Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të funksionalitetit institucional në vend.
Në një deklaratë për mediat, Osmani theksoi rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi sa më parë dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe normat demokratike. Ajo u bëri thirrje deputetëve që të votojnë sa më parë edhe qeverinë e re, të dalë nga vullneti i qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me Kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, znj. Vlora Çitaku, z. Kujtim Shala dhe znj. Emilija Redžepi. Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në deklaratë. gsh