EMISIONI VETTING
Albautor është një organizatë e rrethuar nga hijet e skandalit sepse akuzohet nga artistët se nuk shpërndan të ardhurat për veprat e tyre.
Albautor mbledh tarifat për përdorimin e veprave muzikore, letrare apo audiovizuale dhe më pas duhet ti shpërndaje ato tek krijuesit. Kjo organizatë është përgjegjëse për të mbrojtur repertorin shqiptar, por edhe atë të huaj, duke siguruar licenca për çdo subjekt që dëshiron të përdorë muzikë ose tekst të mbrojtur me të drejtë autori. Presidenti i Albautor është Elton Deda, Drejtor i Përgjithshëm Erion Muka dhe Drejtor Ekzekutiv Oltion Spiro.
Albautor ka një rol praktik shumë të rëndësishëm sepse mbledh tarifat që televizione, radio, lokale, platformat online apo organizatorë koncertesh duhet të paguajnë kur përdorin muzikë apo vepra të mbrojtura nga e drejta e autorit. Më pas, këto të ardhura shpërndahen te autorët përkatës, tekstshkruesit, kompozitorët apo producentët.
Në thelb, Albautor duhet të kujdeset që krijimtaria e autorëve të vlerësohet dhe të ardhurat e mbledhura nga ajo vetë t’u shpërndahen. Por nuk është kjo ajo që po ndodh pasi artistët prej kohësh kanë ngritur shqetësimin që nuk marrin të ardhura nga organizata për veprat e tyre më të transmetuara.
Sipas kompozitorit dhe Mjeshtrit të Madh Osman Mula, vetëm në Shqipëri nuk njihet e drejta e autorit, shpërdorohet dhe mund të merret çohet kudo, e ti vihet emri i një personi që nuk është autori.
”Ne te shtëpia kemi dy sahata, kemi sahatin e ujit dhe sahati i elektrikut. Po kështu duhet moniturar dhe e drejta e autorit. Nuk guxon. Dhe nqs ti nuk paguan dritat, futesh në burg për 20 mijë lekë. Si është e munduar që e gjithë krijimtaria jote 20-30 vjeçare, a kupton, të mos paguhet, të nëpërkëmbet dhe të zhvatin shokët e t’u?” shprehet i revoltuar Mjeshtri i Madh Osman Mula.
Një tjetër kompozitor dhe Mjeshtër i Madh, Vladimir Kotani pohon se nuk ndjehet i vlerësuar nga mënyra se si puna e tij vlerësohet rreth 100 euro në vit.
“Jam i ofenduar dhe i indinjuar dhe nuk e ndjej dhe as që e shikoj të mbrojtur të drejtat e mia krijuese dhe as që vlerësohet ekonomikisht transmetimit i krijimeve të mia, por tjetërsohet.
Bile nga disa institucione artistike, jo vetëm që nuk vihet në dijeni dhe të merret miratimi nga krijuesi, por mohohet edhe autorësia duke mos përmendur fare emrin e krijuesit kur e transmetojnë krijimtarinë,”, tha për “Vetting” kompozitori Kotani.
Madje dirigjenti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Edmond Doko shprehet se e drejta e autorit nuk ka asnjë lloj transparence.
“Unë jam anëtar si dirigjent i një shoqate interpretësh dhe është gati qesharake kur në fund të vitit, diku në numrin tim të llogarisë, në konton time bankare diku rreth 10 mijë lekë të reja, ndërkohë që unë s’e di sa opera e sa koncerte në këto televizione kam realizuar. Nuk i kam ndjekur, nuk kam qenë i kujdesshëm dhe unë s’e kam mbrojtur të drejtën time”, deklaron për “Vetting” Edmond Doko.
Ligji për të Drejtën e Autorit
Pas viteve ‘90, me ndryshimin e sistemit politik, Shqipëria nisi ndërtimin e një kuadri ligjor që njihte pronësinë intelektual. Ligji i parë shqiptar për të drejtën e autorit u miratua në vitin 1992 dhe u ndryshua disa herë, ku në 2005 u rishikua dhe u përshtat me standartet Bashkimit Europian dhe Konventës së Bernës. Në vitin 2016 do të miratohej ligji përfundimtar për të drejtën e Autorit i cili njohu edhe rolin e organizatave të specializuara si Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER, duke i bërë ato përgjegjëse për mbledhjen e tarifave dhe shpërndarjen e të ardhurave tek autorët. Po ashtu, ligji përcakton dënime të qarta për shkeljen e të drejtave të autorit, si gjoba, bllokim të materialeve të paligjshme dhe madje ndjekje penale në raste të rënda. Panorama