Instituti i familjes ortodokse Qiriazi: Një Paradigmë Historike dhe Filozofike e Arsimit Kombëtar
Në fillim të shekullit XX, Shqipëria po përballej me sfida komplekse në ndërtimin e një identiteti kombëtar dhe në emancipimin social të qytetarëve, veçanërisht të grave. Në këtë kontekst historik, kthimi i familjes ortodokse Dako- Qiriazi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte një ngjarje e rastësishme. Motivet e tyre ishin thellësisht ideore dhe të lidhura me një vizion kombëtar. Motrat Qiriazi dhe Kristo Dako me dy djemtë e vegjël, u kthyen me një qëllim të qartë: të krijonin një hapësirë arsimore që do të shërbente si laborator i emancipimit dhe i përgatitjes së vajzave për të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore dhe kombëtare.
Ky rikthim ishte një akt të ndërgjegjshëm civilizues, një afirmim i idesë se arsimi është jo vetëm e drejtë e natyrshme, por edhe mjet i fuqishëm për ndërtimin e vetëdijes kombëtare. Kjo bindje ishte baza mbi të cilën u themelua Instituti Qiriazi dhe nga ku u zhvillua gjithë veprimtaria e tij pedagogjike, kulturore dhe sociale. Motivet e tyre shtriheshin përtej aspiratave personale; ato ishin të rrënjosura në një bindje të thellë se arsimi i vajzave, një kategori historikisht e përjashtuar nga hapsirat publike, përbënte një imperativ etik dhe politik për konsolidimin e kombit. Ky mision, i interpretueshëm si një ndërthurje mes patriotizmit dhe pedagogjisë humaniste, do të realizohej në formën e Institutit Qiriazi, i cili synonte jo vetëm të edukonte, por edhe të formonte qytetarin e ndërgjegjshëm, të aftë për të ndërvepruar me sfidat sociale dhe kulturore të kohës.
Hapja e dyerve të Institutit më 22 tetor 1922 përfaqëson një ngjarje paradigmatike në historinë e arsimit shqiptar. Shkolla u konceptua si një institucion kombëtar sic thoshte Sevastia që “Qysh në fillim shkolla jonë u bë një shkollë kombëtare…”, u dallua për vizionin e saj progresist: integrimi i vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse lindore nuk ishte thjesht një akt tolerance, por një manifest i filozofisë së bashkëjetesës dhe kohezionit social duke përfshirë siç thoshte Sevastia vajza myslimane, katolike dhe ortodokse lindore. Qiriayët dhe Dako nuk kishin imponur asnjëherë përkatësinë e tyre ortodokse sepse feja e Shqiptarit është shqiptaria. Kjo nuk ishte vetëm një strategji, por një deklaratë filozofike dhe kulturore, një Institut arsimor për vajzat nuk ishte thjesht një institucion pedagogjik /edukativ; ishte një projekt i gjatë i familjes i lidhur ngushtë me kauzën kombëtare dhe me sakrificat e brezave të mëparshëm. Qëllimi ishte i qartë: të krijohej një Institut që do të shërbente si model për gjithë Shqipërinë, duke u bazuar në vlera kombëtare dhe respekt për diversitetin. Ky ambient u bë një vend ku vajzat mësonin të bashkëjetonin, të respektonin njëra-tjetrën dhe të kuptonin rëndësinë e solidaritetit për një kauzë më të madhe: arsimin dhe identitetin kombëtar. Vizita e Albert Thomas, drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, ishte një moment ku u konstatua fuqia e kësaj bashkëjetese. Ai pyeti se cilat vajza ishin myslimane, cilat katolike dhe cilat ortodokse, por u befasua kur mori përgjigjen e Parashqevit: “Të gjitha janë një dhe jetojnë në një bashkësi të vërtetë.” Ky moment simbolizon jo vetëm harmoninë ndërfetare, e vulos misionin kombëtar të Istitutit Qiriazi: ndërtimin e një identiteti shqiptar të përbashkët mbi bazën e dijes, prej themelimin më 1891 në Korçë . Instituti Qiriazi përfaqëson një vazhdimësi, gati 40 vjeçare, prej 1891, ku teoria dhe praktika e edukimit kombëtar dhe emancipatës sociale ndërthureshin në mënyrë të pandashme.
Por nxënëset përballeshin edhe me sfida të përditshme që ilustrojnë qartë përmasën filozofike të këtij misioni. Rrugët e vështira, baltosura dhe të mbuluara me mjegull, ku vajzat përballeshin me motin dhe lodhjen e shpeshtë, nuk ishin thjesht pengesa fizike. Ato përfaqësonin metaforë të qarta për rezistencën ndaj strukturave patriarkale dhe shoqërore që synonin të kufizonin praninë e grave në jetën publike. Çdo hap drejt shkollës ishte një akt afirmimi të autonomisë dhe vetëdijes kombëtare. Ky dimension ekzistencial dhe edukativ i përditshëm tregonte se emancipimi nuk mund të realizohet vetëm përmes teorisë, por kërkon përkushtim, sakrificë dhe përballim aktiv të realitetit.
Mësimi në Institutin Qiriazi ishte i ndërtuar në mënyrë të integruar, duke përfshirë gjuhën shqipe, historinë kombëtare, lëndët praktike dhe aktivitete kulturore. Por më shumë se kaq, ai shërbente si një hapësirë për zhvillimin e mendimit kritik dhe vetëdijes filozofike. Nxënëset përballeshin me pyetje që tejkalonin memorien: si mund të ndërtohet një identitet i fortë kombëtar në një shoqëri të fragmentuar? Çfarë rol luan arsimi në emancipimin gjinor dhe integrimin social? Këto pyetje nuk ishin thjesht akademike, por misionare, duke forcuar lidhjen midis dijes, moralit dhe identitetit kombëtar.
Më 5 mars 1926, mësueset dhe nxënëset marshuan nga Tirana në Kamëz për të filluar punimet e ndërtesës së re. Ky marshim nuk përfaqësonte një ceremonial; ai simbolizonte udhëtimin pedagogjik dhe filozofik të Institutit çdo hap ishte një përpjekje e ndërgjegjshme për të krijuar një hapësirë ku arsimi do të shërbente si mjet emancipimi dhe forcimi i identitetit kombëtar, pavarësisht atij ortodoks të motrave Qiriazi dhe Dakos.
Më tej, vendosja e gurit të themelit më 11 prill 1926 ishte një ngjarje me rëndësi historike dhe simbolike. Ceremonia, megjithëse e thjeshtë, përmbante një ritual ku çdo pjesëmarrës, qoftë përfaqësues i departamentit të arsimit, prifti katolik, apo nxënëset dhe familja Qiriazi, kishte një rol të veçantë. Guri i themelit nuk përfaqësoi vetëm elementin ndërtues, por një simbol i vazhdimësisë historike, i përkushtimit dhe i bashkëpunimit ndërbrezash për realizimin e një misioni kombëtar të familjes ortodokse Qiriazi. Kjo simbolikë filozofike dhe pedagogjike pasqyronte bindjen se ndërtimi i një shkolle nuk përbënte thjesht akt teknik, por një akt moral dhe qytetar që formon ndërgjegjen dhe karakterin e atyre që janë pjesë e saj.
Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Institutit, nën drejtimin e Kristo Dako, përfaqësonte një moment të rëndësishëm në historinë e përpjekjeve arsimore të familjes Qiriazi. Në thelb, kjo ndërmarrje përveçse një projekt ndërtimi, formatoi një vazhdimësi organike e misionit që kishte filluar dekada më parë me themelimin e shkollës së vajzave nga familja Qiriazi. Që prej vitit 1891, kjo shkollë ishte përfytyruar dhe përjetuar si një “fole kombëtare”, një hapësirë ku arsimi do të ushqente vetëdijen dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, sfida e çuarjes përpara të një projekti kombëtar nuk mbetej në rrafshin e ideve dhe të programeve pedagogjike; ajo kërkonte edhe ngritjen fizike të një hapësire ku ky ideal të merrte trajtë konkrete.
Kujtimet e Sevasti Qiriazit ofrojnë një dritare të çmuar mbi mënyrën se si ky ideal u materializua përmes punës së përditshme dhe përkushtimit familjar. Ajo kujton se sapo u sigurua tapia për tokën, Kristo Dako nisi menjëherë të projektonte planin e ndërtesës kryesore. Edhe pse pati përparësinë të këshillohej me dy ose tre arkitektë dhe të konsultonte disa libra të specializuar, ai vendosi që projekti të mos ishte një kopje e thjeshtë e modeleve ekzistuese, por një plan i formësuar sipas vizionit të tij. Kjo zgjedhje simbolizonte edhe vetë frymën e nismës: një institucion i menduar për të ardhmen e kombit duhej të kishte një formë që buronte nga përvoja dhe aspiratat e vetë atyre që po e ndërtonin.
Procesi i ndërtimit u shndërrua kështu në një përvojë familjare e kolektive, ku ideali kombëtar dhe puna fizike u ndërthurën në mënyrë të pandashme. Gjatë muajve të verës, siç kujton Sevasti, e gjithë familja u përfshi në transportimin e materialeve të ndërtimit. Motra e saj, Parashqevi Qiriazi, transportonte rërë, zhavorr dhe gurë me një kamion Ford, ndërsa në raste të tjera edhe djemtë mbartnin tulla që prodhoheshin në mjediset e institutit nga një grup romësh të ardhur nga Elbasani. Në këtë mënyrë, hapësira e institutit ishte një bashkëpunim pune ku secili në familje kontribuonte sipas mundësive të veta në ngritjen e Institutit që do të shërbente për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, Kristo Dako mbikëqyrte të gjithë procesin e punimeve, duke ndjekur çdo detaj të realizimit praktik dhe duke siguruar që projekti të merrte formën e menduar.
Vetë Sevasti përshkruan një përpjekje të jashtëzakonshme personale në këtë proces. Ajo tregon se bënte vazhdimisht udhëtimin midis Tiranës dhe Durrësit, rreth dyzet kilometra larg, deri në tri herë në ditë, për të ndihmuar në transportin e çimentos, lëndës drusore, hekurit dhe materialeve të tjera ndërtimi të sjella nga importi. Dy udhëtime kryheshin para dreke dhe një tjetër pasdite, me një tjetër kamion Ford, duke e shndërruar këtë rrugë të përditshme në një lloj rituali pune dhe përkushtimi. Në këtë përvojë të përditshme udhëtimi, lodhja fizike përzihej me bindjen se çdo ngarkesë e sjellë dhe çdo material i dorëzuar në kantier përbënte një hap të vogël drejt realizimit të një ideali më të madh.
Kështu, ndërtimi i ndërtesës së Institutit mori një dimension që kapërcente kuptimin e zakonshëm të një projekti arkitektonik. Ai u shndërrua në një akt të ndërgjegjshëm sakrifice dhe solidariteti familjar, ku çdo anëtar i familjes kontribuonte në mënyrën e vet për realizimin e një vizioni të përbashkët. Çdo gur i vendosur dhe çdo tullë e mbartur nuk ishte vetëm pjesë e një strukture ndërtimore, por një shenjë e përkushtimit ndaj arsimit dhe ndaj së ardhmes së kombit. Në këtë mënyrë, “foleja kombëtare” e përfytyruar nga familja ortodokse Dako e motrat Qiriazi nuk u ngrit vetëm mbi plane arkitekturore, por mbi përvojën konkrete të punës, sakrificës dhe në të vetmin besim dhe mision se arsimi ishte një nga themelet më të forta mbi të cilat mund të ndërtohej shoqëria shqiptare.
Trashëgimia e Institutit Qiriazi nuk mund të kuptohet vetëm nga numri i nxënëseve të diplomuara apo madhësia e ndërtesës. Ajo qëndron në ndikimin e saj afatgjatë në shoqëri: promovimin e arsimit të vajzave, afirmimin e identitetit kombëtar dhe demonstrimin e një modeli bashkëjetese fetare dhe sociale. Ky institucion përfaqëson një paradigmë edukative ku arsimi, morali, filozofia dhe qytetaria ndërthuren, duke krijuar një rrugë për emancipim dhe përparim shoqëror që mbetet frymëzuese edhe në kontekstin bashkëkohor.
