Presidenti Donald Trump ka nisur një “tur hakmarrjeje” për çështjen “Russiagate”. I vendosur të largojë vëmendjen nga skandali i Jeffrey Epstein që e ka përfshirë, ekipi i Trump ka rihapur debatet rreth zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, akuzoi ish-zyrtarë të lartë të administratës Obama për asgjë më pak se tradhti për shkak të keqmenaxhimit të tyre në hetimin mbi lidhjet e supozuara të fushatës së Trump me Rusinë. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se sjellja e këtyre zyrtarëve ishte aq e rëndë, saqë vendosi t’i referojë ata për ndjekje penale në Departamentin e Drejtësisë. Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, është nën vëmendje të veçantë.
Është e qartë se nëse zyrtarë të lartë të mëparshëm të sigurisë kombëtare akuzohen nga Departamenti i Drejtësisë për krime të lidhura me atë që ekipi i Trump e quan “mashtrimi rus” (“Russia hoax”), do të ishte një ngjarje që ndryshon lojën. Ndërsa kjo perspektivë gëzon mbështetësit e MAGA-s, të tjerë janë më pak entuziastë për idenë e kriminalizimit të mospajtimeve mes agjencive të inteligjencës për burime dhe metoda. Ky është një precedent i rrezikshëm, pavarësisht se sa joetike mund të kenë qenë veprimet e John Brennan, ish-Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, James Clapper dhe ish-Drejtorit të FBI-së, James Comey.
Edhe pse ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden kanë mbikëqyrur politizimin e rrezikshëm të inteligjencës për qëllime partiake – për shembull, lidhur me origjinën e COVID-19 ose Sindromën e ashtuquajtur të Havanës – “kura” që ofron Trump mund të rezultojë më e rrezikshme se vetë sëmundja.
Koha dhe energjia janë të kufizuara, sidomos në kryeqytetin amerikan, dhe duket se e gjithë axhenda e Tulsi Gabbard është të hakmerret për krime të supozuara të komunitetit të inteligjencës të ndodhura gati një dekadë më parë. Ndërkohë që zyrtarët e administratës Trump flasin për rishikimin e të dhënave të inteligjencës për COVID-19 dhe Sindromën e Havanës, gjithë fokusi i Gabbard dhe stafit të saj duket të jetë hakmarrja për ‘Russiagate’. Agjencitë e zbulimit amerikan kanë shumë probleme, dhe viti 2016 është vetëm njëri prej tyre.
Për më tepër, çfarë ndodhi me axhendën e gjerë për reformimin e komunitetit të inteligjencës, që zyrtarët pro-Trump — dhe janë më shumë nga sa e kupton Shtëpia e Bardhë — besojnë se administrata ia kishte premtuar publikut amerikan? Gabbard dhe rrethi i saj, shumica pa përvojë të drejtpërdrejtë në inteligjencë, duket se nuk e kuptojnë se problemet e agjencive tona të zbulimit nuk lidhen vetëm me individët, por me burokracinë. Nuk ka kuptim të ndëshkohen apo edhe të ndiqen penalisht burokratët e inteligjencës nga koha e Obamës dhe Bidenit, nëse sistemi që i krijoi dhe i ngriti në karrierë mbetet i paprekur.
Merr si shembull kundërzbulimin, që kjo kolumnë e ka trajtuar gjerësisht si komponentin më të kompromentuar të komunitetit të inteligjencës. Është i organizuar keq, i jep shumë pushtet policëve në dëm të kundërspiunëve dhe bilanci i tij i fundit është i mjerë. Mjafton të shikosh operacionin “Crossfire Hurricane” të FBI-së në vitin 2016, i cili supozohej të zbulonte lidhjet ruse me fushatën e Trump, por në vend të kësaj u zhyt në metoda të dështuara dhe politikë partiake. Kjo është pikërisht ajo lloj veprimtarie e deformuar e inteligjencës — jofunksionale dhe e rrezikshme për liritë civile — që nuk duhet të ndodhë më kurrë.
Fatkeqësisht, në planin e reformës së Gabbard nuk ka asgjë që sugjeron ndonjë ndryshim të vërtetë. Në fakt, i vetmi plan i prekshëm për reformën e inteligjencës nga Partia Republikane vjen nga senatori Tom Cotton (R-Arkansas), por ai shkon në drejtim të gabuar, duke i dhënë FBI-së edhe më shumë pushtet dhe autoritet në kundërzbulim — pavarësisht dështimeve të saj të rënda në vitin 2016.
Përkundrazi, FBI-së duhet t’i hiqet misioni i sigurisë kombëtare, dhe misioni i kundërzbulimit kombëtar duhet t’i kalojë një agjencie të re, të pavarur të inteligjencës së brendshme, pa kompetenca të zbatimit të ligjit. Vetëm kjo do të parandalonte një tjetër “Russiagate”.
Kongresi nuk po merret seriozisht me këtë. Një seancë dëgjimore madhore për reformën e kundërzbulimit e parashikuar nga Komiteti i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve u anulua javën e kaluar, sepse Kryetari i Dhomës Mike Johnson (R-Luisiana) e dërgoi Dhomën në pushim veror në panik pas publikimit të dokumenteve të lidhura me Epstein. Planet përgatitore për atë seancë u ndërprenë dhe askush nuk e di se kur do të riplanifikohet — ndoshta në shtator. Ndërkohë, koha po kalon dhe armiqtë tanë vazhdojnë të na spiunojnë pa pushim, ndërsa Kongresi merret me lojëra politike partiake.
Përqendrimi i dobët i ekipit Trump në çështje të rëndësishme të kundërzbulimit është shpesh i pakuptueshëm. Është e padiskutueshme që FBI-ja ka nevojë për një reformë rrënjësore pas katastrofës së zgjedhjeve të vitit 2016. Fatkeqësisht, drejtori i zgjedhur nga Trump, Kash Patel, duket se nuk di si të zbatojë ndryshimet e nevojshme. Ai dhe zëvendësi i tij, Dan Bongino, e kanë parë besueshmërinë e tyre midis mbështetësve MAGA të bjerë ndjeshëm pas ngërçit të dosjeve Epstein.
Si podcastera të zëshëm të krahut të djathtë, Patel dhe Bongino e kanë kritikuar ashpër “deep state” dhe korrupsionin e supozuar të tij, përfshirë edhe çështjen e Epstein-it. Por tani që janë në krye të FBI-së, duken të pafuqishëm dhe pa drejtim të qartë.
Fundjavën e kaluar, Bongino postoi një mesazh enigmatik në X (ish-Twitter), ku riafirmoi angazhimin e tij dhe të Patel-it për të “çrrënjosur korrupsionin publik dhe politizimin e zbatimit të ligjit dhe operacioneve të inteligjencës”. Ai shtoi një deklaratë të çuditshme: “Ajo që kam mësuar gjatë hetimeve tona të mbështetura dhe të nevojshme mbi këto çështje, më ka tronditur deri në thelb. Nuk mund të funksionojë një Republikë në këtë mënyrë. Nuk do jem më i njëjti pasi mësova ato që mësova.”
Askush nuk është i sigurt se për çfarë të vërtetash të errëta po fliste Bongino. Por angazhimi i tij dhe i Patel për të reformuar seriozisht FBI-në duket i dyshimtë. Për shembull, skandali ndoshta më i madh në historinë e FBI-së, ai i ish-agjentit të lartë Charles McGonigal, është para syve të tyre, por Patel dhe Bongino heshtin.
Rasti McGonigal, që përfshin një zyrtar të lartë të kundërzbulimit i cili u korruptua për para nga disa shtete, përfshirë Rusinë, ngre pyetje serioze mbi drejtimin dhe vlerat e FBI-së. McGonigal, si shef i kundërzbulimit në zyrën e FBI në Nju Jork më 2016, ishte thellësisht i përfshirë në Operacionin Crossfire Hurricane. A ka qenë ai i përfshirë në mbledhjen e informacionit të rremë që u përdor për të njollosur Trump-in dhe fushatën e tij?
Për më tepër, ai përfundoi në listën e pagesave të oligarkut rus Oleg Deripaska, një bashkëpunëtor i afërt i Vladimir Putinit dhe i akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016. Njeriu i ngarkuar me mbrojtjen nga spiunazhi rus u lidh vetë me Kremlinin – dhe kjo ende nuk ka marrë vëmendjen që meriton nga drejtuesit aktualë të FBI-së.
McGonigal u deklarua fajtor në vitin 2023 për punë të paligjshme me Oleg Deripaska, i cili është nën sanksione amerikane. Ai u dënua me katër vite burg dhe më pas mori edhe 28 muaj shtesë për marrje parash nga zyrtarë shqiptarë për lobim të paligjshëm dhe akuza edhe më të rënda. Shkalla e plotë e tradhtisë së tij mbetet e fshehur nga publiku, dhe askush në FBI-në e Trump-it nuk duket i interesuar ta shpjegojë pse.
Nëse Shtëpia e Bardhë është vërtet e vendosur për të zbardhur çështjen “Russiagate”, duhet të fillojë duke hetuar McGonigal-in dhe rrethin e tij. Ose të paktën të orientojë Tulsi Gabbard-in drejt reformës institucionale, në vend që të fokusohet vetëm te individët. sn