
1.
Tek mora udhën për drejt Syrit të Kaltër, duke lënë pas qytezën e Bistricës me HEC-in teposhtë majës së Koqinolitharit dhe po udhëtoja përmes luginës së Shtregut, dikur, si mes tuneleve te gjelbëruara të faqeve të lumit majtas e djathtas; befas, m’u shfaqën sysh në faqe mali gjurmët dramatike të zjarreve të fundit.
Zjarret kishin lënë ngado gjurmët e tyre duke kafshuar pa mëshirë jo vetëm Kardhikaqin, Pecën dhe Delvinën, por ishin ngjitur edhe kurrizet e shpateve të Malit të Gjerë që e ndan këtë anë të vendit, me Gjirokastrën dhe Dropullin në anën tjetër.
Gjuhët e zjarrit të tërbuar ishin ngjitur deri te majëmali, madje, deri sipër te Rruga e Gjarpërit e cila, e shtrirë horizontalisht poshtë kontureve të Malit të Gjerë, me gjurmët e kobta e të zeza të zjarreve, të kujtonte gjurmët e etjes së tmerrshme të kuçedrës në legjendën e Syrit të Kaltër dhe Bistricës, e cila me zjarrin që i digjej në bark pas gëlltitjes së gomarit ngarkuar ne eshkë të ndezur, lëshonte gjuhët e flakës nga goja e hapur dhe e pëvëluar duke djegur para gjithçka: majtas e djathtas….
Pastaj gjurmëve poshtë kontureve të malit, dhe shkrumbit që la pas, me Rrugën e Gjarpërit që duket edhe sot, thotë legjenda; rrëshqiti pingul poshtë në prehërin e malit dhe e lebetitur nga zjarri në bark, thirri : Nënë Bistricë, ujë se plasa! Dhe i nguli dhëmbët e tmerrshëm, bash atje ku, prej atij çasti dramatik të legjendës shpërtheu fill, burimi i Syrit të Kaltër…

2.
“Qaj moj Shqipëri/ E ulëri, e gjorë…”
E zeza e zjarreve të fundit, kish mbuluar sipërfaqe të tëra kësaj ane te Shqipërisë juperëndimore. Po, deri ne ç’masë zjarret dramatike të verës i gllabëruan pyjet e kullotat?
…Në mesgushti kur udhetova, Sarandë- Urë të Kardhiqit e më tej në Tepelenë, më kaluan para syve -zjarret apokaliptike ngado…… në… Senicë, në Rrëzomë, Kopaçez… gjithandej. Një zë i brendshëm që bëhej se vinte nga mugut e shekujve.
Ndjeva se m’u këput diçka thellë në shpirt. Në vend të jeshiles me magjinë e saj dhe pejzazheve mahnitëse të hapësirës nga Tuneli i Skërficës e deri teposhtë, luginës së lumit të Kardhiqit që buron nga malet e Labërisë së Gjirokastrës, mtani të mbinin në sy tymi dhe flakët. Tym e flakë në Lunxhëri, tym-e flakë-e shkrumb në hapësirën mes Hormovës dhe Leklit përballë Ujit të Ftohtë dhe…shkrumb pyjet e vetë fshati Lekël i Thanas Vajës…
“Lere, nuk flas dot, dëme të mëdha,,, edhe Kisha e fshatit u dogj edhe ajo, u bë hi e shkrumb”,- më kish thënë me dhimbje një ditë më parë në telefon miku e kolegu im gazetar nga ky fshat, Aleksandër Toti. Nga shpirti m’u këput një vaj që kisha dëgjuar, dikur (aso kohe për herë të parë në vitin 1978) në Hormovë, nga një plakë e mençur me emrin Shero. Por, në tjetër kontekst: “Qaj moj Shqipëri/ E ulëri, e gjorë!….
-Qentë!– thashë me zë, më tepër me vete, për barbarët e zjarreve po edhe për eunukllëkun e organit të akuzës që nuk nisi një ras me iniciativë kryesisht prej alarmit të shpirtit ato ditë apokalptike kur Shqipëria po digjej.
Njeriu në timon befas më pyeti.
-Fole gjë?
-Hiç! E kam me zjarret dhe sehirxhinjtë… Po vazhdo…

3.
Periferia e Syrit ose “dogana”
Lëndina e dikurshme pranë portave të liqenit të Syrit të Kaltër sot është shndërruar në minitreg ku gëlojnë zhurma dhe muzikë nga mëngjesi deri vonë në mbrëmje që përplasen si kurrë më parë në periferinë e “perandorisë së qetë të Syrit të Kaltër dhe liqenit të tij” që shtrihet pa asnjë valëzim si një ixhade Persie, blu e jeshile, po edhe e bruztë.
Zëra që ftojnë vizitorët e të gjitha moshave, turistë që për intuitën shpesh të pagabuar të taksinjve e kanë të shkruar në ballë se nga vijnë, për shkak të veshjeve po edhe të nuancave të ngjyrës .
-Taxi! “Taxi? . Diçka prej tregjeve të Manastiraqit e ndoshta edhe të Stambollit.
– Sarandë, Gjirokastër, Kakavije, Qafë Botë për Igumenicë e Korfuz, Tiranë, Kosovë, Vlorë, Korçë, Tiranë, ku të dojë zemra juaj ne ju shpiem!…Siguri, standart…- dhe qeshin vetë të parët.
Turistët buzëqeshin. Zgjedhin. Çiftet e reja, marrin motoçikleta dhe monipatina. Të moshuarit, taksi. Është një kaos i bukur dhe kakofoni zëtrash para portave për Syrin e Kaltër.
Gjuhët? Si te Kulla e Babelit..Shqip, anglisht, greqisht, rusisht, sërbisht, italisht, polonisht, arabisht….Të gëzon fakti që ka shumë fëmijë me prindër që mbërrijne pothuaj nga çdo cep i botës për të shijuar e ndjerë adrenalinë në një tjetër botë në këtë oaz gjeonatyror.

4.
AdZM dhe Parku i Syrit.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Parku Natyror i Syrit, janë njësi që kanë një qëllim: rujtjen, administrimin dhe promovimin e vlerave që bartin si pasuri kombëtare.
Tri vite me parë në Butrint u realizua mbledhja e parë e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura (KMZM) të Parkut Natyror Rrëzomë dhe Parkut Kombëtar Butrint. Në prezencë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, kryetarit të Qarkut dhe Prefektit të Qarkut Vlorë. I pranishëm edhe autori i këtyre radhëve, kujtoj se veç të tjerash atje u caktuan edhe disa nga temat që do të përbënin prioritet në programi i edukimit mjedisor në bashkëpunim me zyrat arsimore parauniversitare të qarkut Vlorë dhe publikut apo vizitorëve në përgjithësi, një plani higjenizimi, veprimet për mbetjet, etj,. Aso kohe, ishte emergjente rreziku nga ndotjet dhe largimi i automjeteve që hynin pothuaj deri te burimi i Syrit të Kaltër si një pasuri unikale gjeonatyrore në Shqipëri. Dhe nevoja e një treni ekologjik për të transportuar vizitorë drejt Parkut Natyror duke shmangur krejtësisht qarkullimin e automjeteve, (sikurse në disa parqe natyrore sot në botë); në atë takim pune, tingëlloi i bukur, i dobishëm po i vështirë për t’u realizuar më parë, më bëri të njohur Nexhip Hysolakoj, përgjegjës i sektorit të monitorimit në AdZM e Vlorës.
Por sot është një realitet i prekshëm dhe menaxhohet nga një subjekt privat, ndërsa skenat me ndotje, pellgjet ku mbetej autobuzi me turistë të huaj dhe të tjera pamje primitive që bënin xhiron e mediave nëpër botë, kanë mbetur pas ose, nëpër arkiva.
Epiqendra e Syrit dhe shtigjet, urat prej druri, dhe te tjerra mjedise ekzotike, ku sot kalojnë vizitorët sipas grupeve të interesit, gëlojnë çdo ditë të vitit nga qindra e mijëra turistë.


5.
Treni i kuq dhe makinisti Pajtim.
Një borie e papritur çan hapërisën e perandorisë së gjelbër dhe befas vëmendja e vizitorëve që presin të hyjnë në zonën e mbroijtur të Syrit të Kaltër, përqëndrohet te “treni i kuq” që mban si një targë vitit 1850. Është padyshim një gjetje atraktive e subjektit privat.

Ka mbërritur në stacionin e fundit ku një numër turitësh nisin të zbresin “nga vagonat” e hapur dhe të tjerë nxitojnë me bileta në duar drejt këtyre vagonave. Gjithkush përfytyron me një buzëqeshje të brendshme trenat që ka parë nëpër filma.Dhe më të moshuarit, ata mbi tetdhjet vjeç, se edhe te tille ka në Syrin e Kaltër, imagjinojnë linjat e dikurshme që udhëtonin në Gjermani, Rusi, Poloni….

Makinisti i trenit të kuq atraktiv, Pajtimi, një mesoburrë me mustaqe dhe syze optike, me origjinë nga Rexhini i Kurveleshit,por prej vitesh banor i një fshati në bashkinë e Finiqit; bën kujdes që përshëndetjeve me dorë të grupeve që kalojne në këmbë në rrugicat pranë trenit, dhe kanë të njejtin destinacion, Syrin; t’u prgjigjet me borien e zgjatur të treneit që gjarpëron nëpër kthesat buzë kiqenit për të mbërritur herë pranë Burimit të rrallë e herë te portat e Parkut ku e presin vazhdimisht pasagjerë të rinj nga e gjithë bota.


-Mirëse vini! -i uron makinisti Pajtim pasagjerët e rinj.
Pranë portave të Parkut Natyrot ngjitu me argjinaturën e liqenit sheh pika kontolli nga administrata e Parkut me afishime deri edhe për Etikn e sjelles ne Park po edhe biletarinë. Sheh njerëz me uniforma gri dhe, të përftohet ideja se je në një pikë kalimi kufitar. Se këtu ka disa “Kamberë në një derë”. Bileta për parkimin gjigand, të ardhura që shkojnë për bashkinë e Finqit ku ndodhet kjo hapërisë pranë Parkut Natyror; bileta hyrje për Park, dhe pastaj, vjen me e fundit bileta e udhëtimi drejt Syrit.

6.
Baftjari.
Vizita në Parkun Natyror të Syrit të Kaltër sado magjike që është dhe sado ndjesitë e të qenit në prehërin e natyrës dhe freskisë nën fëshfëritjen e gjetheve te pemëve dhe shelgjeve që luajnë me ujërat e kristalta blu, jeshile e të bruzta; do të ishte e paplotë pa një kafe apo shërbimet që gjen turisti në barin buzë ujërave apo restorantin “Blu Veranda”. Këtu ke iluzionin e kafen e pi mbi një varkë mes ujërave të ftohta.

Baftjar Beqiri, një mesoburrë fisnik dhe i buzëqeshur nga Delvina, kujdeset prej vitesh përgjatë 24 orëve deri ne hollësi për ruajtjen me fanatizëm të mjesidit të pastër në tokë dhe ujërat pranë.
Largohesh nga ky mjedis ne imazhin e shpendëve që fluturojnë mes pyllit të Syrit të Kaltër dhe lojës së rosave me ylbere ngjyrash në trup që zhytjen vazhdimisht për të kërkuar ushqim në ujin e pastër si një oaz dhe ku ke dëshirë të kujtosh fëmijërinë.




