HYQMET ZANE
Historikisht trojet shqiptare kanë qenë nën invadimin e shteteve fqinjë dhe perandorive të mëdha që nga ajo romake, ajo barbaro– sllave, më pas ajo osmane dhe austro-hungareze. Qëllimet ishin të qarta për përfitime territoresh duke shfrytëzuar faktin që territoret shqiptare gjenden në kryqëzimin e dy botëve – të asaj të Perëndimit dhe asaj të Lindjes dhe kjo u bë si një urë kalimi nga njeri breg në tjetrin. Që nga lashtësia me fillimin e erës së re këto tendenca invazioni u bënë në fillim të shekullit XX në prag të dobësimit dhe rënies së Perandorisë Osmane.
Ekziston një e vërtetë historike kur në fillim vitin 1912, me ndikimin e Rusisë u formua boshti Serbi – Greqi me synimin për t’i copëtuar dhe ndarë territoret e kombin shqiptar. Me serbët dhe grekët u bashkuan edhe Maqedonia dhe Bullgaria. Nga burimet e deklasifikuara “sekret” nga arkiva ushtarake thuhet se në atë kohë u përdor një togfjalësh se “Shqipëria është tokë e askujt” që në pranverën e vitin 1912 kur bëhej debat për territoret e gjera shqiptare për ta ndarë dhe kjo diktoi marrëveshjet e mëdha antishqiptare me togfjalëshin e asaj kohe: “Shqipëria është tokë e askujt”.
PLANI I RUSISË
Kjo situatë u nuhat nga Austro–Hungarezët që e ndaluan planin e Rusisë me nxitje përmes Serbisë dhe Greqisë. Dihet historikisht që me iniciativën e Perandorisë Osmane që ishte në fundin e sundimit, u caktua Ismail Bej Vlora që të vinte në Shqipëri e të shpallte autonominë e Shqipërisë nën ombrellën e Perandorisë. Siç kanë pohuar historianë të ndryshëm, Ismail Qemali shkoi në Vjenë dhe ata i bënë panoramën dhe urgjencën me orientimin për të bërë shpalljen e Pavarësisë dhe jo autonominë.
Tashmë Pavarësia u bë realitet më 28 nëntor 1912, që u parapri nga ngritja e flamurit fillimisht në Elbasan më 25 nëntor 1912 nga Aqif Pashë Biçakçiu. Por copëtimi i trojeve shqiptare sipas oreksit të Serbisë dhe Greqisë u realizua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër një vit më vonë më 1913 me ndarjen në 6 pjesë të trojeve shqiptare dhe Shqipëria mbeti me 28 mijë e ca km/2. Rreth 3/4 iu morën kombit dhe vetëm 1/4 i mbeti trungut shqiptar. Dy krahinat e mëdha – Kosova dhe Çamëria u shkëputën për faj edhe të neglizhencave dhe papjekurisë politike të kohës për të pasur mbështetje te ndonjë nga fuqitë e madhe, por edhe për shkak të dobësisë që manifestohej në atë kohë të nisjes së shtetit shqiptar.
Me gjithë përpjekjet e të dërguarve të qeverisë së Vlorës dhe personalisht të kryeministrit Ismail Bej Qemalit, Mehmet Konica, Filip Noga dhe Rasih Dinos, Londra u diktua në anën e boshtit ortodoks sllavo-grek. Më pas, denoncimi nga amerikanët dhe Presidentit Uillson i Traktatit të Fshehtë të i dogji planet e Rusisë si mbështetja e Serbisë dhe Greqisë. Kjo ishte pjesa historike e ndarjes së territoreve të kombit sipas ndikimit të shprehjes “Shqipëria – Tokë e askujt”. Vitet shkuan dhe në Luftën e Dytë Botërore, lidhja e Enver Hoxhës me emisarët serbë bëri që ata të kishin një ndikim të madh mbi shtetin shqiptar të kohës, u formua PKSH, u caktua jo 28 nëntori, por 29 nëntori si dita e Çlirimit, por më shumë se kaq vranë rreth 5 mijë djem e burra të Kosovës me të ashtuquajturën “Masakra e Tivarit” dhe më pas akoma u vranë rreth 400 shqiptarë nga elita intelektuale dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, Enver Hoxha i dërgonte letër Marshallit Tito më 17 mars 1948 e sigluar në AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 14 që Shqipëria të bëhej Republika e 7-të e Federatës Jugosllave. Prishja me Titon dhe lidhja me Stalinin bënë që plani i aneksimit të Shqipërisë nga Jugosllavia stopohej.
Shkuan vitet dhe pas 1991, e deri më 2022 ka qenë një periudhë tranzitore dhe demokratike e brishtë për shqiptarët. Fakti që elementet antishqiptarë lëvrinin në territorin e Shqipërisë dhe bëheshin investime për trazira dhe vepra të dënueshme kombëtarisht, kjo bëri që të pësoheshin ngjarje të rëndësishme që nga 1997, 2008, 2011 nga socialistët dhe sidomos e fundit nga Edi Rama.
Problemet e Serbisë me Kosovën dhe miqësia e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç bëri që në Beograd më 2022 kryeministri i Shqipërisë të pohonte se “Mitrovica është tokë e askujt”(?!) meqë diskutohej për veriun e Mitrovicës. Dihen tendencat militartiste të Serbisë me mënyra paramilitare dhe me provokacioni krijoi këtë problem me Mitrovicën mbi lumin Ibër. Ndikimi korrekt dhe i papërkulur i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i preu duart Serbisë dhe Beogradit të bënin trazira dhe provokacione, me gjithë investimet me miliona dollarë që bëheshin kohë pas kohe. Këtë ma ka pohuar në një intervistë ish kryetari i Kuvendit të Kosovës në ekzil Ramadan Kelmendi në Elbasan më 1999. Pikërisht në këtë kohë miqësia e thellë e Ramës me Vuçiçin bëri që nga kasaforta sekrete e Beogradit të dalë plikoja e ruajtur dhe e fshehur në kasafortën e antishqiptarizmit me togfjalëshin “Mitrovica – Tokë e askujt”. Kjo acaroi shqiptarët e Kosovës që reaguan dhe Rifat Jashari, vëllai i Heroit Adem Jashari iu drejtua ashpër Edi Ramës me fjalët që “Përqafimet dhe puthjet me Vuçiçin do i paguash shtrenjtë nga Kosova, ndaj mbaje mend”. Për fatin e keq është kjo historia që përsëritet nga Enver Hoxha tek Edi Rama.
LETRA PËR TITON
Për të kuptuar sjelljet e sotme të marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me atë të Serbisë, domethënë përuljen e Edi Ramës – kryeministër të Shqipërisë para Aleksandër Vuçiç – president të Serbisë, do të mjaftonte të sjellim në kujtesë se çfarë shkruhet në atë letër që Enver Hoxha i dërgonte Titos më 17 mars 1948. Vetëm një lexim dhe ju qartësoheni për tradhtinë e Partisë Komuniste Shqiptare para Jugosllavisë.
“Shoku Marshall.
“!Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për Federatën (Jugosllave) dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat, por çështja (është) që ne duhet të marrim iniciativën e para për të kërkuar këtë gjë. Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit [me Jugosllavinë] e të mbërrijmë në konkluzione dhe, nga ana tjetër, do të dëshironim të na jepeshin dhe sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë të këtij problemi. Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona. Pranoni të falat e mia më të ngrohta shoqërore.
ENVER HOXHA, TIRANË, 17 MARS 1948″
Duhet ta theksoj se populli shqiptar që luftoi për Shqipërinë e lirë dhe demokratike, nuk e dinte se një ditë do të dorëzohej para Shqipërisë së izoluar dhe diktatoriale 45 vjeçare. Dhe e gjitha ishte vepër e 4 emisarëve jugosllavë në Shqipëri që e formuan PKSH dhe e orientuan udhëheqjen shqiptare në kriminalitet dhe varfërinë e popullit që i besoi. Për fatin e keq kjo po ndodh edhe sot. E them këtë se më 2013 u nis me togfjalëshin “Do bëjmë ndryshimin e sistemit me rilindjen e vendit”. Pas 13 vjetësh me shpopullimin e frikshëm dhe eksodin e rinisë shqiptare nga vendi duket sikur po shkohet në pikun e togfjalëshit për ta bërë Shqipërinë “tokë të askujt” ose e privatizuar derisa shqiptarët po ikin ditaditës dhe vendin po e sundon një harakiri (vetëvrasje) historik për ta bërë territorin e Shqipërisë si tokë private të një klase politike në pushtet që po e shet dhe po e jep badiava me tendera dhe të ashtuquajtura “investime strategjike” ndaj oligarkëve të lidhur me kryeministrin si peshqeshe që sjellin trishtim dhe bëjnë fatkeqësi me tokën e shqiptarëve që është historikisht e shqiptarëve ndër shekuj.
/Gazeta Panorama