PJESA E DYTË
“Çfarë do të bëjë populli i Kosovës tani? – e pyet Stalinin. Dhe pas pyetjes, përsëri reflektohet shitmendja se, – ne mendojmë se populli shqiptar i Kosovës, Metohisë dhe Malit të Zi duhet të luftojë që të çlirohet, ashtu siç do të bëjnë edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë. Gjëja e parë që ai duhet të bëjë, është të futet në luftë të ashpër pa kompromis kundër klikës së Titos në kryengritjen e armatosur. Luftën ai duhet ta fillojë sa më parë. Në qoftë se e fillojnë të tjerët ca më mirë, sepse kështu evitohet izolimi dhe shtypja e Lëvizjes në Kosovë. Populli i Kosovës duhet ta konsiderojë luftën e tij të lidhur ngushtë me luftën e gjithë popujve të Jugosllavisë në kuadrin jugosllav, se ndryshe izolohet dhe shtypet. Duhet që populli shqiptar i Kosovës të kuptojë se çlirimi i tij dhe fitimi i të drejtave demokratike dhe nacionale, munden të arrihen me bashkimin e luftës së tij me luftën e popujve të tjerë të Jugosllavisë.
Por çështja është se gabimet e PKJ nuk duhet të përsëriten në lidhje me Kosovën e Metohinë. Kosova dhe Metohia duhet të kenë udhëheqjen e tyre të dalë nga lufta me një Komitet Nacionalçlirimtar, i cili do të përcaktojë vijën e luftës në bazë të rezolutës së Byrosë Informative dhe në parimet marksiste-leniniste-staliniane. Në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë Komuniste Internacionaliste për Kosovë e Metohi, brenda kuadrit të Partisë Komuniste Internacionaliste Jugosllave. Shqiptarët e Kosovës dhe të Metohisë, të luftojnë me flamurin shqiptar.
Njësitet të udhëhiqen nga shqiptarë të dalë nga lufta dhe parimi i vetëvendosjes pas çlirimit të jetë i qartë dhe si konsekuencë e luftës së ashpër që populli shqiptar i Kosovës do të bëjë kundër klikës së Titos dhe imperializmit, në vëllazërim me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Ndjenjat patriotike e internacionaliste dhe dashuria për atdheun e tyre, Shqipërinë, duhet të zhvillohen në shqiptarët e Kosovës e Metohisë. Përmbi çdo gjë te shqiptarët e Kosovës e të Metohisë duhet të krijohet me baza të shëndosha besimi dhe dashuria e pakufishme për BRSS, për Partinë Bolshevike, për Stalinin dhe kosovarët ta kuptojnë mirë se pa këta nuk ka Shqipëri të lirë, as Jugosllavi të lirë, as Kosovë të lirë dhe as që mundet të përmbushen kurrë aspiratat e tyre. Shqiptarët e Kosovës të kuptojnë mirë se armiku i pamëshirshëm i tyre dhe i vetë Kampit është imperializmi amerikan, satelitët e tij dhe klika e Titos, e cila nuk është gjë tjetër, përveçse agjentura e tij”.
LETRA SEKRETE
“Letra ‘sekrete’ (në italisht) dërguar Stalinit për Kosovën është e stërzgjatë, kopje siç thamë që nuk gjendet as në ish Arkivin e KQ të PPSH as në AQSH, veçse në italisht një letër e tillë është gjendur në Arkivin e Federatës Ruse. Në fund ajo, letra mbyllet: Për Komitetin Qendror, Enver Hoxha dhe është firma e tij. Me demagogjinë më të madhe, me këtë letër për Stalinin, jo pa qëllim “të vonuar e shfajësuese” sepse është e vitit 1949, Enver Hoxha jo vetëm nuk e ka qëllimin te mbrojtja e çlirimi i Kosovës dhe i kosovarëve, por shtrembëron edhe faktet historike, pasi asgjësohet mbrojtja, me pyetjen se ku ishte ai në kohën e “dashurisë së zjarrtë” me Titon?! E vërteta është se vetë Enver Hoxha ishte në epiqendër të “dashurisë” për Titon e Jugosllavinë dhe se ai me dashje, manipulon e shtrembëron faktet dhe ngjarjet historike.
Letra është e mbushur me plot të tilla shtrembërime historike, të bëra me qëllim nga Enver Hoxha dhe mbi të gjitha evidentohet ajo, që ai popullin shqiptar të Kosovës e quan jo një herë por disa herë “minoriteti” kosovar. Për këtë duhet thënë se:
Së pari, shqiptarët e Kosovës, Enver Hoxha, përmes kësaj letre ja prezanton Stalinit si popull pa atdhe, si minoritet. Por nga Fjalori Enciklopedik, minoritet është ajo pakicë kombëtare e një populli që jeton në territorin dhe vendin e një kombi tjetër. Kjo, e bërë nga Enver Hoxha, duke e quajtur popullin kosovar minoritet, është skandaloze, është kriminale! Sipas Enver Hoxhës, del se toka shqiptare e Kosovës, meqë del sipas Enver Hoxhës (në këtë letër), se nuk qenka shqiptare, por është serbe, dhe gjithnjë sipas tij (po në këtë letër) “shqiptarët atje janë minoritarë”.
Së dyti, kosovarët gjithnjë sipas tij e kësaj letre prezantuese te Stalini, “nuk kanë luftuar” dhe se “ato, kosovarët kanë përkrahur pushtuesin, fashizmin e nazizmin”. Edhe kjo është skandaloze, por që tërthorazi miraton masakrat që bënë partizanët e tij ndaj popullit etnik kosovar dhe me masakrat e tyre sollën vendosjen e pushtetit ushtarak jugosllav në Kosovë.
Së treti, Enver Hoxha akuzon “shumë me vonesë” udhëheqesit jugosllavë, se ato e paskan fajin që nuk e ngritën popullin kosovarë në Luftën Nacional-Çlirimtare. Po Partia Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxha, në cilat dokumente apo platformë e ngriti apo e bëri udhëheqjen e Luftës Antifashiste në Kosovë?!
Së katërti, Enver Hoxha pranon jo pa qëllim veprimet anti-Kosovë të tij ose “shitjen” e Kosovës nga ai që gjatë Luftës së Dytë Botërore, që më 8 nëntorin e vitit 1941 (në themelimin e PKSH), e në vijim, me 16 shtatorin e vitit 1942 (në Konferencën e Pezës), me 3 gushtin e vitit 1943 (në Mbledhjen e Mukjes) apo me 2 janarin e vitit 1944 (në Konferencën e Bujanit), ku për të gjitha përpiqet të “shfajësohet vetë” se “…nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së Luftës…”, se nuk i linte Tito, por këtë heziton ta thotë.
Së pesti, Enver Hoxha i akuzon malazezët se dërguan forca për të shtypur popullin e Kosovës dhe anashkalon Divizionet e tij, që masakruan masivisht me muaj të tërë vëllezërit e një gjuhe e të një gjaku kosovarët, për “hatërin e Titos” e për sigurimin e pushtetit personal të Titos e të vetes.
Së gjashti, fryma dhe cilësimi nga Enver Hoxha se kosovarët janë minoritet, përfshin gjithë letrën e gjatë për Stalinin, çka tregon bindjen e plotë të Enver Hoxhës për popullin kosovar dhe nxjerr në pah vlerën e vërtetë të inteligjencës së tij, injorancën historike e kulturore të Enver Hoxhës.
Së shtati, menjëherë sa hap e mbyll sytë, regjimi i Titos sipas kësaj letre të Enver Hoxhës, u kthye nga “i mirë” për popujt e Jugosllavisë përfshi edhe shqiptarët e Kosovës, në “i keq”, ku në Jugosllavi sipas Enver Hoxhës “mbretëron terrori fashist hitlerian”. Demagogji klasike kjo e Enver Hoxhës! Nuk mund të ndodhë kështu, që një ditë më parë të jesh regjim “bolshevik e popullor” dhe të nesërmen të kthehesh në regjim “fashist e hilerian”! Se nëse pranojmë këtë rokadë alla enveriste, atëherë edhe vetë regjimi i Enver Hoxhës u instalua gradualisht në regjim hitlerian (në fakt ashtu ishte). Jo vetëm kaq por kjo “mençuri” e Enver Hoxhës kërkon ta mësojë edhe Stalinin se ‘çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste (nga banda e Titos) dhe nga kthetrat e imperializmit”, është emergjente”!
Së teti, në “mendësitë” që përpiqet t’i japë Stalinit, për çështjen e Kosovës, Enver Hoxha e “këshillon” që “në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë komuniste internacionaliste për Kosovë e Metohi (Metohi koncepti serb ) brenda kuadrit të partisë komuniste internacionaliste jugosllave”.
Së nënti, Enver Hoxha, në këtë letër, është edhe kontradiktorë me vetveten e tij sa s’ka më. Pasi tjerr gjatë se “lufta e popullit kosovar kundër Titos, duhet bërë në kuadrin e Jugosllavisë”, në vijim po vetë thotë se “kyçi i luftës së tyre është bashkimi me Shqipërinë”!
Në realitet duhet pranuar se Enver Hoxha diti të përfitojë me zgjuarsi nga përplasja mes Josif Broz Titos dhe Josif Visarionaviç Stalinit. Në librat “Faktori Sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953” dhe “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave ruse 1944-1953”, janë botuar shumë dokumente të panjohura, të nxjerra nga arkivat e ish-perandorisë komuniste sovjetike.
/Gazeta Panorama