Lëvizjet dhe protestat studentore, në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë arritur që, me vrullin, idealizmin dhe masivitetin e tyre, të bindin ish-studentët e shndërruar në qeveritarë, që të përmbushnin kushtet e tyre për një jetesë sa më të mirë e dinjitoze.
Protesta e studentëve të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë për “mbajtjen peng të diplomës së tyre” me një ligj të miratuar nga maxhoranca socialiste e Edi Ramës, nuk ishte masive, nuk ishte e vrullshme.
Megjithatë, një grup minimalist prej 36 studentësh po arrijnë të gërryejnë sistemin, jo me protestë, por me mekanizmat që siguron vetë sistemi juridik.
Në foto: Pamje nga protesta e studentëve të Mjekësisë para Parlamentit
Të hënën e kësaj jave (17 nëntor 2025), studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë arritën një fitore të vogël, por shumë domethënëse.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Strasburgu) pranoi të shqyrtojë padinë e tyre ndaj ligjit kontravers të Edi Ramës, i cili i detyron që të nënshkruajnë një kontratë, sipas të cilës pranojnë të punojnë në Shqipëri për një periudhë të caktuar kohore.
Në të kundërt, atyre do t’u mbahet diploma dhe do të detyrohen që të paguajnë kostot e arsimimit, një faturë shumë e konsiderueshme, megjithëse Universiteti i Tiranës është publik.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, megjithëse është vetëm për pranimin për shqyrtimin e padisë, është një akt shumë domethënës për studentët. Në shumicën e rasteve, gjyqtarët në Strasburg refuzojnë të regjistrojnë ankimet, pasi vlerësojnë se nuk ka elementë të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Në rastin e studentëve të Mjekësisë, Strasburgu ka pranuar ta shqyrtojë padinë, pra, janë identifikuar elementë të mundshëm të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Ky përbën një vendim i cili, krahas qeverisë së Edi Ramës, godet fuqishëm edhe një vendimmarrje, e cila nuk është aspak e pahijshme të cilësohet edhe si “vendim palaçosh” të shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji kontravers
Në 21 Korrik 2023, pak para pushimeve verore, moxhoranca socialiste në Parlament miratoi ligjin 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Sipas këtij ligji, studentët e Mjekësisë detyroheshin që të punonin, më së paku 5 vite në Shqipëri, pasi në të kundërt nuk do t’u jepej diploma dhe do të paguanin shpenzimet e shkollimit.
Në foto: Kryeministri Edi Rama, duke mbrojtur ligjin për studentët e Mjekësisë
Sipas qeverisë, që propozoi ligjin, kjo masë u vendos për të parandaluar “hemoragjinë” e mjekëve shqiptarë jashtë vendit. Pra, qeveria zgjodhi masën “penalizuese” ndaj studentëve, duke shmangur problemin real që nxit largimin e mjekëve, që nisin nga kushtet e vështira të punës, pagat e ulta dhe mungesa e karrierës.
Një grup studentësh të Universitetit të Mjekësisë, mbështetur edhe nga një grup deputetësh të opozitës, prej jo më pak se një e pesta e Parlamentit, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit, me argumentin se “ligji krijon shkel Kushtetutën, duke cënuar parimin e pasigurisë juridike; të drejtën për punësim dhe arsim; si edhe cënim i parimit të proporcionalitetit të masës”.
Vendim “palaçosh” në Kushtetuese
Gjykata Kushtuese, me shumicë votash, vendosi në 25 janar 2024, “pranimin pjesërisht” të padisë. Në fakt, fjala “pranim…” ishte thjesht një shprehje leksikore, pasi, në thelb, nuk ishte pranuar asgjë nga kërkesat themelore të studentëve dhe grupit opozitar.
Shumica e gjyqtarëve kushtetues, të përbërë nga kryetarja Holta Zaçaj, dhe anëtarët Fiona Papajorgji, Sandër Beci, Ilir Toska, Gent Ibrahimi e Marjana Semini, vendosën që të orientonin qeverinë që të rimerrte sërish ligjin dhe të ulte pragun e “pengmarrjes së diplomës së studentëve” nga 5 vjet, në 3 vjet.
Në foto: Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Praktikisht, sipas shumicës së Gjykatës Kushtetuese, studentët e Mjekësisë do të vijonin të ishin peng i ligjit, vetëm se për një kohë më të ulët.
Dy nga gjyqtaret e pakicës, Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, shprehën qëndrimin se ligji ishte anti-kushtetues, por për arsye tërësisht minore dhe që nuk lidheshin me thelbin e ankimit të studentëve.
Gjyqtarja Marsida Xhaferllari mbajti qëndrimin se duhej një ligj i ri për “Trajtimin e studentëve”, pasi vlera që ishte parashikuar në ligjin e miratuar nga Parlamenti për tarifën që duhet të paguanin studentët që nuk pranonin të punonin në Shqipëri “ishte shumë e lartë”.
Ndërsa një tjetër gjyqtare në pakicë, Elsa Toska, ishte për rrëzimin e ligjit, pasi “qeveria nuk ka argumentuar si duhet se ku e mbështet idenë që të paktën 50% e studentëve do të pranojnë të nënshkruajnë kontratën”.
Ndërkohë, pozicionimi më i qartë dhe i plotë në favor të kërkesave të studentëve është mbajtur nga gjyqtarja në pakicë, Sonila Bejtja. Ajo ka votuar për rrëzimin e ligjit, pasi “nuk përbën interes publik”, gjë që do të thoshte se edhe një ligj i arnuar, sërish ishte i panevojshëm dhe anti-kushtetues.
Sipas gjyqtares në pakicë, Bejtja, “…shteti mund të merrte masa të tjera efektive për të siguruar shërbimin shëndetësor në vend dhe për të evituar largimin e mjekëve jashtë vendit, duke e bërë më tërheqëse ofertën e punës, sipas mundësive të vetë ekzekutivit në këto drejtime punësimi…”.
Ligji i ri, rruga për në Strasburg
Me këtë “dhuratë” nga shumica (6-3) e anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por që faktikisht ishte shumicë 8-1, shumica parlamentare e Edi Ramës e rimorri ligjin dhe bëri ndryshimet në Shtator 2024, duke ulur pragun e “pengmarrjes” së diplomave të studentëve të Mjekësisë në 3 vjet.
Të keqardhur nga trajtimi që u bënë institucionet shqiptare, grupi i studentëve të Mjekësisë e sheh zgjidhjen vetëm në Gjykatën e Strasburgut. Një grup prej 36 prej tyre ankohen në gjykatën ndërkombëtare për “mungesën e arsyeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese në refuzimin e ankesës së tyre për diskriminim dhe në lidhje me proporcionalitetin e kushteve të ndryshuara të punësimit në vend”.
Në foto: Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për ankimin e studentëve shqiptarë të Mjekësisë
Në padinë e tyre, ata kanë argumentuar, ndër të tjera, se shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri e kanë pranuar vlefshmërinë e ligjit, por pa argumentuar se cili është “interesi publik”, për të cilin duhet aplikuar një “penalitet” ndaj tyre.
Tashmë, Gjykata e Strasburgut ka pranuar të regjistrojë ankimin dhe ka dërguar 4 pyetje për Shtetin Shqiptar, në atë që konsiderohet si hap i parë i procesit gjyqësor./Boldnews