Çdo 23 Tetor, në Hungari festohet. Përkujtohet tetori i përgjakur i 1956-s. Hungarezët, një popull krenar, (magjarët e dikurshëm), janë përleshur udhëve të historisë për liri, dinjitet dhe për të qenë të pavarur.
Nga erdhën fillimisht hungarezët drejt asaj hapësire, që njihet aktualisht si Europa Qendore? Hulumtimet e fundit gjenetike kanë treguar se grupi kryesor gjenetik hungarez i gjeneratës së parë e ka origjinën në Azinë Qendrore/Siberinë Jugore dhe, ndërsa hungarezët migruan drejt perëndimit, u përzien me popuj të ndryshëm europianë dhe popuj të Kaukazit.
Në një vështrim të shkurtër historik do të duhej të sillnim në vëmendje se: “Kur romakët pushtuan zonën, ajo ishte kryesisht e populluar nga panonët, dakët dhe keltët. Panonët[1], ndoshta u keltëzuan, por fillimisht ishin jo keltë. Dakët janë të lidhur me trakët dhe janë paraardhësit e rumunëve modernë. Në shekullin e katërt të erës sonë, romakët lejuan fiset “barbare”, duke përfshirë gotët, alanët, hunët, markomanët dhe të tjerë, të vendoseshin në Panoni (Hungaria e sotme). Shumë prej tyre u larguan nga ky rajon, për në Europën Perëndimore, duke u lejuar hunëve të zgjeronin perandorinë e tyre.
Pasi Perandoria Hunike[2] u mund, më shumë fise gjermanike (duke përfshirë gepidët dhe ostrogotët) u zhvendosën në Panoni, gjë që na çon në fundin e Perandorisë Romake… Pra, para mbërritjes së hungarezëve, në fushën ku ata u vendosën, jetonin një numër popujsh. Ajo dominohej nga avarët, bullgarët dhe frankët, por në zonë kishte ende grupe gjermanësh dhe sllavësh.”[3]
“Përgjithësisht besohet se Hungaria u krijua kur magjarët, një popull fino-ugrik, filluan të pushtonin pellgun e mesëm të lumit Danub, në fund të shekullit IX. Megjithatë, sipas teorisë së “pushtimit të dyfishtë”, të arkeologut Gyula László, krijimi i Hungarisë mund të datohet në vitin 670, me mbërritjen e një vale më të hershme pushtuesish, Avarëve të Vonë, të cilët Gyula László i klasifikoi si Magjarët e Hershëm. Në të dyja rastet, në antikitet, pjesë të territorit të Hungarisë kishin formuar provincat e lashta romake të Panonisë dhe Dakisë.”[4].
Është i gjithëpranuar si argument se Hungaria, si shtet në mesjetë, shtrirë në qendër të Europës së sotme, lidhet me mbretin Stefan, i cili mori dy vendime shumë të rëndësishme:- Ndërtimin e një shteti feudal të centralizuar dhe përqafimin e katolicizmit modern, duke lënë pas paganizmin tradicional të fiseve magjare. Stefani I (lindur rreth viteve 970–975 në Esztergom, Hungari – vdiq më 15 gusht 1038.
Esztergomi (njihet si kryeqyteti i parë i Hungarisë, ku ndodhet dhe Domi[5] i madh, brenda të cilit, veç të tjerave, si pasuri identitare, ndodhet një pianofort, ku ka luajtur Franz Lizst, por në llagëme[6] ndodhet dhe varri i Kardinalit Jozsef Mindszenty-t[7], personazh qëndror i ngjarjeve të 1956-s. Esztergomi u shenjtërua më 1083, dita e festës është 16 gushti. Ja përse hungarezët kanë tri festa kombëtare: veç kësaj të gushtit, ata në mars festojnë një datë që lidhet me ngjarjet e vitit 1848 dhe festojnë një datë në tetor, e cila ka të bëjë me ngjarjet e 1956-s së përgjakur.
Stefani ishte mbreti i parë i Hungarisë, i cili konsiderohet themeluesi i shtetit hungarez dhe një nga figurat më të njohura në historinë hungareze. “Stefani ishte anëtar i dinastisë Árpád dhe bir i kryeprijësit suprem hungarez, Géza. Ai lindi pagan, por u pagëzua dhe u rrit si i krishterë dhe në vitin 996 u martua me Giselën, vajzën e Dukës Henry II të Bavarisë (dhe motrën e perandorit të ardhshëm të Shenjtë Romak Henry II).
Pas vdekjes së babait të tij (997), Stefani luftoi kundër një kryengritjeje të udhëhequr nga kushëriri i tij më i madh, Koppány, i cili pretendote fronin, në përputhje me rregullat e trashëgimisë së Árpád-ëve. Stefani e mundi Koppány-n në betejën e Veszprém-it (998) dhe e ekzekutoi si pagan. Në ditën e Krishtlindjeve, të vitit 1000 e.s., Stefani u vajos mbret i Hungarisë. Sipas traditës, ai mori nga Papa Silvestri II një kurorë, që tani mbahet si thesar kombëtar në Hungari. Kurorëzimi i tij shënoi hyrjen e Hungarisë në familjen e kombeve të krishtera europiane. Me përjashtim të një pushtimi nga perandori i Shenjtë Romak, Konradi II, në vitin 1030 dhe mosmarrëveshjeve të vogla me Poloninë dhe Bullgarinë, mbretërimi i Stefanit ishte paqësor.”[8]
Dy fjalë edhe për gjuhën hungareze. ”Hungarezët i përkasin grupit ugrian të familjes fino-ugriane të gjuhëve. Gjurmët më të hershme të gjuhës duhet të gjenden në parahistorinë e popullit dhe në territorin që ata zunë në lindje të lumit Oka, deri në malet Urale. Autoritetet e fushës së gjuhësisë deklarojnë qartë se shumica e këtyre popujve fino-ugrianë ende mund të gjenden në perëndim të maleve Urale, në rajonet e lumenjve Vollga, Kama dhe Petchora. [9]…
Publikimi në vitin 1972 i librit “Gjuha Hungareze”, redaktuar nga Lorand Benko dhe Samo Imre, është vepra më shkencore e përfunduar që nga viti 1907. Hungarezët përfaqësojnë “degën më perëndimore të familjes së gjuhëve urale (Finno-Ugri)”, sipas Ben Kolmre. Puna më e fundit, përpara vëllimit Benko-Imre, ishte ajo e Siegmu dhe Simonyi, botuar në vitin 1907. Këto punime dhe të tjera tregojnë se hungarishtja është vetëm një nga familja e gjuhëve urale.
Ky grup ka dy degë kryesore: fino-ugrike dhe samojede. Gjuhët fino-ugrike ndahen më tej në fino-permike dhe ugrike. Gjuhët fino-permike përfshijnë gjuhët balltike-fine, laponeze, voigaike dhe permike. Të gjitha këto mund të ndahen më tej. Grupi baltiko-fine përfshin gjuhët kareliane, ingriane, vepse, vote, estoneze dhe livoniane. Një diskutim i plotë i këtyre dhe ndarjeve të tjera, mund të gjendet në librin e Benko-Imre-s.”[10]
******
Pas themelimit të shtetit hungarez, tri janë betejat më të shquara të hungarezëve për idealet e lirisë dhe dinjitetit. Më 1848 populli hungarez luftoi për më shumë autonomi nga Austria, që disa vite më vonë më 1867-n shpuri në krijimi mbretërisë së dyfishtë.[11]
Ndeshja me forcat e Bashkimit Sovjetik më 1956-n, për neutralitet dhe sistem jo komunist. Dhe lëvizja paraprirëse në ish vendet socialiste, më 1989, që nisi në Hungari me hapjen e kufirit për gjermanët që filluan të braktisnin Republikën Demokratike Gjermane, me qëllim për të kaluar në Gjermaninë Perëndimore.
Personalisht jam ndalur çdo vit më 23 tetor, së paku më shumë se një dekadë me shkrime analitike dhe parashtrime burimore të faktologjisë historike, të dokumentuar se çfarë ndodhi në mes të viteve ‘50. Tronditja shpalosi përplasjen mes dy kampeve të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, por “kurban” u bë populli hungarez dhe lufta e tij për largim nga sistemi komunist njëpartiak. Vitin që vjen, më 2026-n, mbushen 70 vite nga 1956-ta që tronditi Europën dhe Botën, ngjarje kjo që, si është shprehur Henri Kissinger, paralajmëroi “Luftën e Ftohtë”.
Nuk është çudi që në të tria këto pikëkthesa të historisë, kundërshatri ka qenë Rusia ose më vonë Bashkimi sovjetik. Nuk e dimë nëse kjo lloj përplasjeje do të ketë shkaqe apo rrethana që mund ta përsërisin historinë. Por që kjo të mos ndodhi, së paku historia duhet njohur, duke mbajtur në vëmendje mësimet që dalin prej saj, hapur apo në mënyrë të tërthortë.
23 Tetori u shpall festë kombëtare në Hungari, në vitin 1991 nga Asambleja Kombëtare. Kjo ditë u zgjodh për të përkujtuar Revolucionin dhe Luftën për Liri të hungarezëve të vitit 1956 dhe gjithashtu shënon shpalljen e Republikës së Tretë të Hungarisë. Deklarata kishte pak a shumë këtë përmbajtje: Asambleja Kombëtare shpall sot zyrtarisht 23 Tetorin, festë kombëtare. Rëndësia politike e vendimit është, sepse kjo datë përkujtimore shpreh një homazh për revolucionin e vitit 1956, gjatë të cilit hungarezët luftuan kundër sundimit sovjetik.
Ajo përkujton gjithashtu ditën kur, më në fund, në vitin 1989 , Hungaria shpalli veten Republika e Tretë, duke hapur rrugën për politikë shumëpartiake, që shënoi rikthimin e pluralizmit politik në Republikën Parlamentare të Hungarisë.
Historia moderne e Hungarisë ka filluar me revolucionin demokratiko-borgjez të vitit 1948. Çfarë ndodhi në Revolucionin Hungarez të vitit 1848? Aso kohe fjalimi i Lajos Kossuth-it shkaktoi tronditje në Vjenë dhe revolucion në Budapest. Më 13 mars, turma vjeneze detyroi kryeministrin austriak, Klemens von Metternich, të jepte dorëheqjen. Perandori Ferdinand V pranoi kërkesat e reformatorëve hungarezë dhe lejoi krijimin e një qeverie të pavarur hungareze.
“Në vitin 1847, qarku i Pest-it e zgjodhi Lajos Kossuthin për ta përfaqësuar atë në Parlamentin e ardhshëm, ku ai mori udhëheqjen e “opozitës kombëtare”, e cila kishte rënë dakord për një program të gjerë reformash politike dhe sociale. Reformatorët bënë pak përparim në fusha dytësore, por ishte arritur një bllokim në çështjen qendrore, atë të kontrollit politik, kur lajmi i revolucionit në Paris (shkurt 1848) i dha Kossuthit mundësinë e tij për ta ndezur këtë valë ndryshimesh.
Më 3 mars, në një fjalim me fuqi të jashtëzakonshme, sepse gjuha e tij ishte po aq magjike sa edhe pena e tij , ai kërkoi heqjen e dorës së vdekur të absolutizmit vjenez, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur liritë e Hungarisë dhe të të gjithë popujve të monarkisë. Kossuth-i praktikisht i diktoi parlamentit një fjalim drejtuar kurorës, duke mishëruar programin e reformatorëve. Kur lajmi i revolucionit në Vjenë arriti në Parlament, më 14 mars, Kossuth–i e zgjeroi fjalimin. Si anëtar i delegacionit që e çoi atë në Vjenë të nesërmen, e pa atë të pranuar nga oborri i goditur nga paniku.”[12]
Konteksti historik ravijëzohet i tillë që, fjalimi u mbajt gjatë një periudhe të rritjes së ndjenjave të atdhedashurisë në të gjithë Europën dhe në parlamentin hungarez, i cili po shqyrtonte marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Perandorisë Austriake. Mesazhi kryesor dhe tronditës, analizues dhe parashikues, i fjalimit të Kossuth-it, ishte një argument i fuqishëm për kushtetutshmërinë dhe lirinë, duke dënuar sistemin ekzistues austriak, si shtypës dhe duke cituar dëshirën e populli për liri, nga ajo që ai e quajti “tym mbytës” dhe një “ajër i ndotur” nga “sistemi vjenez”.
Ai argumentoi se një dinasti e bazuar në lirinë e popujve do të nxiste besnikëri të vërtetë, krejt ndryshe nga sundimi i “zyrave dhe bajonetave”. Fjalimi pati një ndikim të menjëhershëm dhe të thellë. Studiuesit e historisë kanë mbërritur në përfundimin se shkaku i revolucionit duhet t’i atribuohet ndezjez së zjarrit revolucionar, si në Pest, ashtu edhe në Vjenë. Këto lëvizje shpunë në ndryshime të thella politike. Si rezultat i drejtpërdrejtë, revolucioni në Vjenë, më 13 mars, e detyroi Perandorin Ferdinand V të pranonte kërkesat për një qeveri liberale hungareze dhe çoi njëkohësisht në dorëheqjen e Kancelarit Klemens von Metternich.[13]
Qeveria hungareze, e themeluar, ndodhej përballë vështirësive. Pavarësisht se ishte një qeveri e re, më liberale dhe më e pavarur, ajo shprehte realizmin e një nga qëllimeve kyçe të revolucionit të vitit 1848. Në një nga fjalimet e tij në Amerikë, Lajos Kossuth deklaroi:”Për ta vërtetuar këtë, nuk kam ndërmend të hyj tani në një shpjegim të hollësive të luftës sonë, të cilën pata nderin ta drejtoj, si Kryemagjistrati i zgjedhur i vendit tim të lindjes.
Është shumë e kënaqshme për mua të gjej se kauza e Hungarisë , përveç disa keqinterpretimeve qesharake të keqdashjes , kuptohet saktë këtu. Do të deklaroj tani vetëm një fakt dhe ai është se përpjekjet tona për pavarësi, u shtypën nga ndërhyrja e armatosur e një fuqie të huaj despotike: Parimi i gjithë të keqes në tokë – Russia. Dhe, duke deklaruar këtë fakt, nuk do t’ju ndërhyj përsëri me pikëpamjet e mia, por do t’ju sjell në kujtesën tuaj doktrinat e vendosura nga burrat tuaj të shtetit. Së pari – kthehem te George Washingtoni juaj i madh. Në njërën nga letrat e tij, drejtuar Lafayette,[14] ai thotë:
“Politikat e mia janë të qarta dhe të thjeshta: mendoj se çdo komb ka të drejtë të krijojë atë formë qeverisjeje, sipas së cilës mendon se mund të jetojë më i lumtur; dhe se asnjë qeveri nuk duhet të ndërhyjë në shqetësimet e brendshme të një tjetri.” Ja ku e mbështes qëndrimin tim: —mbi një parim të Washingtonit, jo thjesht si një politikë të përkohshme, të llogaritur për njëzet vitet e para të foshnjërisë suaj. Rusia ka ndërhyrë në shqetësimet e brendshme të Hungarisë dhe duke vepruar kështu, ka shkelur politikën e Shteteve të Bashkuara, të vendosura si një parim i qëndrueshëm nga vetë Washingtoni.”[15]
Si përfundim, çfarë përfaqëson revolucioni i 15 Marsit 1848? Kjo është më shumë se një pyetje. 15 Marsi është një nga festat kombëtare, që festohet në Hungari. Kjo ditë shënon fillimin e revolucionit kundër Perandorisë Austriake, që ndodhi në vitin 1848 në Hungari. Është një simbol i demokracisë dhe pavarësisë kombëtare. Është një simbol i sovranitetit të Hungarisë.
Lajos Kossuth (1802–1894) ishte një aktivist liberal, që luftoi për pavarësinë e Hungarisë nga Austria fqinje. Ai ishte një gazetar i shkëlqyer dhe politikan i zgjuar, dhe për një kohë të shkurtër iu afrua arritjes së qëllimit të tij për liri dhe vetëqeverisje. Ky personalitet reformator njihet gjerësisht si heroi i Revolucionit Hungarez dhe gjatë jetës së tij ai u nderua në të gjithë Europën dhe SHBA-në, si një luftëtar i përkushtuar i lirisë.
Në kohën e lindjes së Kossuth-it, Hungaria e tij ishte nën sundimin e rreptë të Austrisë dhe kryeministrit të saj, Metternich-ut. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeç, Kossuth-i hyri në praktikën ligjore të babait të tij, por u pushua nga puna për shkak të një aksidenti dhe në vend të kësaj ai fitoi jetesën si zëvendës i një anëtari të Dhomën Kombëtare, një asamble formale kjo, qëllimet e së cilës ishin në kundërshtim me ato të qeverisë austriake. Sipas titullit të tij të ri, Kossuth-i pritej të botonte fshehurazi rrëfime me shkrim të mbledhjeve të Dhomës, me qëllim që të ngjallte mbështetjen popullore. Duke dëgjuar për praktikat e tij, qeveria austriake e arrestoi atë me akuzën e tradhtisë dhe e mbajti në burg për dy vjet, derisa Dhoma kërkoi lirimin e tij.
Pasi u lirua, ai u lidh me një mikun e tij të ngushtë dhe filloi përsëri shkrimet e veta, këtë herë për një gazetë të partisë liberale. Megjithatë, ai humbi punën pas një mosmarrëveshjeje me punëdhënësin e tij dhe mbeti pa punë për tre vjet, para se të zgjidhej në Dhomën Kombëtare. Pak më vonë, dhe pas Revolucionit në Paris, një turmë rrëzoi Metternich-un dhe miku i ngushtë i Kossuth-it u bë udhëheqës i qeverisë së re, duke e bërë atë Ministër të Financave.
Pasi qeveria e sapokrijuar ra disa muaj më vonë, Kossuth mori kontrollin e plotë, duke i rezistuar në mënyrë efektive rreziqeve nga kroatët dhe serbët, si dhe nga reaksioni vjenez. Ai nxori Ligjet Hungareze të Pavarësisë dhe më pas u zgjodh Guvernator-President. Megjithatë, ai nuk ishte aspak në konkurrencë me rusët dhe, pas ndërhyrjes së tyre në anën e Austrisë, u kap dhe u mbajt në arrest shtëpiak, përpara se të arratisej në një fregatë. Ai lundroi për në Angli dhe Amerikë, për të fituar mbështetje dhe ndërhyrje në ndihmë të Hungarisë, por, pavarësisht vlerësimeve të mëdha, me të cilat u prit në të dy vendet, lutjet e tij mbërritën shumë vonë, për të qenë efektive. Të mërguar të tjerë hungarezë e sulmuan atë me pretendimin si përgjegjësi i vetëm për revolucionin dhe ai u akuzua gjerësisht për arrogancë dhe si frikacak. Përpjekjet e mëtejshme për të formuar një legjion hungarez, këtë herë me ndihmën e Napoleonit III, ishin përfundimisht të pafrytshme dhe ai refuzoi të merrte pjesë në negociatat për Kompromisin Austro-Hungarez, të vitit 1867.
Në vend të kësaj, ai qëndroi në Itali dhe iu hoq shtetësia hungareze, për shkak të mungesës së tij. Ai vdiq në Torino. Disa statuja të imazhit të tij tani qëndrojnë në vende të ndryshme europiane, në kujtim të veprës dhe kontributit.
Pas 108 vitesh, që nga 1848-a demokratike-borgjeze, më 1956-ën, Hungaria, që kishte dalë e mundur nga Lufta e Dytë Botërore, mbeti nën influencën sovjetike. Por shpirti i lirë hungarez, dëshira për një shtet të pavarur dhe që do të vetëqeverisej, pavarësia nga një fuqi e madhe, siç doli Bashkim Sovjetik pas luftës, kishin rrënjë të thella, që nga marsi i 1848, madje edhe më thellë në historinë e këtij populli. Revolucioni Hungarez i vitit 1956 ishte një revoltë mbarëkombëtare kundër politikës së imponuar nga sovjetikët, e cila në fund u shtyp me forcën e armëve nga Bashkimi Sovjetik.
E nxitur nga destalinizimi dhe pakënaqësia publike në rritje, ku u përfshinë punëtorët, studentët, intelektualët, shtypi, radio dhe ushtarakë,[16] kryengritja çoi në një qeveri të përkohshme reformiste, drejtuar nga Imre Nagy, e cila shpalli neutralitetin dhe planifikoi të tërhiqej nga Pakti i Varshavës.
Në përgjigje, ushtria sovjetike ndërhyri brutalisht, duke rivendosur një regjim komunist, besnik ndaj Moskës, duke shkaktuar me mijëra vdekje të hungarezëve, arrestime të gjera, si dhe në largimin nga vendi e afërsisht 200,000 refugjatëve. Po çfarë përfaqësonte komunnizmi në Hungari? A ishte ai i refuzuar apo më shumë merrte përparësi të qenit e Hungarisë një shtet i pavarur dhe jashtë blloqeve? Pra, si mund të themi, interesi gjithëpërfshirës ishte Hungaria, një vend neutral apo diçka tjetër? Le të shohim më nga afër situatën që u krjiua. “Komunizmi në Hungari”, referuar në një intervistë të profesorit të shquar hungarez të historisë, zotit Ignác Romsics[17], shpërfaqte.
Eshtë interesante të shpjegojmë,- nënvizon profesori-, se si në fund të Luftës së Dytë Botërore, trupat sovjetike e pushtuan Hungarinë. E citoj: “Pas Luftës së Dytë Botërore, a kishte ndonjë shans që Hungaria të mos bëhej shtet satelit i Bashkimit Sovjetik?” Jo, deri në fund të luftës. Nëse zbarkimi i Aleatëve do të kishte ndodhur përmes Ballkanit, siç e kishte imagjinuar Churchill-i, në vend të Normandisë, atëherë do të kishte qenë e mundur. Ose, nëse fushata italiane e vitit 1943 nuk do të kishte ngecur dhe forcat aleate do të kishin arritur në Transdanubia (Hungaria Perëndimore), përmes asaj që është Sllovenia e sotme, deri në verën ose vjeshtën e vitit 1944, (kjo ishte ajo çka shpresonin Admirali Mikós Horthy, kreu i shtetit të Hungarisë), udhëheqja ushtarake hungareze do të gjente arsyeja të hynë në një marrëveshje armëpushimi me Aleatët Perëndimorë, në shtator të vitit 1943. Por, në vend të forcave britaniko-amerikane, Ushtria e Kuqe pushtoi Hungarinë.
Kjo ndodhi kryesisht, sepse më 23 gusht 1944, Rumania shpalli një armëpushim dhe kaloi në anën e Aleatëve. Kështu u hap rruga për trupat sovjetike, që të marshonin në Hungari nga lindja. Kjo ngjarje në thelb përcaktoi fatin e Hungarisë, siç u dëshmua nga e ashtuquajtura Marrëveshja e Përqindjeve, e tetorit 1944, ku Churchill-i dhe Stalini i ndanë vendet e Europës Lindore në sfera ndikimi. Këtu, Hungarisë iu caktua një kontroll sovjetik prej 80 përqind”.
Sipas profesorit hungarez të lartëcituar, ndryshimet e thella strukturore, ekonomike, politike dhe mendësore, ndodhën përgjatë periudhës 1945-1949. Fillimisht në Hungari, prona private dhe sistemi kapitalist, u ruajtën. Po kështu, ndikimi apo trysnia ndaj politikës dhe kulturës, ishte e kufizuar. Gradualisht transformimet e thella komuniste nisën të ndihen. Fillimisht u eleminua sistemi shumëpartiak dhe u krijua sistemi parti-shtet, që vuri nën kontroll të gjithë pushtetet. Prona private u shtetëzua dhe u ndërtua sitemi i centralizuar i ekonomisë. U godit dhe, në shumë drejtime, u mënjanua apo u asfiksua elita drejtuese, si dhe u imponuan një sistem barazimtarizmi ekstrem, i bashkëshoqëruar me shtypjen, duke përhapur në mënyrë agresive ideologjinë bolshevike në fushën e kulturës dhe arteve. Ky ishte pushtimi i vërtetë. Hungaria e lirisë dhe orientimit borgjez po deformohej në historinë dhe identitetin e saj. “Procesi,- e përmbyll parashtresën argumentuese, profesor Ignac Romisc,- u përfundua në vitin 1949 ,me miratimin e një kushtetute të stilit sovjetik dhe zgjedhjet e para njëpartiake. Midis viteve 1949 dhe 1956, Hungaria nuk kishte absolutisht asnjë pavarësi. Çdo aspekt i jetës qeverisej nga Partia Komuniste, e cila zbatoi një sistem terrori, nën të cilin njerëzit jetonin në frikë të vazhdueshme.”[18]
A mund ta duronin hungarezët këtë realitet, ekonomik, social, politik dhe shpirtëror? Koha provoi që jo. Edhe pse revolta e 1956-s u shtyp pas dy javësh, kryengritja rezultoi të ishte një pikë kyçe për historinë e mëvonshme të Hungarisë dhe më gjerë. Ngjarjet e 1956-s u mësuan hungarezëve se ata nuk mund të mbështeten në ndihmën nga jashtë, në luftën e tyre për pavarësi. Por edhe Moska zyrtare nxori mësime nga revolta e 1956-s. Ata kuptuan se, po ashtu si në 1848-n, hungarezët nuk do ta duronin atë lloj shtypjeje, së cilës iu nënshtruan njerëzit në Bashkimin Sovjetik. Sistemi politik komunist hungarez ishte më shumë një qasje pragmatike, e ideuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Hungareze, János Kádár, i cili është njohur si “modeli hungarez”.
Ky do të ishte një sistem që nuk kërcënonte shtetin njëpartiak, as edhe interesat “perandorake” të Bashkimit Sovjetik. Gjithçka rrodhi pak a shumë kështu, deri më 1989. Me propagandë u krijua përshtypja se shumica e hungarezëve e pranuan atë realitet si optimal. Në fakt, pak njerëz e pëlqyen në të vërtetë. Ishte kjo arsyeja që rikthimi në pluralizmin politik, te sistemi liberal-demokrat dhe te prona private, ndodhi herët dhe pa pengesa në Hungarinë e pragfundit të viteve 80-të, të shekullit XX. Janë disa autorë amerikanë, që janë zhytur në kërkime dhe studime për Hungarinë e vitit 1956, si, fjala vjen: “Dymbëdhjetë Ditë”, Historia e Revolucionit Hungarez, të vitit 1956, nga Peter Bookman, i cili ofron një përshkrim, gati kronikal, të përditshëm të ngjarjeve. ”Revolucioni Hungarez”, nga Theodore Draper, i cili përqëndrohet në rolin e politikave amerikane dhe sovjetike gjatë Revolucionit Hungarez. Janë librat e Victor Sebestyen mbi komunizmin hungarez, shumë të rëndësishëm, për të kuptuar kontekstin më të gjerë historik.
Si u përgatitën ndryshimet në Hungari, në vitin 1989? Zsuzsanna Hargitai[19] shkruan në lidhje me këtë periudhë ndryshimesh. “Në janar të vitit 1989, unë isha,- deklaron ajo-, në shërbimin e jashtëm të Republikës Popullore të Hungarisë. Në prill vizitova Londrën për herë të parë në jetën time, duke marrë pjesë në Forumin e Informacionit të KSBE-së, ku përfshimë një “anëtar të opozitës” në delegacionin zyrtar hungarez. Pastaj shkova në takimin e KSBE-së ,në Paris , për të Drejtat e Njeriut, ku për herë të parë mund të flisnim për gjendjen e vështirë të pakicës kombëtare hungareze në Rumani dhe t’i thoshim “jo” një ftese nga delegacioni sovjetik për një “festë çaji”, pra koordinim midis shteteve anëtare të Paktit të Varshavës.
Mëtej e kalova verën si pjesë e delegacionit hungarez, duke negociuar, ose më saktë duke komunikuar, hapjen e kufirit të Hungarisë me Austrinë, ose ndryshe – Perden e Hekurt. Meqë ra fjala, Perdja e Hekurt nuk ra vetvetiu. Ajo duhej të thyhej, të hapej nga presioni i njerëzve, nga vendimet e guximshme dhe në kohën e duhur të disa politikanëve. Më vonë mora një copë teli me gjemba, të vendosur në kornizë, me një dedikim personal nga Kryeministri i Hungarisë në atë kohë, Miklós Németh.”
Më tej,- shtjellon zonja Hargitai,- ndodhën këto ngjarje, që e rrokullisën situatën. Në tetor ajo ishte pjesë e delegacionit hungarez në takimin e nivelit më të lartë të Traktatit të Varshavës, Komitetit Konsultativ Politik. Atje pati një përpjekje të fundit për t’u sjellë pak kohezion anëtarëve të tij. Mandati im,- kujton ajo,- ishte të parandaloja një deklaratë të përbashkët mbi bashkëpunimin ekonomik, me një “qasje konstruktive”. Kjo grua kurajoze përdori për here të pare fjalë që sot janë fjalor i zakonshëm i BERZH-it, si psh: integrimi i tregut, stimujt e tregut, inkurajimi i zhvillimit të sektorit privat dhe bankat tregtare. Nuk kishte asnjë shans që vendet e tjera ish-socialiste të binin, aso kohe, dakord me atë terminologji.
Në ditën e 3-të të takimit mbërriti lajmi: Hungaria e ka hequr termin “Republikë Popullore” dhe kundërrevolucioni i vitit 1956 u rivlerësua nga një politikan, me ndikim në pushtet, si një kryengritje popullore. Ndoshta ky ishte momenti kur u kuptua se ndryshimet në lindje të Vjenës, në Hungarinë kurajoze, ishin bërë të pakthyeshme. “Në nëntor, ndërsa po festonim ditëlindjen time, e cila rastësisht bie më 9 nëntor,- i mbyll kujtimet Zonja Zsuzsanna Hargitai,- mora një dhuratë të vërtetë ,surprizë për ditëlindje ,lajmin se banorët e Berlinit Lindor po plasarisnin, po shtypnin, po thyenin murin e Berlinit! Në fillim të dhjetorit patëm konsultime për politikën e jashtme me Departamentin e Shtetit në Washington – shumë çështje ishin në tryezë, duke filluar nga ndikimi i një tërheqjeje të mundshme të trupave sovjetike nga Hungaria, në ekuilibrin e forcave konvencionale në Europë e deri te situata e të drejtave të njeriut në Rumani.
*****
Po sot, ku është Hungaria? A vijohet në gjurmët e dikurshme? Diskutime dhe debate, argumente dhe kundërargumente ka pasur dhe vijon të ketë, por harresa nuk ka zënë vend. Sipas Istvan Deak, profesori i Historisë Seth Low, në Universitetin e Columbias dhe një ish-Bashkëpunëtor i Qendrës Wilson: “Tetori-nëntori i vitit 1956 dëshmoi ngjarjet më të rëndësishme në historinë hungareze, që nga viti 1848.” Por ,nëse historia politike, siç e ka zakon, merret me emra udhëheqësish dhe vlerësimin e tyre, apo me sqarim termash, për të dritësuar nëse ajo që ndodhi më 1956-n ishte revolucion, luftë për liri, apo një pleksje e tyre, profesori Istvan Deak, shkruan pa e fshehur një lloj dëshpërimi, e citoj:
“Shumë më pak vëmendje u është kushtuar njerëzve që bënë praktikisht të gjitha luftimet në rrugë dhe e shndërruan tranzicionin e pushtetit midis elitave komuniste në një përpjekje të guximshme, për ta shkëputur Hungarinë nga blloku sovjetik dhe sundimi njëpartiak. Ata luftëtarë numëronin më pak se një mijë në Budapest dhe ishin punëtorë dhe të tjerë jashtë klasës së mesme. Revista” Time” i njohu ata, duke e bërë “Luftëtarin Hungarez të Lirisë” Njeriun e Vitit, për vitin 1956.
Por që atëherë ata janë harruar, kryesisht duke e lënë të paqartë, nëse duhet të karakterizohen si luftëtarë të lirisë, antisemitë të krahut të djathtë apo kundërshtarë të rinj të regjimit komunist, që ndjekin gjurmët e atyre që u përpoqën t’i rezistonin regjimit komunist, nga viti 1945 e tutje. Që nga viti 1989, kjo pikëpamje e favorshme e atyre që dolën në rrugë, ka gjetur një zë tek ata që kërkojnë që viti 1956 të quhet një “luftë për liri”, si dhe një revolucion…Ivan Berend, ish president i Akademisë Hungareze të Shkencave, përcaktoi se viti 1956 “ishte një revolucion i vërtetë popullor”. Një nga aktet e para të qeverisë së re të vitit 1990 ishte shpallja e 23 Tetorit, festës kryesore kombëtare të Hungarisë, duke zëvendësuar 7 Nëntorin, përvjetorin e Revolucionit Bolshevik në Rusi.”[20]
Historia mund të fali, por nuk duhet të harrojë.
—-
[1] Panonët ishin një grup i lashtë njerëzish që banonin në rajonin e Panonisë, kryesisht i përbërë nga ilirët vendas dhe gjithashtu, duke përfshirë disa fise kelte, të cilat u ndikuan nga Perandoria Romake. Ata identifikohen si një popullsi e larmishme, që përfundimisht u romanizua me fise specifike ilire si Amantinët, që njihen veçanërisht për rezistencën ndaj pushtimit romak. https://www.google.com/search?q=Who+were+the+Pannonians+as+a+population%
[2] Perandoria Hunike ishte një perandori e gjerë dhe jetëshkurtër, e themeluar nga Hunët, një konfederatë fisesh nomade nga Azia Qendrore, të cilët migruan në Europë rreth vitit 370 pas Krishtit. Nën udhëheqjen e Atilës, perandoria u rrit duke përfshirë një pjesë të madhe të Europës dhe ushtria e saj e fuqishme shpesh i detyronte Perandoritë Romake Perëndimore dhe Lindore të paguanin haraç. Pas vdekjes së Atilës, në vitin 453 pas Krishtit, perandoria u shpërbë shpejt, ndërsa bijtë e tij luftuan për kontroll.
https://www.google.com/search?q=Hunnic+Empire&oq=Hunnic+Empire&aqs=c
[3] https://www.reddit.com/r/AskHistorians/comments/5xx14i/who_lived_on_the_hungarian_plain_before
[4] https://www.britannica.com/place/Hungary/History
[5] “Shtatë kisha njihen nga Mesjeta në Kodrën e Kështjellës. Katedralja e Shën Adalbertit, e cila sipas burimeve tona të shkruara ekzistonte rreth vitit 1010, ndodhej afërsisht në vendin e Bazilikës së sotme. Në veri, pranë Kullës Veriore të Bazilikës së sotme, ndodhej Kisha e Shën Stefanit e Parë martir, e cila u ndërtua nga Princi Géza dhe kronologjikisht ishte kisha e parë në këtë vend. Kisha e tretë ishte Kapela e Rrumbullakët nga koha e Shën Stefanit, e zbuluar në pallatin mbretëror Árpád-házi. Një certifikatë nga viti 1284 përmend kapelën e Shën Vidit (kisha e katërt) e vendosur në Kodrën e Kështjellës në Esztergom. Kisha e pestë me origjinë mesjetare ndodhet gjithashtu në pallatin mbretëror Árpád-házi, është Kapela e Kështjellës së III. Béla. Kryevepra e gjashtë e shquar e arkitekturës hungareze të Rilindjes është Kapela Bakócz, e cila u ndërtua në shekullin e 16-të. Që nga zhvendosja e saj në vitin 1823, ajo ka qenë Kapela Anësore e Bazilikës.”- https://visitesztergom.hu/en/sights/basilica-of-esztergom/
[6] Niveli -1: Nëntempulli (vendvarrimi i priftit kryesor, vendi i varrimit të kanonistit)
[7] Eshtrat e Jozsef Mindszenty-t, kryepeshkopit katolik romak antikomunist të Hungarisë pas luftës, u sollën në vendin e tyre të fundit të prehjes në atdheun e tij të shtunën, 16 vjet pasi ai vdiq në mërgim në Austri.
Rreth dhjetë mijë njerëz mbushën sheshin kryesor përpara Katedrales imponuese të Esztergomit, selisë së Kishës Katolike në Hungari, nën qiellin e mbuluar me re për të marrë pjesë në meshën mortore të celebruar nga Kardinali Opilio Rossi.
[8] https://www.britannica.com/biography/Stephen-I-king-of-Hungary
[9] https://www.utoledo.edu/library/virtualexhibitions/mppcoll/images/History/Perry.pdf
[10] https://www.utoledo.edu/library/virtualexhibitions/mppcoll/images/History/Perry.pdf
[11][11] Mbretëria e dyfishtë, e njohur edhe si Kompromisi Austro-Hungarez ose Perandoria Austro-Hungareze, u krijua në vitin 1867 nëpërmjet një marrëveshjeje kushtetuese të njohur si Ausgleich (ose Kiegyezés). Kjo marrëveshje krijoi një monarki të dyfishtë, ku Mbretërisë së Hungarisë dhe Perandorisë Austriake iu dha status i barabartë, duke ndarë ministri të përbashkëta për punët e jashtme, mbrojtjen dhe financat, ndërsa mbetën të pavarura në fusha të tjera.- https://www.google.com/search?q=When+was+what+is+known+as+the+dual+kingdom+created%3F&oq
[12] https://www.britannica.com/biography/Lajos-Kossuth
[13] Klemens von Metternich (i lindur më 15 maj 1773, Coblenz, Kryepeshkopata e Trierit [Gjermani] – vdiq më 11 qershor 1859, Vjenë, Austri) ishte një burrë shteti austriak, ministër i punëve të jashtme (1809–48) dhe një kampion i konservatorizmit, i cili ndihmoi në formimin e aleancës fitimtare kundër Napoleonit I dhe që e rivendosi Austrinë si një fuqi kryesore evropiane, duke pritur Kongresin e Vjenës në 1814–15. https://www.britannica.com/event/Concert-of-Europe
[14] “Lafayette” më së shpeshti i referohet Marquis de Lafayette, një aristokrat francez, i cili ishte oficer ushtarak dhe figurë kyçe, si në Revolucionin Amerikan, ashtu edhe në atë Francez. Ai është i famshëm për shërbimin e tij vullnetar në Revolucionin Amerikan nën George Ëashington dhe për bashkë-hartimin e Deklaratës Franceze të të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit. Emri i referohet gjithashtu shumë vendeve, më së shumti Lafayette, Luiziana, një qytet i njohur. https://ëëë.google.com/search?q=Lafayette&oq=Lafayette&aqs=chrome..69i57j46i512l2j0i512j46i512l2j0i512j46i175i199i512j0i512j46i512.4782j0j7&sourceid=chrome&ie=UTF-8
[15]. SELECT SPEECHES OF KOSSUTH. YII.—HEREDITAEY POLICY OF AMERICA. (Speech at the Corporation Dinner Neë York Dec. 11-th, 1851.)-https://mek.oszk.hu/20600/20690/20690.pdf
[16] Elementë të ushtrisë hungareze iu bashkuan protestuesve deri në një farë mase, fillimisht duke refuzuar të qëllonin mbi ta dhe, madje, duke luftuar përkrah tyre kundër trupave sovjetike. Megjithatë, ushtria hungareze në fund nuk ishte në gjendje ta ndalte pushtimin sovjetik dhe kryengritja u shtyp nga Ushtria e Kuqe Sovjetike.”- https://www.google.com/search?q=Did+the+army+join+the+1956+protesters+in+Hungary%3F&oq=
[17] Ignác Romsics është një nga historianët më të njohur në Hungari, i specializuar në shekullin e 20-të. Gjatë karrierës së tij, ai ka shkruar më shumë se një duzinë librash, përfshirë monografinë ambicioze, “Hungaria në shekullin e njëzetë”. https://ëëë.offbeatbudapest.com/intervieës/communism-in-hungary-intervieë-ëith-history-professor-ignac-romsics/
[18]https://www.offbeatbudapest.com/intervieës/communism-in-hungary-intervieë-ëith-history-professor-ignac-romsics/
[19] Zsuzsanna Hargitai ka shërbyer si Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Me seli në Serbi, Zsuzsanna …në perjudhën 2018-2021.
[20] Istvan Deak Present Day Hungarian Politics and The Memory of 1956. Global Europe Program. July 7, 2011. https://www.wilsoncenter.org/publication/136-present-day-hungarian-politics-and-the-memory-1956