“At Klement Miraj ofm,
ishte nji frat i gjatë e zeshkan.
Kishte studiue në Kolegjën Françeskane në Graz të Austrisë.
Punoi gjithmonë për nji qëllim të naltë, për fe e për Atdhe! (pro aris et focis).
Shërbeu si famullitar në Kosovë, Bizë, Laç etj.
U arrestue me 1945 e u dënue me njizet vjet burg.
Mik i ngushtë i Fishtës, Sirdanit, Harapit etj.
Vdiq si martir, si pasojë e torturave në burgun e Burrelit…
Drejtori i Orkestrës e Filarmonisë Mustafa Krantja e përkujton në nji artikull të tij me titull:
“Dashuria ime e parë muzika, vjolina” në revistën “Vegime drite”të famullisë katolike të Durrësit në gusht të vitit 1955:
“… Njeriu që u çfaq në udhëkryqin e mjegulltë të jetës time qè njí françeskan shqiptar, nji engjëll ngushllues që më kapi përdore për të më drejtuar në rrugën e ëndërrës sime të coptuar. Nuk e kam harruar kurrë edhe në ditët tepër të rënda… ky njeri, ky meshtar katolik, ky atdhetar i ndershëm, i dënuar me 20 vjet burg, i vdekur si martir në kampin e Burrelit, ky burrë i vertetë quhet: At Klement Miraj.
Në nji ditë gushti kur isha i shkrirë i tëri pas vjolinës, më kishte mbërritë telegrami i Ministrisë për emërimin tim mësues muzike në shkollën fillore të katundit Laç të nënprefekturës Krujë…
Zbrita n’ato ditë shtatori të vitit 1940 në Laç, ku papritmas ndjeva nji za:
– Zotni, a mos je ti mësuesi i shkollës?
– Po, u përgjegja…
– Mirë se të pruni Zoti, o zotni mësues!- dhe frati më shtërngoi dorën.
E si pa e dijtun, erdha tek shtëpija e priftit.
Dy motrat e priftit, Tonja e Tereza ma lehtësuene ndrojtjen.
Prifti vazhdoi fytyrë qeshun:
– Asht hera e parë, zotni mësues, që fëmijët tanë kanë me cicrue në shkollën tonë.
Dalsh faqebardhë e Zoti kjoftë me ty!
Atë natë kam qenë mysafiri i tij.
Më foli bukur për Normalen e Elbasanit e mue nxansin e tij më bani krenar me të vërtetë aq sa po të kishte qenë e mundur do të kisha filluar punën që atë natë.
Ky ishte at Klement Miraj. Ishte një njeri me fytyrë të qeshun. Ai prift u rrinte afër fshatareve, ua dinte hallet, u mësonte virtytin, i këshillonte, u pajtonte gjaqet, u jepte këshilla bujqësore, u jepte ilaçe. Zotëronte pesë, gjashtë gjuhë të hueja, gjithnji gjente kohë të studionte…
Në sajë të tij, pata rast të njihesha me burra të nderuar si Fishta, Prendushi, Harapi e të tjerë.
At Klement Miraj më afronte, më thirrte në kishë, në shtëpi.. më vinte në shkollë, më shtynte në punë.
Dhe një ditë erdhi.
– Mire se të gjeta mësues!
– Mire se erdhe e mirë se të pruni Zoti, – ia ktheva unë i kënaqun.
Frati, si pruni arkën me vjolinën, tha:
– Fëmijët kanë nevojë për muzikë. Zotni mësues kur kam qenë me studime në Austri, muzika më bëri për vehte. Kam ndjekur konçerte e opera si “Traviata” e Verdit e sidomos aria e Vjoletës para pasqyrës e akti i fundit nësa ajo dergjej në shtrat nuk më hiqet nga mendja.- meshtari pëshpëriti ëmbël nën zë
– Addio del passato… bei sogni ridenti…- dhe me vjolinën ndër duer aq lehtë, sa as unë nuk e kuptova, e mbështeta në gushë.
– Provoje, Mustafa, provoje!
Gishtërinjtë e dorës së majtë u drodhën.. Fluturova në mrekullinë e notave të Verdit dhe mendova që dikush perpiqej ta ringjallte.. e meshtari perpiqej e me thoshte mrekullisht:
– Ardhmënia jote zoti mësues është vjolina, është muzika.
Ishte nji çast që më përtriu jetën, çast që edhe sikur të dua, nuk do ta harroj kurrë! I falem qiellit dhe i këndoj aleluja.
Edhe sot më këndon në shpirt nji heshtje për At Klementin, mikun tim të shtrenjtë të kohës sime që më futi në mrekullinë e muzikës.
Përsëri pëshpëris nga zemra me nji mirënjohje: Ave Pater!
Ky ishte At Klementi që më drejtoi nga muzika!”…
–