-Hajduti vjedh këmbët e mia.
-Si, hajduti vjedh këmbët e tua ?
-Po, po, hajduti më vjedh hapat.
-Si t’i vjedh ?
-Hajduti vjedh frymën time.
-U vidhka fryma? Fryma thithet,
përthithet, fryma luhatet, gulçon.
-Gulçon fryma? Si gulçoka fryma?
Gulçojnë mushkëritë.
-Po, gulçojnë mushkëritë plot pluhur,
plot pika gjaku, tkurren, bymehen,
kërcasin sa s’plasin.
.
O jetë, m’i ruaj mushkëritë. !!!
.
Pa frymë si mund ta përzë hajdutin që
më vjedh ditën në mes të ditës?
Hajduti më vjedh duke ma
shkurtuar rrugën, më mbulon
mua me pluhur dhe me gropa,
hajduti më vjedh pemën,
më tymos e helmon florën,
hajduti zverdhon
maternitetin.
.
Çfarë the-e-e- eh?
.
Po hajduti në maternitet ka lindur
dhe nuk do më të shkojë atje.
Ka droje e frike mos bëhet i vogël,
i vogëlth sërish në
barkun që e lindi.
.
Ç’do të vjedh pastaj?
.
A do rritet përsëdyti kur
bota e njeh ose bën sikur
se njeh hajdutin ?
Hajduti më vjedh qindarkat
e mpakjes
(jo mplakjes),
më hidhnon filxhanin e
kafesë. Hajduti më vjedh
parkun duke më prerë
masakruar drurët tek kodra.
Ai mua më sheh hajdutëtisht,
më qesh e përqesh hajdutërisht,
më ledhaton e kërcënon
herë ballas, herë tinëz.
.
O tinëzi e marrë e njeriut, afrohu,
mos m’u afro, hiqmu sysh !
.
Hajduti më vjedh detin,
më përlan kumin
dhe vrullin,
ma këput velën, m’i kullufit
peshqit, ma drobit ishullin,
ma mjeron gadishullin.
.
Po ku jetoj dot unë
pa ishullgadishull ?
.
O ju, të ndershëm, me be e me bela,
mos më vrisni kaq hajdutëtisht !
.
Sa i ngrysur qënke, o njeri, sa të
pikëlluar qënkeni, o njerëz !!!
Hajduti jeton qysh nga fëminia gjer sot
e mot në xhepin tim, në varfërinë
time të pastër, (ç’më duhet kjo pastërti?).
Ai fut gishtat në xhepin tim mëngjesor,
jo gjithë gishtat, veç dy prej tyre si një
bigë e vogël. M’u kujtua biga e
fëmijërisë që vriste zogj.
Më besoni, unë s’kam
k’put pendë zogu.
Edhe kur binte
gjethja vjeshtake mua
më dukej si
lot i gjelbër.
.
Sa per xhepin…njerin xhep e kam lënë
përhera me astar të grisur,
(qep mëma, … tani
mëmëz dheu,.. shqep unë )
që kur të fuste bigën gishtore
hajduti në xhep
të më kapte…
.
Sa i paturpshëm paskam qenë,
më i paturpshëm tani…
.
Rruga vithiset nga pellgjet e koburet.
I vë metrin rrugës, shtyj përtej kufirin e
oborrit tim. Në verën e plazhit, në
plazhin veror më shumë jemi
këmbësorë poshtë e përpjetë se sa të
shtrirë në kum, shtyjmë bërrylash njëri-
tjetrit, ia përlajmë njëritjetrit kozmetikën,
brekët, sutjenat, cigaren, syzat e miopit
dhe ato të diellit, topin dhe topet,
trandafilin vajzëror, freskinë, rrudhjen
dhe vyshkjen, fjalorin…
Duket sikur jemi në cirk,
dukemi sikur ne jemi më
karnavalë se vet shfaqja.
.
Më falni, për moskuptimin ose
keqkuptimin ! Qënkam edhe unë një
hajdut aq i vërtetë, aq i ndershëm e i
ndjeshëm, aq cinik e i pamëshirshëm
sa ju vodha kohën tuaj
ndërkohë që shkrova
për hajdutin tjetër!!!