U nda nga jeta xha Risto Qiriazi (kështu e thërrisnin të gjithë), një nga personalitetet e fundit të një epoke e cila kërkonte guxim, vetëdije dhe sakrificë për të mbijetuar si shqiptar ortodoks në Maqedoninë e Veriut, një realitet të pamëshirshëm sllav, ashtu siç kishin bërë me heroizëm vëllezërit Qiriazi: Kristo, Gjerasim, Gjergj, Sevastie dhe Parashqevi, në periudhën e shovinizmit grek, për të mbrojtur identitetin shqiptaro-ortodoks.
Ai përfaqësonte një nga familjet më të njohura shqiptaro-ortodokse të Manastirit, familjen Qiriazi, një trung fisnik që brez pas brezi ruajti me përkushtim dhe krenari trashëgiminë shpirtërore dhe kombëtare, përballë furtunave të historisë që synonin ta zhduknin këtë identitet të vyer shqiptaro-ortodoks.
I pajisur me vetëdije të thellë dhe guxim të rrallë, ai qëndroi i palëkundur pranë rrënjëve të veta, në një kohë kur shprehja publike e përkatësisë shqiptare e ortodokse barazohej me përjashtim, ndëshkim dhe persekutim familjar.
Si pasardhës i një familjeje që kishte mishëruar harmoninë midis shqiptarësisë dhe ortodoksisë, nën shembullin e vëllezërve Qiriazi, ai ruajti me krenari besimin dhe kulturën, duke u shndërruar në një simbol të gjallë të asaj bashkëjetese shpirtërore dhe kombëtare që shumëkush mundohej ta përçante, ta tjetërsonte e ta shlyente nga kujtesa historike.
Gjatë gjithë jetës së tij, qëndrimi i hapur dhe i vendosur në mbrojtje të identitetit shqiptar ortodoks e ekspozoi ndaj rrezikut, përndjekjeve dhe presioneve të shumta. Mirëpo, ai nuk u tërhoq. Me dinjitet e pa lëkundje, ai përfaqësoi një qëndresë të fuqishme, të një njeriu që besonte se shqiptarësia nuk është e plotë pa pranimin dhe respektimin e pjesës së saj ortodokse.
Me ndarjen e tij nga jeta, humbasim një zë të rëndësishëm të kujtesës historike në Maqedoninë e Veriut. Por njëkohësisht, fitojmë një trashëgimi të çmuar shpirtërore, një testament për brezat që vijnë: të qëndrojmë të palëkundur në atë që jemi, të ruajmë gjuhën, fenë e kishat tona shekullore që mbartin të vulosur historinë dhe identitetin tonë, jo vetëm shpirtëror, pa frikë, pa kompromis, me shpresën te Zoti dhe me besimin në ringjalljen e trungut ortodoks shqiptar në Manastir.
U prehtë në paqe. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm, jo vetëm në zemrën e Manastirit.