Kur hyra në klasën – muze
Kërkova përnjëmend Migjenin
Ta përshëndesja nxehtësisht.
.
Zura vend në një bankë
Si nxënësit e tij të mençur, dikur…
Eh, duhej të përgjigjesha
Në mësim…
.
Kush nuk qahet nën zë
Këtu, Migjen,
Madje më zi se në kohën tënde.
.
Partiqeveria përgjon e gjurmon
Gjarpërisht gjithkënd;
Varfërimi i shqiptarëve
Është strategji ideologjike.
Dhe, s’ka më kishë,
Xhami nuk ka më.
.
Një prift
Që e vunë të ngulte gozhdë
Në një punishte qerresh, në fshat,
E burgosën, sepse pagëzoi
Fshehtësisht një fënijë …
,
Por s’u ngopën dhe,
E pushkatuan mizorisht…
Tashmë ka vetëm policë dhe ushtarë
Dhe një masovik pijanec
I vatrës së kulturës,
Që tek qendron në sfond
Të veprave të kuqe t’Enverit
U rrëfen të rinjve
Sesi, një partizani të rënë
Në luftë kundër pushtuesve
I gjetën në gjoks Vargjet e Lira,
Të shpuara nga plumbi,
Me gjak të dekoruara…
.
Por,masoviku kurrsesi s’u thoshte dot
Se, ky episodi, Migjen, i partizanit hero që përpinte ethshëm
Mes zjarrit të luftës
Frymën e lirisë nga libri yt,
Mrekullisht ndoshta të shpëtoi
Dhe paradoksialisht,
Nga censura e Enver |Hoxhës !
Dëmi i saj pesëdhjetëvjeçar,
I rëndë poet do t’ish,
Tepër i rëndë,
Siç ishte për Fishtën,Koliqin,
E për kë s’ish…
.
Prej letrave q’i nisje miqve të tu
Kuptohet se dilje shpesh
Dhe vetëmoheshe tek shëtisje
Këtyre hapësirave të pjerrëta
Të kristalizuara nga bora rrëzëllitëse,
Apo të bleruara sensualisht
Nga pranverat e brishta të bjeshkëve ,
Teksa shqiponjat n’ajër
Kërleshnin sqep e kthetra
N’erotikë t’egër si te Uitmani…
.
Ah ç’letra poet, ç’letra,
Traktate të vërtetë filozofie.
Mendoheshe e mendoheshe, Migjen.
.
Integriteti yt prej gjeniu
Çdo herë të shpëtoi
Nga llumi i injorancës provinciale….
.
1988