Një tufëz me lule poetike për 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit

“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” (Konfuci)
Kur nxënës ne kemi qenë
Mësuesi quhej prind i dytë,
Dinjiteti i tyre kishte vlerë,
Si mësuesit s’kishte të dytë.
Ata qenë të mençur shumë,
Qenë si male hyjnorë,
Ata qenë diell në furtunë,
Një nga një u bën’ meteorë.
Mësuesit më ikën një nga një,
Fisnikët e mi të lartë,
I kam, dhe pse s’ua dëgjoj atë zë,
Në frymëmarrjen time dit’ e natë.
Ku t’i gjej t’u puth fjalën
Siç puth Dheun e Flamurin,
Si bregu i detit pret valën
Pres urtësinë e tyre të Burrit.
Mrekulli mund të ndodhë vërtet
Të bëhem sa një e mijta e tyre,
Ata erdhën e ikën profetë,
Dhe zbukurojnë qiellin me yje.
Nderim mësuesve të mi
Më të mirëve në botë,
Baras qenë me Perëndi,
Diell që thyen çdo shqotë.
Mësues të dashur, Gëzuar 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit, sepse në kushte shumë të vështira, në kohë dhe hapësirë kornizore, ju ishit vërtet më të mirët në botë, të zotë, të aftë e të plotësuar me dije, të devotshëm e të përkushtuar si ju, dinjiteti i shkollës dhe krenaria e arsimit shqiptar. Si ata që më kanë dhënë mua mësim, edhe të tjerët, jo vetëm në Tërbaç, Labëri, Vlorë, Tiranë e kudo në Shqipëri ishit Misionarë të Vërtetë Drite.
Dritë ata që janë në krahë të Paharrimit tonë e, se na vështrojnë nga yjet, dritërofshin në përjetësi…
Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!
Nderim nga Albert R. Habazaj
