U bëra edhe unë njëherë problem në shkollë pa ta marrë e mira ta marrë.
Isha në fillore. Nuk mbaj mend shumë hollësi por vetëm gazmendin dhe kërshërinë mbi një album me ngjyra që kishim gjetur në një klasë ngjitur me tonën, nuk e harrova për një kohë të gjatë.
Klasa ku hymë me shokun tim ishte pa nxënës. Bosh. Mësuesit ishin futur në një mbledhje me ca që kishin ardhur nga Komiteti ose seksioni i arsimit. Albumi me kapakë të trashë kishte pamje të bukura nga Kina e madhe Socialiste. Një çast, pasi e pamë mirë e mirë për së dyti dhe së treti, Xhixhi Karaulja, shoku im i ngushtë një bankë pas meje, që nuk linte dy gurë bashkë, më thotë:
-E marrim albumin ne klasën tonë dhe e kthejmë tek vendi ku e morëm në pushim të gjatë. Ta shikojmë edhe një herë nga e para.
Ashtu bëmë. Ç’nuk pamë aty: Një shesh të madh ( Sheshi Tiananmen ose Porta e Qiellit) ku rreshtoheshin shokët kinezë me kostume dhe shumë parakalime me armë. Pamë tarracat që kishin hapur nëpër kodra kinezët që mbanin në supe ca si kova të vogla ku hidhinin dheun; orizore të pafunda, uzina, kantiere, e plot të tjera. Po pamë edhe shokun Mo Ce Dun me udhëheqës të tjerë. Shokun Mao e njihnim nga shkolla. Po asnjë tjetër veç tij, nuk njihnim. Le që kinezët na dukeshin te gjithë njëlloj në pamje, si vëllezër ose shumë-shumë si kushërinj të parë.
-Sa bukur!-shpreheshim dhe sytë na ngeleshin te ikonat me ngjyra në albumin me faqe lustrafine dhe panoramat, po edhe te udhëheqësi i madh, Mao Ce Duni, me kostum dhe faqet buçko.
-Mbaje ti në bankën tënde, poshtë me librat dhe ma kthen në pushimin e gjatë, -më tha për albumin Xhixhi- Po mos ua trego të tjerëve!.-dhe vuri gishtin tregues në buzë në kuptimin sinjalistik të gjestit: “shshëët!”
Nuk i tregova njeriu dhe në pushimin e gjatë, ia ktheva albumin, i trishtuar që ky thesar do të çohej tek vendi ku e morëm.
-Bukur hë?-tha Xhixhi.-Të pëlqeu?
-Shumë bukur!
-Ça të pëlqeu më tepër?-më pyeti në korridor kur po kalonin dy sanitaret e shkollës.
-Fotot me lumenj, ato me oriz, me Murin e Madh kinez dhe ato me Mao Ce Dunin.-e ngrita zërin.
– Po Mao, ama, m’u duk se e kishte kokën shumë të madhe. Për kokë të mamasë, në të gënjej ! -iu betova.
-Sa të madhe?
-Naaa!,-ia bëra dhe me duart e hapura anash kokës.
Xhixhi u shqye gazit në korridor gjatë pushimit të gjatë.
Ne, atëhere na ishte ngulur në kokë që në fillore, radha e udhëheqësve të marksizëm -leninizit që kishim parë nëpër foto solemne, vendosur në këndet e kuq, në fasada publike të mureve në qytete dhe nëpër ndërmarrje, punuar shpesh nga dizenjator-piktorët e këtyre ndërmarrjeve stolisur nëpër koriza gjithandej: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Mao Ce Duni dhe xhaxhi Enver…. I dinim me sy mbyllur, më mirë se emrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë.
***
Historia e albumit kinez do te ishte fshirë krejt, me kohë e me vakt nga kujtesa ime si nxënës i fillores, si të ishte shkruar me shkumës në dërrasën e zezë të klasës sikur, një pasdite në shtëpinë tonë në katin e parë të pallatit ku banonim, të mos na vinte për vizitë mësuesja ime, Rashua ose më gjatë, Rashideja. Ajo mbante në sup çantën qe merrte ne shkollë dhe në dorë një rrjetë jeshile, thurur me fije plastike benda së cilës kishte vendosur një bukë të sapo blerë dhe një pako makarona.
-Mirëmbrëma! -tha mësuese Rasho sapo u hap porta e shtëpisë pas trokitjeve.
-Uaaa, urdhëroni, urdhëroni, mësuese Rasho!-shprehu habinë mamaja ime.
Unë dhe motra ime e madhe në klasë të gjashtë fluturuam menjëherë nga dhoma e gjumit sapo u shfaq mësuesja në derë. Por, që prapa perdes që ndante si një skenë dhomën nga kuzhina, i bënim veshët pipëz për të dëgjuar bisedën e mësueses.
-Mos u shqetësoni, Arta , Kalova këtej për të bërë ndonjë psoni *) dhe m’u kujtua diçka që të biseduar me ty.
-Urdhëro!-tha mamaja që doli nga aneksi i dhomës së ndënjies dhe e ftoi të ulej në kanape ndërkohë që mbi tryezë vendosi një gotëz të vogël qelqi me fron ku shtiu liker për qerasje dhe një kupëz qelqi me karamelet e asaj kohe “Zana”.
-Ç’e mirë ju solli këtej nga ne, ju lumshin këmbët!
-Po ja, si të them, moj Arta. Nuk kam ardhur fare kot.
Pastaj e uli pak tonin e zërit.
– E di ti, se ç’ka thënë në shkollë djali juaj dhe nxënësi im, Rubeni?
-Beni im?! E nga ta di, moj xhane! Gjoithl ditën deri në darkë në punë, në përpunim sherebeli në Grumbullim*. (ndërmarrje përpunimi e bimëve medicinle)
-Ka thënë….,- dhe e uli edhe më, tonin e zërit duke parë nga dritarja e hapurt e dhomës si mos ta dëgjonte njeri jashtë në trotuar.
-….Ka thënë që Maua, domethënë, shoku Mao Ce Dun, e ka kokën të madhe..! Shumë të madhe!
-Mao Ce Duni?
-Po, po! Dhe kjo fjalë,-vijoi mësuese Rasho, e menduar,-tani ka shkuar deri në drejtori të shkollës dhe kuptohet edhe në veshët e organizatës bazë të Partisë…
-Ç’më thua, moj mësuese kështu?! Qyqjaaa! Ky spurdhiaku tonë ka thënë gjëra të tilla për udhëheqësin e madh të Kinëls?-tha me një lebeti dhe ton dramatik mamaja.
Flutura motra ime, më cimbiti fort me thonj në kurriz:
-More budalla, nga këtë gjëra keni thënë në klasë!? More viçok i motrës, hee? Prandaj këto ditë ke rënë edhe në mësime, more, more karafil?
-Shëëët!-ia bëra motrës duke e duruar heroikisht dhimbjen nga cimbat edhe në krah dhe në ije.
-Puna është se nga i ka dëgjuar këto fjalë pa unë e di që ai është një fëmijë i edukuar…-tha mësuese Rasho dhe heshtoi pak si për të hetuar mamanë e shkretë që kishte mbetur, e stepur është pak të thuash por e ngrirë si kallkan.
-Po ç’të them unë e zeza!…Pale, ku i ka dëgjuar këto fjalë se në në shtëpi, moj xhane, ne, nuk bëjmë kurrë muhabete të tilla as me të mëdhenj e as me të vegjël, jo se jo. Kurrë!
-Nuk e di. Mua më ngarkuan si detyrë që të kërkoj se nga i ka dëgjuar këto fjalë me zarar,* (me spec, me rrezik) nxënësi im, Ruben Molla…
E hapa edhe pak më shumë cepin e perdes për të parë skenën me mësuesen dhe mamanë. Mësuese Rasho, tani po gjerbëte e brengosur gllënkat e kafesë me sytë nga mamaja.
-Në fakt, për këtë çështje më thirri drejtoresha e shkollës, Polikseni….dhe më tha: “E dini ju shoqja Rasho ….se një nxënësi juaj ka sharë shokun Mao Ce Dun?!…
-??….shokun Mao?
-Po! Shokun Mo Ce Dun.!Ju nuk dini gjë për këtë çështje? Nën hundën tuaj bëhem këto gjëra që nuk dihen se ku e kanë burimin po qëllimi është i qartë për ne si drejtori dhe tani, edhe për oprganizatën bazë të Partisë.
Si drita e diellit është e qartë. Vetë shoku Habib, më kërkoi që, pa e bërë të madhe, të gjejmë anës e anës, se kush e tha i pari këtë proçkë.-përfundoi mësuesja citimin e drejtoresh Poliksenit.
-Po kush është ky Habibi, moj xhan?-pyeti mamaja.
-Shoku Habib është sekretari i organizatës së Partisë në shkollën tonë tetëvjeçare,
-Është mësues edhe ky?
-Jo.Është marangozi i shkollës.Po kjo nuk ka rëndësi.
Mamasë i kërcyen të sajat.
-Nuk kemi pse t’i biem fare, anës e pas anës, siç thotë ai Habibi i organizatës-tha ajo.- Djalin e kam këtu dhe briti:
-Beni! Ruben! Ku je futur? Eja këtu shpejt, tani!
Unë hiç. Motra që pas perdes më ndukte: Ik more, kokëtul, ty po të flet!
Më në fund i drojtur, dola në skenë me një libër në dorë si rrufepritëse.
-Pa na thuaj këtu, more kastravec se kur i paske thënë ato fjalë për Mao Ce Dunin?
-Ç’fjalë?
-Që Maua, domethënë, që shoku Mao Ce Dun e ka kokë të madhe!- dhe më këputi një çok të fortë në kokë me gishtin tregues.
-Nga kush e ke dëgjuar këtë që ke thënë në shkollë? Fol!- përsëriti duke e ngritur tonin në gradën kërcënuese.
-Nga askush!
-Si nga askush?-ndërhyri mësuesja.-Pa eja ulu pak këtu te afër meje.
Ndjeva se veshët më ishin bërë si spec i kuq. Por më vinte edhe inat që ishte bërë miza buall.
-Shiko xhan i mësueses, nuk po flas se e ke thënë ti këtë gjë për udhëheqësin e madh të Kinës socialiste. Po, nga kush e ke dëgjuar? Dhe ajo që ka më tepër rëndësi: E ke dëgjuar brenda apo jashtë shkollës? Domethënë jashtë institucionit arsimor?..Se kjo gjë. ia thashë edhe mamasë tënde, është bërë e madhe dhe çështja ka shkuar jo vetëm në drejtorinë e shkollës sonë po edhe në organizatën bazë të Partisë…
-Foool! e ngriti zërin mamja.
-Nuk ka nevojë t’i bërtasim,-më mbrojti mësuesja. -Thjesht kujtou se kush e tha këtë gjë që ti e përsërite në shkollë gjatë pushimit të gjatë. E dëgjove brenda shkollës nga ndonjë mësues, mësuese apo jashtë mureve të shkollës. Këtë duam ta dimë. Vetëm kaq, gjë të vogël duam.
-Fol, more të drejtën, thuaja se do të na bësh rezil * ( )në mes të miletit!,-tha mamaja dhe më këputi me çukun numër dy në kokë.
-Mos!- iu përgjigj mamasë mësuesja që piu një tjetër gllënkë nga filxhani dhe vijoi arsyetimin.
-Në të vërtetë, -tha ajo, -mua, m’u tha nga drejtoria të kërkoja ndonjë hollësi nga nxënësi që i ka lëshuar ose i ka përsëritur, këto fraza armiqësore pasi, çështja arriti deri në organizatën bazë të Partisë dhe hodhi sytë sa nga mamaja edhe nga unë, i pandehuri.
Shigjetat e dy palë syve më ishin ngulur si heshta në kokë dhe i ndjeja tani edhe në trup.
-Kaq. Vetëm kaq duam nga ti si fillim: Jashtë, apo brenda shkollës i ke dëgjuar?
-Jashtë apo brenda shkollës?-përsëpriti me ton kërcënues edhe mamaja që ta hiqte këtë bela*) (shqetësim) nga dera e shtëpisë.
-As jashtë dhe as brenda shkollës!,-thash me zemër në dorë.
-Si, as jashtë dhe as brenda shkollës?-pyeti mësuese Rashideja.-Si na qenka kjo punë?
-Heee?! -më nguli sytë mamaja.
-Po ja, si qe puna..,- dhe u thashë të vërtetën e albumit me kapakë të trashë dhe bisedën me shokun e ngushtë Xhixhin. Se isha unë pikërisht ai që isha habitur nga madhësia e kokës së Udhëheqësit, por që me siguri më ishte dukur. Se nuk kishim asnjë qëllim ta shanim udhëheqësin e Kinës së madhe socialiste . Asnjë.
-Domethënë nuk e ke dëgjuar nga asnjeri?
-Nga asnjeri për kokë të mamasë- u betova.
-Të vërtetën!
-Po. As nga brenda e as nga jashtë shkollës, mësuese.Pyesni po deshët edhe Xhixhin. Unë, Xhixhi edhe… xhaxhi Mao, ishim. Asnjë tjetër!
Mësuese Rashideja, pasi më pa me dyshim një copë herë, u ngrit dhe u përshëndet me mamanë. Gjyqi im për kokën e Maos kishte mbaruar me kaq. Isha nxënës në klasën e katërt. Fillore.///
—o0o—
