Aktori i shquar Viktor Zhusti mbrëmë u fotografua me protestuesin Adriatik Lapaj, i cili sot ka hyrë në ditën e natën e 15-të që proteston nën dritaren e kryeministrit.
Kur Adriatiku e vendosi foton në rrjetin social, Zhusti reagoi publikisht duke e konsideruar përdorimin e fotos së tij një shpërdorim miqësie.
Pati reagime pa fund, që merrnin në mbrojtje Adriatikun, por edhe nga ata që merrnin rolin e avokatëve të mbronin integritetin e aktorit të shquar.
I nderuar Z.Zhusti:
Mos u trembni nga fotoja me Adriatik Lapajn.
Adriatik Lapaj nuk është as i akuzuar, as nën hetim, as për shpërdorim të parasë publike si grabitqar i tenderave, as për vjedhje të taksave tona, as për korrupsion, as për nepotizëm, as për klientelizëm, as si mashtrues i popullit.
Adriatik Lapaj proteston për arsye që edhe juve mund t’ju tërhiqnin të merrnit pjesë.
Nëse ju e keni zgjidhur pensionin me 1 milionë lekë të vjetra, me meritë padyshim, po për kolegët tuaj që vuajnë a mendoni ndonjëherë.
A nuk përbën ky fakt, që ju të dilni në protesta.
Po për pensionistët shqiptarë që paguhen për 45 vite punë sa tri shishe verë që kupola i pi gjatë një dreke, a ju bën ky fakt të vuani?!
Po për pacientët e Onkologjikut, që nuk kanë mundësi të kurohen,
Po për vajzat dhe djemtë e Shqipërisë, që në vend të bëhen aktorë si ju e ju t’ju mësoni artin aq të bukur të aktrimit,
rendin nga sytë këmbët, se shteti ua djeg tokën nën këmbë!
Po për prindërit që digjen nga malli për fëmijët e nipërit!
Tragjeditë e mëdha të Shekspirit duken sa të vogla përpara vuajtjeve sa të mëdha të shqiptarëve.
Elitat e një kombi dalin në ballë, jo në bisht.
Elitat në Shqipëri janë në bisht.
Ju jeni Aktor i shquar, pjesë e elitës kombëtare e fshehur pas kuintave.
Dilni në skenë Profesor Zhusti, mjaft pas kuintave!
Jeni Aktor i shquar.
Prandaj Adriatiku deshi të fotografohej me ju.
Për të frymëzuar njerëzit që kanë mbetur të zhgënjyer nga politika.
Ndërsa ju preferoni të heshtni ose tregoni trimëri duke denoncuar djalin e mikut tuaj,
që ndërkohë e uroj Gent Kamen për paroditë aq të bukura!
Nuk ta prish biografinë Adriatik Lapaj, z.Zhusti.
Përkundrazi ua ndreq në sytë e popullit, publikut!
Populli është si një plate e pafund spektatorësh.
Nuk është miqësi e rrugës, është miqësi e lirisë,
Do t’ju bënte nder juve, do t’ju nxirrte nga paskuintat.
Sepse roli pas kuintave është për suflerët, jo për Artistët e formatit tuaj,
që humbët një shans të bukur për të vërtetuar atë që thotë Albert Camus,
unë rebelohem, prandaj egzistoj!
unë protestoj, prandaj egzistoj!