Dje pashë filmin amerikan “Krahët e lirisë”. Morgan Friman, në rolin e një të burgosuri. Sipas skenarit, kishte vrarë një djalë. Dënim i përjetshëm. Kur bëri 40 vjet burg, u lirua me kusht. Pa katandi. Pa miq. Pa të afërt. Kujtonte çdo ditë burgun, ku la miqtë. Çdo ditë mendonte si të gjente një sebep për t’u rikthyer në burg. Vetmia i dukej ferr… Bashkia i dha një dhomë për të banuar. I gjetën punë në supermarket. Sa herë që shkonte në tualet, i merrte leje shefit.
Një ditë shefi i tha: “Nuk ke pse më kërkon leje!” Kur ishte në tualet ish-i burgosuri foli me vete: “40 vjet me radhë kam kërkuar leje tek gardiani për të shkuar në banjë. Tani, pa marrë leje, nuk mund të urinoj?!”
Kur erdhi fundi i filmit, mendja mori arratinë në vite… Në mes të janarit 2001, një grup miks-gazetarë dhe deputetë ishim në Romë. Së bashku me ne ishte edhe Pjetër Arbnori. Na ftuan për një seminar. Salla plot. Në fillim folën deputetë italianë. Mbledhjen e drejtonte deputeti Urso. Ai tha: “Tani do flasi zoti Pjetër Arbnori. Mandela i Shqipërisë! Ka qenë 20 vjet në burg!” Qetësi. Njerëzit ngrinë. Mimika të llahtarepsura… Në sallë u dëgjua zëri i butë i Arbnorit: “Zoti Urso! Pse më hëngrët 8 vjet dhe 6 muaj burg! Ka pasur një rregull të artë në burgjet e diktaturës komuniste. Gardiani nuk u hante vite të burgosurve, por shtonte vite burgu. Nga ky rregull, unë “përfitova” edhe 10 vjet burg”.
Dikush pyeti nga salla: “Mund të dënohej njeriu pa dëshmitarë dhe pa gjyq?”… Pjetri nisi të tregojë: “Një ditë shkova në infermerinë e burgut. Më duhej një aspirinë. Aty ishte edhe një i burgosur. Ai nisi të flasë. Unë dëgjoja. Ai nisi të shajë regjimin. Unë shihja tavanin: E dija që kjo dhomë ishte vendi ku shtohej burgu. Dhe nuk gabova. Pas disa ditësh më thirri drejtori në zyrë. Më prezantuan me gjykatësin dhe një ekspert që kishte ardhur nga Durrësi…Pa shumë ceremoni, gjykatësi lexoi aktakuzën:
-Në janar të vitit 1977, ke thënë që Kina do të sulmoi Vietnamin. Në luftë do të futet Bashkimi Sovjetik. Pastaj do të trazohet edhe Amerika. Do të nisi lufta e tretë botërore. Bombat do të çajnë muret e Burgut të Burelit dhe do të sjellin lirinë e të burgosurve!…
-Zoti Pjetër! Çfarë hanit në burg?…
Përgjigja erdhi e mjergulluar: “Deri në vitin 1972 mëngjesi nuk figuronte në defterët e burgut. Në atë vit u fut çaj pa sheqer. Pas 5 vjetëve u shtuan 10 gram sheqer. Në drekë, menuja kishtë një nga këto të treja: Makarona, oriz ose fasule. Nuk mbaj mend ndonjë ditë që makaronat dhe orizi të ishin pa krimba…Për hir të së vërtetës, kur kishim fasule, bënim një festë të vogël, edhe pse kokrat e groshës numëroheshin me gishtat e dorës…Më kujtohet se një ditë dikush tha: Sot, kemi fasule! Disave u shkëlqyen sytë…Në fakt kishin gatuar makarona. Një miku im tha: “Mos u tallni me ndjenjat tona…” Në darkë bukën e grurit e hanim me bukë misri!
Gjumi ishte armiku ynë! Me rregullore ndalohej të flije dhe të mbuloheshe me batanije ditën. Nuk di ku e kishin zbuluar këtë art për të torturuar, sidomos pleqtë. Të gjithë e dimë: Miku më i mirë i plakut është gjumi!…?
Një ditë në dhomë u fut një djalë i ri, vazhdoi tregimin Pjetri. Pyetëm, po thua në kor: Nga të kemi mor djalë?…Jam nga Jugu!…Nga Jugu jam edhe unë, tha një burrë që kishte bërë 20 vjet burg. Nga cili rreth?…Nga Tepelena, tha djali…Andej jam edhe unë… Po nga cili fshat? Nga Progonati! Qenkemi nga i njëjti fshat… I biri i kujt je more djalë?.. Tha djali: I biri i Hasanit!…Mos more: Po qenkemi vëllezër! Dëgjomëni or miq! Kur më arrestuan, vëllai ishte fëmijë: Kulloste bagëtinë. Tani më është bërë burrë për burg!…Dhe përfunduan në krahë të njëri-tjetrit…
Skena të tilla janë “gatuar” vetëm nga pena e Markest… Kaq tha Pjetri dhe u ul. Njerëzit në sallë dukeshin si të ngrirë…