Parulla “Kushtetutë, Republikë, o me hatër o me luftë” nuk është shpikje e vitit 1981.
Ajo ka gjenezën në demonstratat e vitit 1968. Ne, studentët e vitit 1981, që nuk u pajtuam me luksin dhe gllamurin jugosllav, ishim të edukuar dhe kalitur në frymën që nisi në pranverën e vitit 1968.
Bardhyli nuk mund t’i dijë gjërat që lidhen me organizimin e 11 marsit 1981, sepse ai nuk ka qenë pjesë e grupit organizator. Nuk është e vërtetë që demonstratat e 11 marsit ishin vetëm për “kushte”. Kushtet ishin vetëm preteksti për të shpërthyer mllefin, pakënaqësinë dhe disidencën tonë ndaj regjimit jugosllav.
Po, në marshin që bëmë duke dalë nga menza, ne i thamë parullat:
“Duam kushte!”, “Duam Republikë!”, “Lironi shokët nga burgu!” — fjala është për ideologun tonë, Bacën Adem Demaçi.
Pa organizimin tonë, pa veprimin e pesë shokëve që e nisëm demonstratën, nuk do të kishte pasur demonstrata më vonë — ato të fundmarsit 1981 që u rritën dhe u bënë gjithpopullore. Bardhyli aty ishte vagon, jo lokomotivë.
Dhe jo, Bardhyl, nuk është e vërtetë që nuk ke pranuar pozita. Ti i ke pasur ato — por gjithmonë i pakënaqur, gjithmonë duke kërkuar më shumë. Si soji yt, që nuk di kurrë ç’është “boll” e “mjaft”. Kur nuk i arrite ato që dëshiroje dhe nuk munde të grabisje çfarë synoje, fillove t’i shpallje shokët tradhtarë e spiuna. Kështu i ke bërë të gjithëve — madje edhe Ali Ahmetit. Dhe në fund, ike e u strehove në Zvicër.
Soji yt — matrapaz, hajdut, llupës pa fre, përvetësues pa kandar — ka përfunduar në bërllokun e historisë. Ju nuk keni më asgjë të përbashkët as me veten tuaj të dikurshme, e lëre më me ndonjë gjë tjetër fisnike. Populli ju ka parë, ju ka njohur dhe ju ka gjykuar. Prandaj sot nuk ju do më askush.
Dhe ta them edhe njëherë, sepse më njeh mirë: ku të duash, kur të duash, si të duash. Po deshe, vij në Zvicër — dhe ia bëjmë si dikur, kur ishim të rinj.