Nga një roman i fabrikuar në korridoret e OJQ-ve e deri te politika zyrtare e diplomacisë perëndimore, Kosova gjykohet nga pasqyra e shtrembër e një narrative të rreme.
Në Prishtinë nuk ka mungesë narrativesh, por ka mungesë realiteti. Dikush, me durim prej mjeshtri, ka arritur t’ua shesë amerikanëve idenë se Albin Kurti është një Milosheviç i ri në miniaturë, i mbështetur nga Kroacia për të ndezur një luftë të re ballkanike. Kjo është fabula që qarkullon prej kohësh nëpër korridoret e diplomacisë dhe që ka gjetur blerës të bindur tek disa ambasada. Është romani më i suksesshëm i prodhuar nga OJQ-të, disa gazetarë që jetojnë me fonde dhe një opozitë që nuk ka më imagjinatë.
Pika e parë e thrillerit është e qartë: nëse Vetëvendosje mbetet në pushtet, Kosova shpall Republikën e Tretë dhe përmbys Planin e Ahtisarit. Kjo është fantashkencë kushtetuese, sepse e vetmja “republikë e tretë” ekziston vetëm në kokën e atyre që shohin fantazma në çdo ndryshim politik. Në realitet, Kosova mbetet e lidhur me arkitekturën e Ahtisarit aq fort, saqë edhe një qeveri revolucionare nuk mund ta shkëputë.
Pika e dytë është më banale: Kurti qenka vendosur t’i dëbojë serbët nga Kosova. Kjo është copy–paste i narrativës së viteve ’90, e ringjallur si mall i përdorur në tregun diplomatik. E thonë me zë të lartë, me shpresën se sa më shpesh ta përsërisin, aq më e vërtetë do të tingëllojë. Por është një refren folklorik, që nuk shpjegon as realitetin e serbëve në veri, as dinamikën e marrëdhënieve brenda Kosovës.
Dhe pastaj vjen kulmi: Kroacia, bashkë me Kurtin, po përgatitkan një “final solution” për Serbinë. Serbia, sipas kësaj logjike, armatoset në mënyrë të çmendur sepse pret luftë në dy fronte. E vërteta është më e thjeshtë dhe më e mërzitshme: Serbia armatoset sepse ka qenë gjithmonë e fiksuar me armë. Ushtria dhe arsenali janë identiteti i saj, jo produkt i ndonjë plani të Kurtit apo të Zagrebit.
Problemi është se këto skenarë nuk mbeten vetëm te fjalët. Diplomati amerikan, i ulur në lozhën e parë, është i bindur se po mbron Kosovën, ndërsa në fakt po mbron një narrativë të fabrikuar, të shitur si raport profesional. Kështu ndodh kur politika ushqehet me fantazi: iluzioni bëhet politikë zyrtare, dhe Kosova përfundon duke u matur me një pasqyrë të shtrembër.
Në këtë pasqyrë, Kosova del agresor, Serbia viktimë, Kroacia nxitëse dhe SHBA shpëtimtare. Kornizim perfekt i një satire ballkanike. Por realiteti është tjetër: serbët e Kosovës nuk kanë përballë një Kosovë të ngjashme me Serbinë e Millosheviçit. Problemi është imagjinata e sëmurë dhe ata që furnizojnë diplomacinë me tregime horror për të justifikuar ekzistencën e tyre. Dhe e vetmja e vërtetë e hidhur është kjo: askush s’ka interes ta ndryshojë narrativën, sepse nga ajo jetojnë të gjithë.