(“Nuk e di a e kanë vërtetë shqipot këtë lokalin me shtesa mbi trotuar në Londër, po qesha shumë kur ma çuan dhe po e ndaj me ju për pak humor”)
I shfaqur kryesisht gjatë mandatit të tretë me dy kontraste veshjesh njëra me pamje gjoja sportive për përdorim të brendshëm nëpër rrugët e Shqipërisë sikurse shpeshherë edhe në institucionin e kryeministrisë ndërsa tjetra, veshjet protokollare vetëm për tapet e kuq sa herë që zhvillohen Samite apo mbërrijnë kryetarë/e shtetesh, e bëjnë fare të lehtë Ramën të kuptohet me shtirjen e tij. Kjo është pamja e jashtme, tani me aq sa sportivitet sa ç’vishet edhe i delegon vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave sikurse edhe shumë rrallë i vjen të dalë në parlament sepse nuk ka ndonjë ndjesi llogaridhënie as ndaj qytetarëve e jo më për opozitën. Kjo sjellje e drejtimit të shtetit pas marrjes së votave nga zgjedhjet është formuar tashmë si një sjellje e zakonshme apo normë qeverisjeje.
Në thelb fryma shihet qartë çdo ditë se për çfarë jeton vërtetë ky “Zotni” tani i rrethuar nga “shqipot”.
Qoftë edhe një foto nga miqësia e Facebook-ut ajo, nuk është se Rama kënaqet, por është puna e madhe e ushtrisë së propagandës që do të duhet që edhe atë në rutinë e përditshme të punëve të qeverisë ta kthejë dhe ta bëjë lajm zyrtar. Në llogarinë e Facebuk-ut e njëjta përmbajtje shkruhet në ATSH veç se ndriçohen hyrjet tematike-propagandistike:
– “Aksioni për lirimin e hapësirave publike në rrugë dhe lagje të ndryshme të kryeqytetit, por edhe në bashkitë e tjera të vendit, po zhvillohet ende. Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale një foto, ku shfaqet një bar në Londër (Angli), ndërsa shtesa e lokalit ka zaptuar trotuarin. ‘Nuk e di a e kanë vërtetë shqipot këtë lokalin me shtesa mbi trotuar në Londër, po qesha shumë kur ma çuan dhe po e ndaj me ju për pak humor’, shkruan Rama”.*
“Të qeshësh shumë” dhe “ta ndash atë si humor” kur ke tre javë aksion shembjesh dhe lirimi hapësirash dhe kur me forcën e kartonit i ke kthyer në ligj në Kuvendin e Shqipërisë, këto dy akte që kanë ndodhur tashmë janë dukshëm premtimi parazgjedhor dhe shkatërrimi paszgjedhor me një nga lidhjet më të qenësishme të individit dhe familjes që është prona.
Ndjesia e pronës private dhe publike për shqiptarët e dalë nga diktatura komuniste është traumë më vete.
Shkatërrimet me mjete të rënda, tritol e prani forcash policore ose qofshin edhe ndëshkime me gjobë, por pa paralajmërim janë vrasje psikologjike dhe ekonomike për të gjitha ato sipërmarrje private që kurrë se si nuk janë ndërtuar pa dijeninë e një shteti që kontrollon gjithshka që kanë dhe duan të ndërtojnë shqiptarët. Shkatërrimi me forcë nuk i shërben ndërgjegjësimit. Ndërtimet në ato hapësira në ato pak forma të zhvillimit të veprimtarisë ekonomike në Shqipëri janë investime të sipërmarrësve të cilëve shteti u ka lejuar përkohësinë duke ju lidhur kontratat e energjisë, të ujit dhe sigurisht edhe pagesën e taksave. Me paralajmërim të pakën ruhen vlerat materiale të objekteve sikurse edhe riciklimi lëndëve dhe sendeve qarkullohet në destinacionet të tjera për përdorim. Por përdorimi i forcës (mjete të rënda, tritol e prani forcash policore), jo vetëm që i frikësojnë shtetasit, por ato vrasin disa dhjetra herë më shumë frymën e biznesit, ndjesinë e sipërmarrjeve dhe ndërtimit të pronës private.
Në këtë kuptim njerëzit e vlerësojnë aksionin që ende nuk ka të ndalur, por edhe bombardohen nga informacionet në media kur dëgjojnë se me mijëra kilometra katrore lirohen dhe po në të njëjtën ditë qeveria nxjerr vendime për projekte ndërtimi e ri jetësimi ku gllabërohen kudo hapësirat publike dhe pronat shtetërore. Sikurse edhe shumë prej këtyre bizneseve të përkohshëm qeveria dhe mazhoranca më 5 Dhjetor, 2024 me forcën e kartonit. Edhe pse i votuar i njëanshëm, kaotik dhe i paraprirë ndoshta me qëllim për të krijuar boshllëqe në interpretimin ligjor, aksioni i lirimit të hapësirave publike, fill pas zgjedhjeve me rezultat të vonuar, në mes të sezonit turistik dhe duke goditur zonat malore si Thethi, janë veç të tjerave një provë e pushtetit për goditjen e bizneseve private dhe e ndjesisë së pronës private.
Projekt ligji i 5 Dhjetorit (votuar me 81-pro, 0-kundër, 0-abstenim dhe 55 të pranishëm që nuk morën pjesë), shprehimisht shkruhej:-“Për anulimin e masave administrative” synon anulimin e të gjitha masave administrative të vendosura nga 1 Janari i vitet 2015 deri në 30 Nëntor të vitit 2024, në zonat rurale, në të gjithë territorin e vendit, sa i takon masave administrative gjobë, të vendosura nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Qendror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor… duke vazhduar me:-… Projektligji synon të ofrojë një mundësi rivlerësimi të masave që nuk janë ekzekutuar gjatë periudhës përkatëse, duke ofruar një mundësi për subjektet që kanë bërë ndërhyrje në ndërtim ose aktivitete të tjera bujqësore dhe blegtorale”.* (Përmbajtja e projekt ligjit të plotë në fund të shënimit).
Kushdo që e lexon, është i interesuar për të investuar e zhvilluar pronën dhe që i merr të mirëqena premtimet elektorale pasi edhe opozita e bëri një premtim të tillë në fushatë (për faljen e gjobave nga 1992-11 Maj, 2025), pra pronarëve pa përjashtim u është krijuar mundësia dhe shteti duhet të veprojë dhe monitorojë zhvillimet në zbatim të ligjit.
Pyetjet që shtrohen janë:
-A mbetet thjesht një status diku në Facebook-un e tij mes komenteve të pak qindrave se çfarë nënkupton Rama me “shqipot”?
-Apo është një tallje (pasi sarkazma dhe ironia deri në këtë masë ku kanë arritur gjërat nuk tregojnë më një nivel zgjuarsie). Pas asaj që ndodhi me aksionin e lirimit të hapësirave publike ose “tokës së xanum”?
-Dhe e treta që i bashkon të dyja pyetjet më lart lidhet me efektin triumfues që del nga tallja i cili është ai se “shqipot” që Rama i referohet me shkëmbimin e mesazhit nga Londra. Është pyetja:- Si ka mundësi që ky i plotfuqishëm që e bllokon Tik-toku-n dhe censuron lirinë e shprehjes ka mundësi nga ana e tij që t’i përdorë edhe Facebook-un edhe ATSH-n si informacionin zyrtar të shtetit si një armë për t’i tallur “shqipot”?
Ata/ato që e duartrokasin (mes shqipove), ata/to që edhe kjo ju shkakton vërtetë të qeshura dhe e lajkatojnë, sikurse edhe ata/ato që “egërsohen” dhe reagojnë duke i dhënë një përgjigje si krahu i plotësimit të ndonjë sondazhi stinor duhet të vlerësojnë më parë se çfarë është ky nivel dhe kjo gjuhë komunikimi nga ana e një kryeministri që drejton prej 12 vitesh shtetin. Kur ta kuptojmë vërtetë standardin që është vendosur atëherë njerëzit do të kuptojnë atë çka nuk shkon tek vetja e tyre dhe do të dallojnë edukatën qytetare që ka arritur të prodhojë Rama në drejtimin e shtetit dhe të të gjitha institucioneve gjatë tre mandateve. Kryesisht përmes propagandës dhe rrjetit të të gjitha influencave duke u përpjekur çdo ditë për ta vrarë opozitën, mendimin ndryshe dhe qëndrimet kritike, për të gjithë ata/ato që e shikojnë dhe e ndjejnë rënien shoqërore dhe ekonomike të shqiptarëve, kjo quhet me një fjalë degradim prej korrupsionit. Sa më shumë që njerëzit të bashkëjetojnë me të aq më shumë formohet kjo kulturë në një shoqëri. Kjo po thellohet sa herë që ka zgjedhje ku ajo pjesë e njerëzve që kanë mbetur veç opozitarëve me mos reagimin e tyre ndaj fakteve të farsës zgjedhore, mbetet të jenë të kënaqur edhe me qeverisjen dhe sigurisht edhe kur ajo shkatërron tashmë pa trokitur.
Reagimi i fundit do të lidhej më mirë kur shtetasve të çdo shtrese do t’i drejtohej pyetja se:- Sa e shenjtë është prona?
Mes shqiptarëve kjo është zbehur, sepse ata janë larguar dhe vazhdojnë të largohen në emigracion për kushte më të mira.
Me kulturën e korrupsionit përvetësimi dhe shitja e pronës “lulëzojnë”.
Ndërsa me Thethin, pikërisht vërtetimi i kësaj prove ishte goditja dhe ky eksperiment kërkoi të ndjesohej. Duke dashur ta zhvillojmë në përmbajtje prona private në Shqipëri që pas 1946 historikisht njohu deformimin prej shtetëzimeve nga prona e shtetit proletar dhe në tre breza deri sot e shkaktoi traumën për të mos e marrë kurrë më veten dhe për të shkuar tek i zoti, sipas ligjeve dhe dokumentacionit mbi pronën. Kjo mungesë dhimbjeje që buron edhe prej mos pasjes së pronës dhe zhvillimit të saj përmes punës dhe aftësive ka prekur rëndë edhe kulturën dhe traditën e shqiptarit edhe në një vend si malësia e Thethit, ku vendasit ende e quajnë pronën të shenjtë dhe të shtrenjtë sepse e trashëgojnë me trung familjar prej disa qindra vjetësh e të bekuar nga Zoti.
Si mund “Të qeshësh shumë” dhe “ta ndash atë si humor”, fort i nderuar kryeministër.
E ç’hyn Londra këtu?
Propaganda që të mbështet njësoj për premtimet dhe shkatërrimin, pajtohet edhe ajo me përdorimin e fjalës “shqipot” dhe cilëson: “Aksioni për lirimin e hapësirave publike në rrugë dhe lagje të ndryshme të kryeqytetit, por edhe në bashkitë e tjera të vendit, po zhvillohet ende. Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale një foto, ku shfaqet një bar në Londër (Angli), ndërsa shtesa e lokalit ka zaptuar trotuarin…”
Shqipoja dhe shqipot sipas fjalorit shqip që juve mirë e njihni do të thotë gjatë përshkrimeve në bisedë për shqiptarin se janë:”mishërimi i disa veçorive dalluese”.
Përse nuk i numëroni edhe këto, por të shkruani në rrjetet sociale dhe në median propagandë se aksioni vazhdon dhe “Të qeshësh shumë” dhe “ta ndash atë si humor”.
Premtuat dhe vepruat me shkatërrim.
Ndatë tituj pronësie në Theth për të çliruar potencialet e turizmit
300 familje të Thethit me orientim turizmin me paga më të mira se në Greqi
Bashkëshortja juaj Linda disa ditë pas zgjedhjeve në forumin ndërkombëtar, Nismat e Investimeve të së Ardhmes (FII-17 Maj, 2025), u veçua nga propaganda me thënien se:-“Shqiptarët i besuan Edit një mandat të fortë, u lidh filli mes prindërve dhe ëndrrës për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa”.
“Të qeshësh shumë” dhe “ta ndash atë si humor”, një kioskë të Londrës kjo ka të bëjë me njeriun që prej hakmarrjes dhe inatit nuk i del e keqja. Shkatërrimet dhe shpërthimi i komanduar provuan se Thethi dhe malësorët thethjanë janë të përmbajtur sepse janë të lidhur me pronën e tyre. Vizitat tuaja të premtimeve si kryeministër që i keni bërë shtetasve atje si dhe reklamës turistike të Shqipërisë rrëzohen nga veprimet tuaja dhe të administratës veçanërisht pas zgjedhjeve.
Ju mbase mbeteni i kënaqur se “Të qeshësh shumë” dhe “ta ndash atë si humor” një kioskë të Londrës, kjo tani lidhet me zhgënjimin një cilësi dhe veçori të shqiptarëve në rastin kur ju drejtohesh shqipot jo si populli yt, por me distancën e një vete të tretë do t’ju kushtojë në kuvendin e fjalës ku peshohet dhe ndahet puna, besa, nderi nga mashtrimi, vjedhja, dhuna dhe korrupsioni.
Dy tre herë i vizitove thethjanët zoti kryeministër dhe i mashtrove sy më sy. Ndoshta edhe kënaqesh se nga këto mashtrime e hëngrën shqipot. Por për deri sa një mik nga Londra ta nisi ndërtimin e një kioske në trotuar përse e pranove kaq shpejtë dhe cekët. E shpërndave, e qeshe dhe e bëre lajm në një kohë.
Përse nuk i shkrove se nga Londra kemi një tjetër njohëse më të mirë të shqipove, Edith Durham-in që e vizitoi shtatë herë Shqipërinë. I njohu për qëndresën, zejet, traditat dhe kulturën, për besimin e për gjithshka tjetër që nga historia e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu e përtej Ilirëve. Duke e perifrazuar një pyetje të Durham-it kur shkeli në troje dhe pyeti se:- Çfarë jeni?, bashkëfolësi tha prerazi dhe qartë “shqiptar”, (shqyptar dhe shqyptari).
Kjo ka mbetë edhe nga ajo kohë rreth 100 vite më parë kur ekspeditat studimore vizitonin Shqipërinë e pavarur sikurse edhe guidat turistike sot kanë kuriozitetin e shtuar për njerëzit, natyrën dhe traditën rrënja e kulturës do t’i mbijetojë përçudnimit politik të së majtës progresiste globaliste. Pa u zgjatur në ato çka ndjejmë dhe aq sa të izoluar kanë mbetur veçanërisht edhe malësorët dhe malësoret e Thethit veçanërisht në sezonin turistik të verës 2025 vlen të rifreskojmë një cilësi që Edit Durham zbuloi tek ata shqiptarë që jetojnë në pronat e tyre të shenjta dhe më pranë Zotit se :-Një ditë, ata do të kërkojnë dhe Europa do t’u japë atyre atë që kërkojnë!* Është fjala për pavarësinë dhe përkatësinë në familjen evropiane të cilën kurrë nuk do ta marrin me këtë kulturë korrupsioni që ka formuar tranzicioni i gjatë dhe Rilindja Socialiste që prej ardhjes së saj në pushtet. Ky është një erozion i vlerave të shtetit ligjor dhe lulëzim i korrupsionit që lexohet edhe në një tjetër simbolikë lajmesh të propagandës e cila konstaton dhe nuk vepron si në rastin e Urës Hekurudhore – Automobilistike të Matit (781 m) se :-“…për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit, dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor…Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, ARRSH bën të ditur se, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projekt ndërhyrjes emergjente që po hartohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës”.*
A është kjo e mjaftueshme kur me miliona euro janë shpenzuar për ndërtimin e autostradave?
Shqipëria dhe veçanërisht veriu i saj që ka linjë hekurudhore të papërdorshme tani më është edhe më i izoluar edhe me pjesën tjetër të vendit, edhe me Evropën.
Për këtë izolim votuan shqiptarët, apo kjo është aftësia e qeverisjes që po pret rezultatin e zgjedhjeve?
_____________
*Shqipot- Shqiptari si mishërim i disa veçorive dalluese, Fjalori i Shqipes së Sotme
*ATSH- 23 Korrik 24- Rama ndan foton nga Londra
* Kuvendi i RSH- 5 Dhjetor, 2024 diskutimi i projekt ligjit “Për anulimin e masave administrative”
*Mary Edith Durham, antropologe, shkrimtare, artiste – shkroi HIGH ALBANIA AND ITS CUSTOMS IN 1908. E vizitoi Shqipërinë rreth 7 herë nga 1908-1921
*ATSH -25 Korrik, 2025, ARRSH ndërhyrje në urën e Milotit, ndërpritet qarkullimi

26 Korrik, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)