Ja pse Robert Lulgjuraj ka shansin të shkruajë historinë dhe pse fitorja e tij do të silte një shans të rrallë për përpjekjet shqiptare në Washington
Shqiptarët në New York dhe Connecticut do të kenë të dielën më 7 dhjetor, shansin për të njohur nga afër dhe për të ndihmuar financiarisht kandidatin për Kongresin Amerikan, Robert Lulgjuraj.
Dy takime janë parashikuar me të: i pari në Restorantin “Club A Steakhouse”, në Manhattan, 2:00 PM, në Manhattan dhe pastaj në “Townhouse”, 35 Church Street, Greenwich, Connecticut, në 6:00 PM.
Nëse zgjidhet, Lulgjuraj do të bëhet shqiptaro-amerikani i parë në histori, me prindër emigrantë shqiptarë nga Ballkani, që do të bëhet kongresist, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Washington.
I ri në moshë, dinamik, me një karrierë të sigurtë përpara në fushën e ligjit (që tani ka vënë emër si ndihmës prokuror në Michigan), Lulgjuraj po provon fatin në politikë në Distriktin 10 të shtetit Michigan.
Që të arrijë këtë fitore historike, ai duhet të kalojë dy sfida të mëdha. E para të fitojë brenda një grushti kandidatësh republikanë që synojnë shansin për të konkurruar në nëntor 2026 dhe e dyta të fitojë betejën përballë kandidatit të Partisë Demokrate.
Lulgjuraj ka dy arsye të forta që të jetë optimist:
E para, mes kandidatëve republikanë është treguar më i suksesshmi në mbledhjen e fondeve. Njerëzit po tregojnë se kanë besim te fitorja e tij dhe kanë “votuar” me portofolet e tyre. Akush nuk do që të hedhë para për kauza që nuk shkojnë kund. Paraja nuk është gjithshka në politikë, por është një tregues i rëndësishëm.
E dyta, republikanët kanë fituar rregullisht në këtë zonë gjatë viteve të fundit.
Por mbetet ende shumë për të bërë. Një kandidat i ri republikan ka hyrë në garë dhe të tjerët do të mundohen ta ngushtojnë diferencën financiare. Nga ana tjetër, ky është një nga distriktet ku të dy partitë kanë mundësi fitoreje. Demokratët kanë shpresë që viti 2026 do të jetë një vit revanshi politik dhe Distrikti 10 në Michigan është rregullisht në listën e distrikteve ku mund të ndodhin përmbysje politike.
Më 2022, republikani afrikano-amerikan John E. James u zgjodh kongresist nga Distrikti 10 duke fituar 48.8% me 48.3%, pra vetëm me 0.5% diferencë nga rivali demokrat. Më 2024, doli më mirë, por tani po largohet për të kandiduar për Guvernator të shtetit Michigan. Kjo ka lënë bosh karrigen e kongresistit dhe të dy partitë duan ta fitojnë me çdo kusht. Dhoma e Përfaqësuesve ka 219 republikanë dhe 212 demokratë. Një grusht distriktesh mund të përmbysin pushtetin legjislativ.
Lulgjuraj ka nevojë për ndihmën e bashkatdhetarëve tanë tani. Ka nevojë për garën brenda Partisë Republikane. Sepse nëse fiton aty, mbështetja për të, në vjeshtën e 2026 do të jetë masive. Duke filluar nga vetë Presidenti Donald Trump. Sepse pak do të jenë distriktet ku do të përleshen të dy partitë. Ky është një nga ata.
Kur Kongresisti James vendosi të kandidojë për guvernator, vetë Presidenti Trump reagoi. “Je i sigurtë”, i tha “që kemi dikë që të të zëvendësojë aty?” Ka më shumë se 400 distrikte të Dhomës. Presidenti mban mend ato që janë më të rrezikuarat. Nëse republikani Lulgjuraj fiton, ai do të ketë një linjë direkte me Shtëpinë e Bardhë. Nuk do të kemi vetëm shqiptarin e parë në Kongres. Do të kemi edhe një mundësi të vyer lobimi që vjen rrallë.
Distrikti 10 në Michigan është një nga distriktet me më shumë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Vota e tyre mund të luajë një rol të madh. Mirëpo, deri sa të shkohet te vota, fushata e kandidatit Lulgjuraj do të ketë nevojë për muskuj financiarë.
Sot keni mundësinë që të ndihmoni një djalë të ri që vërtet do t’i shërbente shumë mirë të gjithë distriktit nëse do të shkonte si kongresist në Washington, si dhe do të shënonte një rekord historik për komunitetit shqiptar në SHBA. Një patriot i vërtetë zgjedhja e tij do të ishte një fitore për vetë Amerikën.