Mbas kaqë vitesh të përmbysjes së diktaturës , e keqja është se jo vetëm nuk po shihen shënja normalizimi të ekonomisë shqiptare, por thellimi i gabimeve dora dorës ka çuar në faje të tilla që mbase do të sjellin pasoja fatale dhe të pakthyeshme për kombin po nuk u tha NDAL… Djetëvjetori i parë kaloi dhe mendësia e drejtuesve ka mbetur po ajo: të kërkojmë e të vazhdojmë të kërkojmë ndihma dhe borxhe afatgjata nga jashtë, (duke përfituar nga ato sa më shumë për vete). Nga ana tjetër, i mbytur nga hallet e mbijetesës së përditëshme populli, duke qënë nën hipnozën e mendësisë së drejtuesve të shtetit, edhe ai e pret mrekullinë ekonomike tek bamirësia e të tjerëve. Mirë zgjatja e dorës dhe kërkesa e ndihmës dhe e borxhit, por a është menduar ndonjëherë nga drejtuesit e shtetit se kur do të fillohen të lahen këto borxhe, e me se? Fjalë, fjalë e sa vjen e më shumë fjalë boshe dijnë të thonë drejtuesit e shtetit. Po deri kur kështu? Deri kur kjo papërgjegjësi? Deri kur me këto sofizma?
Nga ana tjetër, u ngritën skemat piramidale e vepruan për aq kohë sa vepruan duke e dëmtuar popullin edhe vëndin skajshmërisht. Tek drejtuesit e tyre u ngjall babëzia e pasurimit marramendës. Tek humbësit u forcua bindja se duhej të bëheshin fatalistë, Kurse tek ata që fitonin sistematikisht për aq kohë sa puna eci, u kultivua më i keqi i veseve: Ne rrijmë kasfeneve e paratë tona punojnë për ne!. Kësisoji piramidat nuk bënë gjë tjetër veçse i dhanë goditjen e fundit shqiptarit të dalë krejtësisht i çoroditur nga diktatura gjysëmshekullore-
E që nga ai çast shqiptari mori arratinë me pasoja tamam rrenueser për vëndin dhe kombin! Shqiptari shkoi në Greqi t’a shiste krahun e tij të punës, por e shiti me një haraç tejet të rëndë, për të edhe Shqipërinë. U dynd shqiptari nëpër Europën perëndimore, po nuk bëjnë emër ata që punojnë ndershmërisht, sepse ata të tjerët, keqbërësit i mbushin kronikat e zeza. E u shpërndanë pastaj të tjerë shqiptarë në të katra anët e botës duke e tharë sa vjen e më shumë Shqipërinë. Punojnë nga dy punë shqiptarët, se duhet të mbajnë veten me familje jahtë, si edhe familjet e tyre në Shqipòëri. Kurse Ministria e Financave mbush statistikat e t’ardhurave buxhetore si edhe mesatarizon shpenzimet për frymë me njësi monetare, jo si frut i punës së investuar n’ekonominë e vëndit, po ardhur si dhurata nga jashtë.
Si pasojë e gërshetimit të gjithë këtyre faktorëve praktikisht po përgatiten kushtet e një tërmeti si edhe e një stuhije që detyrimisht do t’a shkundin vëndin! Po drejtuesit e politikës së vëndit nuk i shohin këto simptoma? Po si nuk i shohin, edhe më mirë nga ç’i shohim ne. Por e keqja është se pjesa e korruptuar e tyre mendojnë t’a zgjasin qoftë edhe një ditë plotfuqishmërin’e tyre në pushtet e cila u a shton t’ardhurat e paligjëshme. Kurse edhe ata pak të pakorruptuarit që mbase ekzistojnë, janë të verbuar nga etja e mirëfilltë për pushtet. Kësisopj të dyja palët kanë bërë novacionin madhor e duan të mbështeten njera palë nga Shoqëria civile, kurse pala tjetër u bën thirrje Rretheve Akademike dhe Intelektuale. Por të dyja palët harrojnë se vitet e gjata të kaluara në udhëheqje të shtetit apo në opozitë, tashmë i kanë mumifikuar. Nuk ka as Shoqërie Civile e as Rrethesh Akademike që t’i maskojnë mumiet e ato të vazhdojnë të udhëheqin me sukses rrethuar nga brohoritje dhe duaetrokitje! Një shi t’i zerë mumiet, makijazhi shplahet e del në pah kundërmimi i vdekjes tyre!
I shkrova këto i mbushur me dhimbje. E kësaj dhimbje i shtohet edhe tmerri i përjetuar në rradhë të parë nga vetë viktimat e Karaburunit e domosdo pastaj edhe nga familjarët e tyre. Dhe e gjitha kjo më kujton një film të parë disa dhjetëvjeçarë të shkuar, ku skenari qe ndërtuar simbas novelës Ҫehovit “Ana në qafë”. Ana, fillimisht vajzë ë mirë dhe e dashur, mbas martesës fillon dhe e tradhëton të shoqin e pastaj vesi bën të vetën e trashet. E vjen një ditë kur ajo e veshur me një gëzof të trashë e hipur rme të dashurin në trojkën (karrocë e tërhequr nga tre kuaj azganë ) që vrapon mes dëborës, as kujtohet t’a kthejë kokën tek kalon para shtëpisë së t’et, të cilin përmbaruesit e kanë nxjerrë nga shtëpia e tij me dy djemtë e vegjël në mes të dëborës. E në sfond, ndjehet njëri nga valset e famshëm të Emil Waldteufelit (që fare lehtë mund t’i ngatërrosh me valset e Strauss-ëve të koncerteve Vjeneze të fillimvitit)! I përhumbur në këto përsiatje rreth novelës së Ҫehovit, m’u kujtua se edhe populli ynë e ka gdhëndur mirë këtë rrethanë me fjalën e urtë ku flitet dishka rreth Stambollit që digjej e dikuj tjetër që ….. krihej! Po ky popull edhe sa kohë do t’a mbajë jo më Anën po Nanon në qafë?
Vijmëtashti te thelbi i problemit: a ka zgjidhjeproblemi i shërimit të sëmundjes së rëndë morale që e ka kapërthyer elitën drejtuesetë sotme të Shqipërisë e cila e ka futur vëndin në këtë rrugë pa krye? Padyshim që ka. Po cila është zgjidhja? Situata do zgjidhje rrënjësore e nuk do makijazhe zbukuruese. Një dhe një e vetme është alternativa; flakja tej e mumieve të politikës shqiptare. Edhe populli kërë akt e mbështet me thënien e tij sa të drejtpeshuar dhe kuptimplote: “Më mirë djepi bosh se shejtani brënda!”. Kjo masë pastaj sjell në mënyrë të pashmangëshme për zgjedhjen e hapit të dytë për t’u hedhur : cilët do të jenë drejtuesit e ardhshëm të shtetit? Pa as më të voglin dyshim duhet të jenë pikërisht ata tek të cilët e mbështesin besimin e tyre mumiet e sotme drejtuese se do t’i bëjnë për vete! Ata jo si makijazh pòor si drejtues të pozitës edhe opozitës, (cilado pastë njerin apo tjetrin rol), mund t’a nxjerrin vëndin nga kjo vorbull që dita ditës thellë e më thellë po e thith. Kësisoji të dyja palët e intelektualëve të mirëfilltë, si në Shqipëri apo të ikur prej saj, me dinamizmin e moshave të reja e duke qenë të ndershëm dhe atdhedashës, e duke mbledhur rreth vetes brezin e të rinjve të shkolluar në universitetet perëndimore t’a marrin gjëndjen në dorë. Për ata nuk është sekret as emri i i Ludwig Erhardit dhe as mrekullia e bërë nga ai. Ai e mori Gjermaninë një gërmadhë ku nuk kishte gur mbi gur, në mbarim të Luftës së II-tëBotërore dhe e trasformoi atë në njërën nga fuqitë ekonomike më të mëdha të botës. Si e bëri ai këtë mrekulli? Bëri reformën monetare, hoqi tutelën shtetërore mbi çmimet dhe ligjëroi sistemin e taksave të diferencuara. Asgjë më shumë. Por të tria këto nën një disiplinë të rreptë kundër korrupsionit. Të tjerat i bëri vetë populli! Populli gjerman i cili deri para ardhjes së Erhardit ecte rrugës kokë ulur e i pashpresë, kur u bind se fatet e tij dhe të vendit i kishte vetë në dorë, qe ai vetë që e bëri mrekullinë! Erhardi dijti vetëm t’ia përcaktonte drejtë shtegun si edhe ia mundësoi ligjërisht hyrjen n’atë shteg!