Elitat e kryeqytetit kanë disa grupe në WhatsApp ku, nën petkun e “koordinimit mes vete”, e përqeshin dynjanë. Një grup të tillë e ka edhe Enver Hasani, ku ai komunikon me shumicën e gazetarëve. Kur aty hidhet një analizë e imja – përfshirë edhe studimin e hollësishëm që në formë të letrës së hapur ia kam dërguar korit diplomatik në Prishtinë – komenti i Enverit është gjithmonë i njëjtë: “Këto nuk i shkruan vetë.” Dhe, për çudi, ky pohim i tij merret si diçka kapitale, si argument që ia ul vlerën analizës.
E vërteta është krejt ndryshe. Enveri e di shumë mirë se secili gjykatës në Gjykatën Kushtetuese ka ekipin e vet të këshilltarëve, dhe qëndrimet juridike të secilit gjykatës formësohen përmes këtij ekipi. Kjo është praktikë normale profesionale në gjithë botën dhe kështu duhet të jetë, sepse askush nuk është i gjithëdijshëm.
Unë nuk vuaj nga egoja e sëmurë si Enveri, e as nuk kam deficit vetëbesimi. Për dallim nga ai, i cili pas largimit nga Gjykata Kushtetuese është izoluar në vetmi profesionale, unë kam vazhduar jo vetëm leximin, por edhe zgjerimin e rrethit tim të miqve e bashkëpunëtorëve. Sot, unë nuk jam vetëm.
Kjo shihet nga avioni: përreth vetes kam një ekip të shkëlqyer bashkëpunëtorësh e këshilltarësh profesionalë, si dhe një rrjet të veçantë konsultimi me shkencëtarë eminentë të së drejtës kushtetuese, sidomos miq në SHBA, të cilët më nderojnë me kujdesin dhe besimin e tyre. Me këtë rreth kaq të veçantë bashkëpunëtorësh e miqsh, unë nuk kam si të ndalem.
Argumentet janë në anën tonë.
Dhe, në fund të ditës, nuk është fjala për mua e as për Enverin. Fjala është për Kushtetutën, për institucionet, për të ardhmen e vendit. Sa më shumë që dikush përpiqet të ulë vlerën e analizave tona, aq më shumë forcohet bindja se jemi në rrugën e drejtë.