Zvicra ka pesë fqinj: Lihtenshtajni, Austria, Italia, Franca dhe Gjermania. Respektivisht një fqinj të vogël, një fqinj jo të madh dhe tre fqinj të mëdhenj.
Kufijtë e mirë sjellin fqinjësi të mirë, thotë fjala jonë e urtë e famshme. Secila palë e kufijve me fqinjët ka historinë e vet që përkon edhe me historinë e marrëdhënieve ndërmjet Zvicrës dhe shteteve fqinje, midis zviceranëve dhe popujve fqinj.
Gazetarja e Radiotelevisione Svizzera Italiana Elizabeth Camozzi e ka bërë temë të një shkrimi të saj kufirin midis Zvicrës dhe Italisë, një kufi 744 kilometra i gjatë, me një histori 165 vjeçare. Është, pra, para së gjithash, një histori diplomatike dhe, pavarësisht të gjithave, mbetet edhe sot e kësaj dite, një histori diplomatike.
Gjithçka zë fill te Mbretëria e sapolindur e Italisë, më 1861, kur Konfederata e njohu «ndonëse me njëfarë maturie”, siç nënvizon gazetarja, fqinjen e saj të madhe dhe, nga atëherë, “të dyja vendet përballen me çështje që ndryshojnë formë por jo thelb”, midis tyre ka “një raport solid, sigurisht, por të përshkuar nga tensione të vazhdueshme që shpalosin kompleksitetin e tyre”.
Quhet kufiri më i çmendur në botë, natyrisht jo pse është kufiri më i gjatë tokësor midis dy vendeve dhe kufiri tokësor i 119 në botë për nga gjatësia, ndoshta jo dhe aq për konfiguracioni e tij, i cili kalon nëpër terrene të larmishme që nga lartësia 4600 metra mbi nivelin e detit në Malin Dolent, duke zbritur në 200 metra mbi nivelin e detit në Liqenin e Madh (Laggo Maggiore). Ndoshta jo dhe aq pse prek katër rajone dhe shtatë provinca italiane, si dhe tri kantone e 17 distrikte zvicerane ose pse përshkon vargmalin alpin, konkretisht 20 male alpine dhe paraalpine, si dhe 6 qafa malesh e shumë shtigje malore, ndoshta jo edhe aq për skajet e saj nga kufijtë e të dy vendeve me Francën deri te kufijtë me Austrinë. Ka një histori të gjatë të traktateve të nënshkruara për këtë kufi që nga 15 janari 1798 në kushtetutën e përkohshme helvetike, ripërtërirë pastaj më 1815 në mes Konfederatës dhe Mbretërisë së Sardenjës, Mbretërisë Lombardo-Venete dhe provinces Cisleitania të Austro-Hungarisë.
Pas bashkimit të Italisë, kufiri midis Italisë dhe Zvicrës u vendos zyrtarisht në vitin 1861. Më 5 tetor 1861, u nënshkrua një marrëveshje që i jepte Zvicrës territorin e Costa di San Martino dhe Casaccia, që më parë i përkisnin komunës së Campione, por që ndodhej në bregun përballë të Liqenit Ceresio (Liqeni Lugano). Disa mosmarrëveshje territoriale pas formimit të Mbretërisë së Italisë u zgjidhën në marrëveshjen e vitit 1863 midis Italisë dhe Zvicrës për përcaktimin e kufirit midis Lombardisë dhe Kantonit të Graubyndenit. Më 10 shtator 1919, u nënshkrua Traktati i Saint-Germain-en-Laye, me anë të të cilit Mbretëria e Italisë aneksoi Tirolin Jugor austriak: kufiri italo-zviceran u zgjerua kështu në lindje, duke marrë rrjedhën e tij aktuale. Traktate të tjera italo-zvicerane në lidhje me rrjedhën e kufirit datojnë që nga prilli 1873, korriku 1936 dhe 24 korriku 1941. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri shtetëror midis Republikës Italiane dhe Konfederatës Zvicerane ka mbetur praktikisht i pandryshuar, me përjashtim të rregullimeve të vogla dhe shkëmbimeve territoriale, duke përfshirë përfshirjen e digës Valle di Lei në territorin zviceran pas një konvente të vitit 1952, të ratifikuar në vitin 1953 nga Zvicra dhe në vitin 1955 nga Italia.

CRANS-MONTANA DHE MËSIMET NGA HISTORIA
Kufijtë e mirë gjithsesi nuk kanë sjellë e nuk mund të sjellin vetvetiu fqinjësinë e mirë, siç treguan edhe tensionet diplomatike pas ngjarjes tragjike në Crans-Montana me 41 viktima dhe 115 të lënduar, ku kishte edhe 6 viktima italiane (nga 15 deri 17 vjeç) dhe disa të lënduar, krahas 21 viktimave zvicerane, 9 viktimave franceze, e tjerë. Ngjarja ndodhi në festimet e Vitit të Ri në lokalin “Le Constellation” të Crans-Montanas, kantoni Valais (Valé), në orën 01:30 të 1 janarit. Në bar, në çastin e shpërthimit të zjarrit, ndodheshin 164 veta. U deshën gjithësejt sekonda, siç doli nga ekspertizat e mëvonshme, që tragjedia të ndodhte.
Zvicra nuk kishte kapacitete spitalore për të lënduarit rëndë. Një pjesë e tyre u dërguan në vendet fqinje, disa edhe në Itali.
Krans-Montana, një komunë me rreth 11 000 banorë është një emër që është përmendur gjithmonë veç për mirë. Që nga Shekulli XIX në spitalet e saj shëroheshin të sëmurë të mushkërive nga gjysma e botës. Veçanërisht gjatë dimrit bëhet qendër botërore e jet-setëve (personazheve mediatikë) ndërkombëtarë. Një herë në vit, në periudhën e pashkëve, mbahet një festival ndërkombëtar i muzikës. Në terrenet e saj të famshme të skijimit zhvillohen kampionate evropiane dhe botërore të skijimit për mosha të ndryshe. Ka një terren të përkryer për sportin e golfit. Është e përmendur edhe për ngjitjet alpine.
Zvicra, e njohur për ndjeshmëritë e thella ndaj tragjedive të çdo natyre kudo që ndodhin në botë, e përjetoi 1 janarin si “një nga tragjeditë më të rënda që i kanë ndodhur vendit”, siç u shpreh Guy Parmelin, President i Konfederatës, në ditën e zisë kombëtare kushtuar viktimave më 9 janar. Krahas solidaritetit të qytetarëve, komunat e Valais (Valé) dhe Vaud (Vo) dhe më vonë Qeveria Federale, në kuadrin e ndihmave, akorduan shuma financiare për familjet e viktimave dhe të të lënduarve rëndë.
Më 26 janar pronari i klubit u lirua me kaucion. Menjëherë Roma e thirri në atdhé ambasadorin e saj në Bernë. Rikthimin e ambasadorit në Bernë pala italiane e ka kushtëzuar me kërkesën për krijimin e një Joint Investigation Team për hetimet. Autoritetet zvicerane kanë ripohuar parimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e drejtësisë, duke i dhënë ndërkohë palës italiane hapësirën e parashikuar nga instrumentet e bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor, në mënyrë të veçantë ndihmën gjyqësore dhe praninë në aktet e hetimit.
Zyrtarët e lartë zviceranë në takime të veçanta me homologët ialianë dhe në margjina të veprimtarive ndërkombëtare politike kanë dëshmuar se i japin përparësi dialogut për rastin konkret dhe në tërësi për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Emocionet në Itali i shtoi edhe lirimi me kusht i njërit të bashkëpronarëve të klubit ku ka ndodhur tragjedia. Më 15 janar Papa Leo XIV i priti familjarët e viktimave të Crans-Montanas. Në Festivalin e San-Remos u krijua një ndërkohë e përkujtimit të viktimave. Kantautori Achille Lauro solli këngën e tij “Perdutamente”, ku tri herë përsëritet refreni:
E se bastasse una notte, sì, per farci sparire
Cancellarci in un lampo come un meteorite
Sì, godersi l’impatto e non ci importa la fine
Se si incendia lo spazio, amore, abbassa il tettino
Perdutamente, siamo in mare aperto
Perdutamente, è già mattino presto
Se mancasse una notte, voglio un nuovo vestito
Se per Dio siamo niente, di niente, di niente
(Dhe sikur një natë të mjaftonte, po, për të na zhdukur/ Na fshin brenda çastit si një meteorit/ Po, shijo impaktin dhe nuk na intereson fundi/ Nëse hapësira merr flakë, zemër, ule çatinë/ Shpresova, jemi në det të hapur/ Shpresova, është mëngjes herët/ Nëse një natë do të mungoje, dua një fustan të ri/ Nëse për Zotin nuk jemi asgjë, asgjë, asgjë…)

BURIM SFIDASH
Sacha Zala, drejtor i qendrës së kërkimit për Dokumentet Diplomatike Zvicerane (Dodis) dhe profesor i histori zvicerane dhe historisë moderne në Universitetin e Bernës, nënvizon se nuk është hera e parë që Roma e thërret ambasadorin e saj në atdhé.
Menjëherë pas bashkimit të Italisë, kontrabanda në kufi dhe emigracioni masiv i italianëve në Zvicër ushqyen çështje diplomatike lidhur me trafiqet tregtare, punën stinore dhe trajtimin e emigrantëve. Me ardhjen e fashizmit, gjithçka u rëndua. Zvicra, ndonëse asnjanëse, do të përballej me presionet e regjimit, i cili shkoi deri aty sa të hartonte një plan pushtimi, njohur si Piano Vercellino, i cili nuk u vu asnjëherë në jetë. Iu desh gjithashtu të përballej me arratisjen e antifashistëve italianë në Zvicër, çka u shndërrua në njërën prej çështjeve më të ndjeshme mes dy vendeve, Kësaj teme i ka kushtuar studim të veçantë historiani Mauro Cerutti.
Problemet me lejet stinore të emigrantëve italianë dhe trajtimi i tyre në Zvicër ushqyen gjithashtu protesta e debate nga ana italiane. Më 1964 u arrit marrëveshja mbi emigracionin ekonomik, i cili, megjithë mangësitë, shënoi kthesë afatgjatë në politikën zvicerane ndaj të huajve. Në vitet Tetëdhjetë e Nëntëdhjetë probleme të reja iu shtuan kësaj teme, të cilat u zgjidhën pas negociatave të gjata Romë-Bernë.
Njohësit e historisë së diplomacisë në marrëdhëniet mes dy vendeve, theksojnë se gjithnjë mbetet një hapësirë e madhe për rolin e saj: “Mbetet, para së gjithash, një akt balancimi: një balancim i vazhdueshëm i të drejtave, përgjegjësive dhe kujtesës së përbashkët, i bazuar në një afërsi gjeografike që është gjithashtu, në mënyrë të pashmangshme, politike dhe sociale. Gjithashtu, mbetet vetëdija se marrëdhëniet midis dy vendeve nuk shterohen nga krizat, as nuk përcaktohen nga momentet më të tensionuara; ato janë, ose duhet të jenë, marrëdhënie të durueshme, të ndërtuara me kalimin e kohës, të afta për të lundruar në faza të vështira pa humbur aftësinë për dialog.” Sipas tyre, nga historia e përbashkët e të vendeve, mësimi kryesor është se bashkëpunimi është një proces që kërkon kujdes konstant, vëmendje ndaj pengesave të ndërsjellëta, përgjegjësisë për t’i njohur arsyet e palës tjetër: “një hapësirë e përbërë nga pragmatizmi dhe respekti, në të cilën diplomacia mund të përparojë dhe në të cilin do të matet soliditeti në marrëdhëniet mes dy vendeve në të ardhmen e afërt dhe të largët”.
Ndërkohë, paralelisht, bashkëpunimi ekonomik e kulturor midis dy vendeve ka vazhduar të forcohet. Italia mbetet një nga partnerët ekonomikë kryesorë tregtarë të Zvicrës dhe, siç tregojnë të dhënat e Banca d’Italia, investimet zvicerane mbajnë një peshë të rëndësishme në Gadishull. Në rrafshin kulturor është aktiv që pas Luftës së Dytë Botërore Instituti Zviceran i Romës, me qendrat e tij edhe në Palermo dhe Milano, duke luajtur një rol konstant dhe urës intelektuale midis dy vendeve.
Në kontekstin e 165 vjetorit të kufirit Zvicër-Itali dhe koniunkturës aktuale jo të dëshiruar në marrëdhëniet midis dy vendeve, gazetarja Elizabeth Camozzi, përmend rolin e rëndësishëm konstant në rrafshin kulturor që ka luajtur dhe luan Instituti Zviceran i Romës (Istituto Svizzero di Roma), si urë e përhershme intelektuale midis dy shteteve. Në vitin 1947 Carolina Maraini-Sommaruga, veja e Emilio Marainit (1853-1916) ia fali pronën e saj Konfederatës Zvicerane. Prona ndodhet në zemër të kryeqytetit italian dhe ka në qendër një vilë të stilit eklektik të ndërtuar në vitin 1905 nga Emilio Maraini, një sipërmarrës i industrisë së sheqerit nga kantoni Tiçino. Vila e vendosur në një pikë mbizotëruese ofron një pamje panoramike nga më të rrallat në zonat më historike të Romës.
Kjo dhuratë bujare synonte të siguronte vazhdimësinë dhe të zhvillonte përkushtimin e saj dhe të burrit të saj për artistët e rinj. Vila Maraini u bë kështu shtëpi e një fondacioni në shërbim të arteve dhe të shkencave si dhe të përparimit të marrëdhënieve midis Zvicrës dhe Italisë. Vila Maraini është tashmë një hallkë përbërëse e një rrjeti ndërkombëtar të akademive dhe të instituteve të artit dhe të kërkimeve shkencore të vendosura në Romë që nga viti 1948.

POST SHENGEN
Traktate të tjera italo-zvicerane lidhur me vijën kufitare datojnë që nga prilli 1873, korriku 1936, dhe 24 korriku 1941. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri shtetëror midis Republikës Italiane dhe Konfederatës Zvicerane ka mbetur praktikisht i pandryshuar, me përjashtim të rregullimeve të vogla dhe shkëmbimeve territoriale, ndër to përfshirjen e digës Valle di Lei në territorin zviceran pas një konvente të vitit 1952, të ratifikuar në vitin 1953 nga Zvicra dhe në vitin 1955 nga Italia.
Në vitin 2008, Zvicra iu bashkua Zonës Shengen, duke hequr kështu kontrollet e rregullta kufitare që nga 12 dhjetori 2008. Megjithatë, meqenëse Zvicra nuk është pjesë e bashkimit doganor të Bashkimit Evropian, rojet kufitare nga të dy vendet ende mund të kryejnë kontrolle doganore. Në vitin 2016, për shkak të rritjes së emigracionit të paligjshëm nga Italia në Zvicër të lidhur me krizën evropiane të emigrantëve, qeveria zvicerane zbatoi kontrolle më të rrepta në trenat që shkonin në Zvicër dhe vendosi patrulla me helikopterë dhe dronë. Qeveria zvicerane hodhi poshtë kërkesat për të ndërtuar një gardh përgjatë kufirit. Në prill 2017, Ministria e Jashtme italiane thirri ambasadorin zviceran për “bisedime urgjente” pasi Zvicra vendosi të mbyllte gjatë natës “tri kalime të vogla kufitare”. Në vitin 2023, një komision i përbashkët italo-zviceran u propozoi qeverive të tyre përkatëse një korrigjim të kufirit midis shteteve të tyre përkatëse, të përcaktuar nga vija e pellgut ujëmbledhës e përfaqësuar nga kreshta e akullnajave, bornajat alpine ose bora shumëvjeçare. Ndryshimi i kufirit, i cili ka të bëjë me Testa Grigia/Plateau Rosa, strehën Carrel dhe Gobba di Rollin, u miratua nga Këshilli Federal Zviceran më 27 shtator 2024.
OPTIMIZËM I RI
Më 5 mars 2026, ndërkohë, nga shërbimi hekurudhor ndërkufitar i operuar nga SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane) dhe Trenord (Hekurudhat e Italisë Veriore), i cili lidh Kantonin e Tiçinos me Lombardinë, jepej një lajm tejet domethënës, i quajtur nga mediat si moment historik: Gjatë vitit 2025, lidhjet TILO (Tiçino-Lombardi) transportuan gjithsej 25 milionë pasagjerë në Ticino dhe Lombardi, një rritje prej 3.7% krahasuar me 24.1 milionë të vitit të kaluar. Bëhej e ditur se pasagjerët e trenit TILO janë rritur me 50% që nga viti 2019, nga 16.7 milionë në 25 milionë në vitin 2025. Rritja, sipas deklaratës, shpjegohet me “zgjerimin e shërbimit, me hyrjen në shërbim të projekteve të mëdha të infrastrukturës si Hekurudha Mendrisio-Varese (FMV) në vitin 2018, Tuneli Bazë Ceneri (CBT) në vitin 2020 dhe futjen e stacioneve të reja”.
Ndërkohë që ne po iu japim dorën e fundit këtyre shënimeve, juristë italianë po takohen në Sion me kolegët zviceranë lidhur me temën e Krans-Montanës, çka, sipas mediave zvicerane mund të sjellë një kthesë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në kërkim të së vërtetës lidhur me atë që ndodhi natën e Vitit të Ri. Avokati italian, përfaqësues i familjarëve të 6 viktimave dhe të një vajze të lënduar, ka deklaruar për emisionin 60Minuti të RSI: “Italia nuk e ka zyrtarizuar asnjëherë kërkesën e saj për një ekip hetimor të përbashkët, sepse e dinte që do të kishte një refuzim të qartë nga Zvicra. Prandaj është parapëlqyer të punohet në kanalin e ndihmës juridike tradicionale, çka po vazhdon saktësisht.” Komentuesit mediatikë nuk përjashtojnë që, nëse takimi i Sonit do të jetë i frytshëm. Roma mund të autorizojë kthimin në Zvicër të ambasadorit Gian Lorenzo Cornado.
Mediat zvicerane, me profesionalizëm dhe vendosmëri, kanë hedhur dritë gjithnjë e më të plotë mbi atë që ndodhi, çka ka ndihmuar objektivisht edhe në krijimin e një optike të qartë edhe në kryeqytetin italian, duke krijuar një perspektivë të re mes dy vendeve në këtë 165 vjetor kaq historik të kufirit midis dy shteteve.