam përpara shkrimet e gazetave që si aktualitet trajtojnë gjetjen e vëndit ku janë pushkatuar 17 martirët e Gjyqit Special. Nga ana tjetër e kam të freskët leximin me akuzën që i drejtonBedri Spahiu, tashmë i burgosur, qeverisë lidhur me mjetet që përdoren kundra të burgosurve. Por nuk ka se si të mos më kujtohet edhe skena kur logjikës së ftohtë dhe rigoroze të Kolë Tromarës në sallën e gjyqit, përfaqësuesi i akuzës Bedri Spahiu duke mos ditur se si t’i kundërvihet, bën gafën e cila nuk e besoj se ka precedent në analet e seancave gjyqësore:rrëmben mbajtësen e mikrofonit dhe matet t’a qëllojë të pandehurin Kolë Tromara! E kjo, në sallën ku zhvillohej seanca e Gjyqit Special në praninë e qindra pjesëmarrësve! E unë tashti, mbas dhjetra vitesh, duke u munduar së bashku me paanësinë më të sdkajëshme, nuk kemi se si të mos i themi vetes: kur në sallë dhe para publikut prokurori nuk e frenon dot veten dhe vepron brutalisht vallë ç’dhunë fizike i ka lejuar vetes përgjatë hetuesisë? Sa kundrathënës qëndrimet si edhe veprimet e Bedri Spahiut si prokuror i Gjyqit Special apo i atij të Koçi Xoxes me Vaskë Kolecin e Pandi Kriston me shokë, krahasuar me predilimet e tija mbasi diktatori e futi në burg!
Në faqen 90 të “Testamentit Politik” Bedri Spahiu pohon: “Në jetën e lirë unë kam lexuar vetëm literaturë marxiste, e asgjë tjetër (faqe 90).”Dhe në vazhdim të po asaj bën edhe pohimin e dytë “Tani unë jam vetë një njeri që dua të njoh dhe, si i tillë, unë jam nxënës vetë i botës, i jetës, i njerëzve.” Këto pohime hapin shumë shtigje diskutimi. Pa dashur të filozofojmë gjatë, shikojmë dy anë të këtij pohimi. E gjithë kultura e tij ishte aq sa kish marrë ai nga literatura marxiste, po ata që u dënuan si armiq të popullit vetëm se nuk ishin bashkuar me L.N.Ҫl. dhe e shihnin se kolaboracioni me kushte me okupatorin u shërbente më mirë interesave të kombit, ç’formacion kishin?Ata jo vetëm marxizmin që e njihnin me themel , por edhe historinë e Revolucioni të Tetorit me të gjitha pasojat e tija negative ndaj Rusisë i njihnin më së miri. Ata e kuptonin edhe rrezikun që paraqiste ndaj vëndit tonë bashkëpunimi me emisarët e Partisë Komuniste sërbe. Nga ana tjetër ata i njhnin shumë mirë edhe zhvillimet historike në Ballkan edhe më gjërë dhe i kishin shumë të qarta pikësynimet ekspansioniste sërbe. Kështu që fushën e zhvillimeve politike si edhe pikësynimet e sllavo – komunistëve ata i kishin shumë më të qarta se Bedri Spahiu me shokë. E megjithatë Bedri Spahiu me gjithë trupin gjykues të kryesuar nga Koçi Xoxe që ishte me plot kupòtimin e fjalës analfabet, i dënuan me vdekje si edhe kalbje në burg ata që mendonin se e keqja më e vogël ishte bashkëpunimi me okupatorin.
Në këtë kuadër do të sjell para publikut fjalët e Patër Anton Harapit thënë në fjalimin e tij kur pranoi detyrën e anëtarit të Regjencës:
“Ja pra, se nji punë e parë u bâ: mbas sa muejsh anarkije, sa të frkshme aq edhe të rrezikëshme, sot- mirë a keq- kemi nj Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeveri, kemi nji auktoritet shqiptar. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrritën me thanë : shka i u desht éatër Antonit me i a hy kësaj pune? Këtyne due t’i u përgjigjem, jo si zyrtar, por si mik, jo për të përligjë vedin, por për të ndritun mendimin t’êm edhe të tyne.
Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojnë se un e mora kët barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e êmja që më shtyni deri ktu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën edhe po u thom se po: manija e Shqipnis, po, qe ajo që më vuni dilemën : a me anarkista për të bâ gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtarë. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të bâj as njênën e as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njênën dysh: a të bâj nji marrí tue e pranue kët zyrë, ase të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa mâ mirë të bâj nji marri: ase – sikurse thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem …”
E solla këtë fragment nga fjalimi programatik i Patër Anton Harapit që lexuesi objektiv, ai që e ka prirjen të gjykojë paanësisht duke u munduar t’i njohë situatat si edhe rrethanat e veprimeve me kurreshtinë e zbulimit të së vërtetës, në vazhdim të jetë i interesuare t’a lexojë të plotë fjalimin e këtij meshtari, patrioti dhe eruditi të madh, (të cilin fjalim, së bashku me shkrimin e sipërm, unë do t’ia ve në dispozicion revistës Kuvendi për botim).
Për t’a mbyllur me analizën e figurës së Bedri Spahiut duke u munduar të kundrohen dhe të drejtpeshohen të gjitha të dhënat në dispozicion, ashtu siç shpresoj se do të bëjnë studjuesit e ardhshëm në drejtim të vlerësimit të historisë si edhe figurave të popullit tonë por pa i paragjykuar ato, po i sjell lexuesit kalimin me të cilin e mbyll Bedri Spahiu Testamentin e tij politik:
“Ju përshëndes sinqerisht , o zyrtarë ligjorë , se unë jam si ai i krishteri që, sa herë që mallkon Zotin, kthehet e bën kryqin se i kujtohet Satanai. Ju përshëndes sinqerisht dhe me respekt të pakushtëzuar edhe i përfaqësues të mendimeve të kundërta me të miat, se unë jam një partizan i tolerancës në fushën e mendimit.”
Nuk po e rëndoj më lexuesin e t’i a filloj nga komenti i rradhëve të mësipërme autografe të Bedri Spahiut. Po e le t’a bëjë ai vetë në e paftë të arsyeshme. Por nuk e di pse këto më kujtojnë figurat e skalitura nga Brechti, Shekspiri apo Dickensi, ku ndërthuren parabolat e personazneve si Arturo U (i gjithpushtetshëmi Al Capone i parë përmes lentes zmadhuese të Chaplinit), me Jagon (personifikimi i dyfytyrësisë veç për hir të xjelozisë pushtetit), si edhe me Uriah Heepin (personifikim i shëmtisë dhe i djallëzimit shkrirë në një).
Për t’a mbyllur edhe me figurën e Bedri Spahiut do t’i rikujtoj lexuesit një figurë si edhe një skenë makabre simbas tregimit të meshtarit i cili ishte i pranishëm në vëndin e pushkatimit:
I lidhur qe Fejzi Alizoti me 16 shokët e tij, të dënuar me vdekje nga Koçi Xoxe me pretencë të B. Spahiut. “Zjarr” thirri komandanti i skuadrës dhe breshëria e predhave i shtriu për tokë të 17 viktimat. Mbas breshërisë, heshtje. Heshtja e vdekjes. Dhe heshtjen e theu zëri i mekur i Fejzi Alizotit: “Zoti më mëshiroi. Falmëni tani edhe ju sipas ligjeve ndërkombëtare”. Avitet Bedri Spahiu, e shikon ashtu të shtrirë për tokë të pafajshëm , të pllangosur me gjak e pluhur e të lidhur me dy të vdekur, dhe me zë sadisti që kurrë me gjak nuk u ngop, i thotë: “Nuk njohim ligje ndërkombëtare, ne njohim ligjet tona” Nxierr koburen e tij dhe qëllon gjitjë mllef atë kufomë akoma të gjallë”.