Kërcënimi më i madh i paraqitur nga lëvizjet totalitare është shkatërrimi i sferës publike, ç’rrënjosja e arenës ku individët përfshihen në diskurs dhe veprim politik kuptimplotë.
Firmëtarët e Pavarësisë nënshkruan lirinë por përjetuan dhunën dhe persekutimin më të egër. Madje, edhe pasardhësit e tyre e pësuan rëndë; disa u vranë, të tjerë u internuan, ndërsa një pjesë u zhdukën nga kujtesa historike për shkak të propagandës komuniste.
Ja fatet tragjike të disa firmëtarëve:
Shefqet Daliu, delegat i Elbasanit dhe autor i Deklaratës së Pavarësisë, u burgos, torturua dhe u ekzekutua nga regjimi komunist në vitin 1946.
Lef Nosi, firmëtar dhe njeriu që ruajti dokumentin e Aktit të Pavarësisë, u pushkatua më 20 shkurt 1946.
Qazim Kokoshi, firmëtar i Vlorës, që i mbijetoi Gestapos, vdiq nga torturat në hetuesinë komuniste në vitin 1947.
Xhelal Koprencka, vrarë pabesisht në 21 tetor 1949 për shkak të aktivitetit të tij patriotik, ushtarak akademist shqiptar i Perandorisë Osmane. U cilësua si reaksionar nga historiografia komuniste, emri iu fshi nga lista e nënshkruesve të pavarësisë po edhe varri iu prish dhe eshtrat e tij dyshohen se janë hedhur në një zonë të pashenjuar. Në arkivin e autoritet gjenden edhe dokumente për nipin e tij Xhelal Koprënckën, burgosur në Spaç dhe dënuar me pushkatim me akuzën se kishte tentuar të arratisej.
Sami Vrioni, delegat edhe nënshkrues, u burgos dhe vdiq në burg në vitin 1947.
Bedri Pejani, arrestuar nga regjimi shqiptar dhe i dorëzuar serbëve, u pushkatua në vitin 1948.
Zini Abaz Kanina, i burgosur në vitin 1951, torturuar për një vit dhe dënuar me burg, vdiq menjëherë pas lirimit.
Aristidh Ruci, arrestuar si tregtar i madh, u la në varfëri të skajshme pas lirimit nga burgu. Vdiq më 11 prill 1950, ndërsa shtypi i kohës e la vdekjen e tij në hije.
Ferit Vokopola, i burgosur nga regjimi, përktheu Kur’anin dhe iu përkushtua punës intelektuale pas lirimit. Ai vdiq në vitin 1969, duke vuajtur nga përbuzja dhe mjediset represive të kohës.
Qemal Karaosmani, nënshkroi dokumentin e pavarësisë, me siglën “Qemal Elbasani”. Emerohet me pas kryesekretar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër të Bujqësisë. Vdiq ne vitin 1946. Gjatë regjimit komunsit familja e tij u persekutua dhe asnjë nuk shkruajti në histori apo në libra për patriotin e shquar, i cili me dijet e tij, shoqëroi nga Durrësi për në Vlorë Ismail Qemalin për ngritjen e flamurit të pavarësisë. Gjithë pasuria e tij u mor nga shteti edhe banesën që kishte në lagjen “Spaikorre” në Elbasan.
Hajredin Cakrani, firmosi aktin e shpalljes së Pavarësisë dhe në mbledhjen e parë, u zgjodh anëtar i Pleqësisë, në Kuvendin e Vlorës dhe u caktua këshilltar i Ministrit të Luftës për organizimin e ushtrisë. Kontributi i tij u mohua, familja dhe trashëgimtarët u përndoqën dhe vëllai i tij Bektashi u konsiderua kriminel lufte dhe vdiq në burg.
Te internuar dhe te detyruar te emigrojne
Dervish Bicaku, Dhimiter Berati, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frasheri dhe Rexhep Mitrovica u detyruan të emigronin për t’i shpëtuar persekutimit. Ata u shpallën “kriminelë lufte” nga regjimi, pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Siç paralajmërojnë studiuesit e totalitarizmave, regjimet shtypëse jo vetëm që shkatërrojnë jetët e individëve, por edhe synojnë të zhdukin kujtesën dhe kontributin e tyre. Ky akt, megjithatë, qëndron si një dëshmi e pavdekësisë së firmëtarëve të Pavarësisë dhe një thirrje për të kujtuar sakrificën e tyre.

aidssh