Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.
Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.
Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.
Mbledhja e Kryesisë u thirr nga Basha – i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive pa nënkryetarin serb – për t’u konsultuar rreth vazhdimit të punës së institucionit.
“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për mosgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti Basha të hënën.
Në tri vazhdime të seancës konstituive, kandidatët e komunitetit serb nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.
Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë.
Katër nënkryetarë – tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe – u zgjodhën më 26 gusht, së bashku me kryetarin.
Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe kandidati i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme.
Basha deklaroi se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit serb janë shteruar, ndaj seanca konstituive konsiderohet e mbyllur.
Qëndrimin e tij e mbështetën edhe bashkëpartiakët në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët kërkuan që vendi të kalojë tani në fazën e formimit të Qeverisë së re.
Megjithatë, partitë ish-opozitare e kundërshtuan këtë vendim, duke argumentuar se Kuvendi nuk është ende i konstituuar, pasi Kryesia nuk është zgjedhur në përbërjen e saj të plotë kushtetuese.
Disa ekspertë ligjorë paralajmëruan se situata mund ta çojë vendin drejt një krize të re kushtetuese.
Basha tha të hënës se është takuar me presidenten Vjosa Osmani në një takim konsultativ dhe njoftues, por nuk dha shumë detaje.
Kuvendi i Republikës së Kosovës publikoi një njoftim, ku thuhej se Basha e ka informuar presidenten për përfundimin e seancës konstituive, por e tërhoqi pak minuta më vonë.
Basha tha se stafi ka bërë gabim dhe ka shkruar një komunikatë pa miratimin e tij.
“Presidentja nuk ka dhënë mendim. Ajo vetëm se ka dëgjuar arsyetimin tim [pë seancën konstituive]”, tha Basha për gazetarët.
Presidentja Osmani, cila, sipas ligjit, duhet të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, nuk e ka komentuar vendimin e Bashës për mbylljen e seancës konstituive.
Radio Evropa e Lirë e kontaktoi ekipin e saj për të pyetur mbi hapat e mundshëm, por nuk mori përgjigje.
Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.
Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator.

